Partia Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e akteve normative dhe vendimit të qeverisë, të cilat lidhen me rregullat dhe masat për protestat. Lajmi është bërë i ditur nga kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili deklaroi se kërkesa synon shfuqizimin e aktin për kufizimin e protestave, kompensimin e dëmeve të shkaktuara gjatë tubimeve dhe krijimin e një regjistri policor për personat e përfshirë në akte dhune.
Demokratët kanë kërkuar gjithashtu pezullimin e zbatimit të këtyre akteve deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes nga Gjykata Kushtetuese.
“Kemi depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e Aktit Normativ nr. 5/2026, Aktit Normativ nr. 6/2026 dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 815/2026, datë 28 tetor 2026, si dhe për pezullimin e zbatimit të tyre deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes.
Kjo nuk është një përpjekje për t’i dhënë imunitet askujt që shkel ligjin. Dhe nuk është një kundërshtim ndaj detyrimit të shtetit për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.
Është një betejë për të mbrojtur Kushtetutën nga një qeveri që, në mënyrë të rreme, gjoja në emër të rendit publik, kërkon të zgjerojë kompetencat e veta përtej kufijve kushtetues, me një qëllim, të shuaj më dhunë zërin e qytetarëve, të asgjesojë në praktikë një të drejtë kushtetuese, të drejtën për të protestuar.
Sepse në një shtet demokratik, rendi publik nuk mund të vendoset kundër lirive themelore. Siguria nuk mund të përdoret si justifikim për arbitraritetin. Dhe pushteti nuk mund të vendosë vetë se cilat të drejta mund të ushtrojnë qytetarët dhe cilat duhet t’u hiqen”, u shpreh Bardhi ndër të tjera. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

