Lajme Zone
Gruaja në Astir ka nevojë për ndihmë: Prej 4 muajsh fle në trotuar, pa një strehë ku të fusë kokën
Të tjeraJOQ Albania

Gruaja në Astir ka nevojë për ndihmë: Prej 4 muajsh fle në trotuar, pa një strehë ku të fusë kokën

Një grua që prej muajsh jeton në rrugë, në kushte të vështira dhe pa mbështetjen e askujt, ka nevojë për ndihmë. Ajo qëndron në zonën e Astirit, pranë lokalit "Artisti", ku, sipas një qytetari që i është drejtuar redaksisë sonë, kalon ditët dhe netët në trotuar, e rrethuar vetëm nga disa qese me rroba dhe sendet e saj personale.

Denoncuesi tregon se jeton prej rreth katër muajsh në këtë zonë dhe gjatë gjithë kësaj kohe e ka parë gruan në të njëjtin vend. Sipas tij, ajo nuk duket se ka një strehë ku të qëndrojë dhe as njerëz të afërt që të kujdesen për të. Qytetari shton se gruaja duket e frikësuar dhe nuk afrohet lehtë për të komunikuar me të tjerët.

Fotografia e mbërritur në redaksinë tonë tregon gruan të ulur në trotuar, pranë disa qeseve me rroba, në një gjendje që ngre shqetësim, veçanërisht në këto ditë kur temperaturat bien dhe netët bëhen gjithnjë e më të ftohta.

Por përtej pamjes që përcjell kjo fotografi, mbeten shumë pikëpyetje që kërkojnë përgjigje: Kush është kjo grua? A ka familjarë apo njerëz të afërt? Çfarë e ka çuar në këtë gjendje dhe prej sa kohësh jeton pa një strehë mbi kokë? A ka probleme shëndetësore apo ka nevojë për mbështetje sociale dhe psikologjike?

JOQ Albania i bën thirrje Bashkisë Tiranë, Shërbimit Social Shtetëror dhe strukturave përkatëse që të interesohen për rastin, të dërgojnë punonjës socialë për të komunikuar me të dhe për të kuptuar nevojat e saj. Është e rëndësishme që fillimisht të dëgjohet vetë gruaja, të vlerësohet situata në të cilën ndodhet dhe t'i ofrohet një zgjidhje konkrete, duke nisur nga strehimi, ushqimi dhe kujdesi shëndetësor, nëse ka nevojë.

Nuk mund të mjaftohemi vetëm duke kaluar pranë saj çdo ditë dhe duke e parë në të njëjtën gjendje. Pas kësaj figure qëndron një njeri, me një histori dhe halle që ende nuk i dimë. Le të shpresojmë që institucionet të mos presin që kjo situatë të përkeqësohet për të ndërhyrë dhe që kjo grua të mos detyrohet të përballojë edhe një natë tjetër të ftohtë në trotuar.