Një qytetar ka denoncuar pranë redaksisë sonë gjendjen e një rruge në lagjen Sheq i Madh, në Fier, ku prej rreth një viti ndodhet një gropë e madhe në rrugën kryesore.
Qytetari, i cili jeton në Gjermani dhe ka ardhur në Fier për të kaluar pushimet, shprehet se situata është shqetësuese, pasi automjetet pësojnë dëmtime të përditshme, ndërsa kalimi në këtë segment rrugor shkakton radhë të gjata trafiku.
Sipas tij, për të shmangur gropën, drejtuesit e mjeteve detyrohen të ngadalësojnë ose të manovrojnë, duke krijuar trafikqë, siç tregon ai, mund të arrijë deri në dy kilometra.
Qytetari i bën thirrje Bashkisë Fier dhe kryetarit të saj që të ndërhyjnë për riparimin e rrugës dhe zgjidhjen e këtij problemi që, sipas tij, vijon prej një viti pa marrë zgjidhje.
“Ndoshta do ta shikojë kryetari i bashkisë kur të kalojnë tre karroca me serë dhe të krijohet dy kilometra trafik për shkaktë kësaj grope”, shprehet qytetari në denoncimin e tij.
Banorët dhe drejtuesit e mjeteve presin një reagim nga institucionet përgjegjëse për riparimin e këtij segmenti rrugor.

