Lajme Zone
“Gratë me funde të gjata janë nëna më të mira”/ Deklarata e zëvendëskryeministrit shkakton zemërim në Itali, protestojnë edhe deputetet me minifunde
BotëTop Channel

“Gratë me funde të gjata janë nëna më të mira”/ Deklarata e zëvendëskryeministrit shkakton zemërim në Itali, protestojnë edhe deputetet me minifunde

Një deklaratë e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm italian, Antonio Tajani, ka shkaktuar reagime të forta në Itali, përfshirë edhe nga Kisha Katolike.

Një deklaratë e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm italian, Antonio Tajani, ka shkaktuar reagime të forta në Itali, përfshirë edhe nga Kisha Katolike. Gjatë një konference, Tajani u pyet se çfarë këshille do t’i jepte të birit për zgjedhjen e një gruaje me të cilën të martohej. Ai tha se, ndonëse mund të ishte mirë të martohej me një grua joshëse, një grua e tillë mund të kishte pasur disa marrëdhënie, të ishte divorcuar dhe të kishte tendencë të tradhtonte.

Sipas Tajanit, ai do ta këshillonte të birin të zgjidhte një grua “më pak tërheqëse”, por më të besueshme, e cila do të ishte një nënë e mirë dhe do t’i qëndronte besnike martesës.

“Një që ndoshta vesh funde pak më të gjata se të tjerat”, tha Tajani.

Deklaratat shkaktuan reagime të menjëhershme nga politika dhe në rrjetet sociale. Disa përdorues publikuan fotografi të manipuluara të Tajanit me minifund, ndërsa deputete opozitare publikuan fotografi të tyre të veshura me funde të shkurtra. View this post on Instagram A post shared by Chiara Appendino (@chiara_appendino) Deputetja e Lëvizjes Pesë Yje, Chiara Apetino, publikoi një fotografi me minifund dhe reagoi me ironi ndaj ministrit.

“Tajani, a nuk jam një grua e besueshme? A nuk jam një nënë e mirë? Në vitin 2026 nuk duhet të dëgjojmë një ministër qeverie që na shpjegon se është më mirë të martohemi me një grua që është më pak mbresëlënëse dhe me një fund më të gjatë. Besueshmëria jonë nuk matet me centimetra pëlhure”, shkroi ajo.

Në Senatin italian, 11 senatore të opozitës u shfaqën me minifunde në një protestë simbolike në Palazzo Madama. Ato përfaqësonin Partinë Demokratike, Italia Viva dhe Aleancën e të Gjelbërve dhe të Majtës. Edhe ish-kryeministri Matteo Renzi reagoi ndaj deklaratave të Tajanit, duke i cilësuar ato si të papërshtatshme.

“Nuk mund të thuash që një vajzë me një fund pak më të shkurtër nuk është një person serioz. Çfarë është kjo, shekulli i 18-të?”, deklaroi Renzi, i cili kërkoi edhe shkarkimin e Tajanit nga qeveria.

Në debat u përfshi edhe Kisha Katolike. Imzot Giuseppe Baturi, kreu i Konferencës së Ipeshkvijve Italianë, tha se çdo fjalë dhe vështrim ndaj një gruaje duhet të shoqërohet me respekt.

“Çdo fjalë dhe çdo vështrim drejtuar një gruaje duhet të jetë plot respekt dhe admirim”, deklaroi Baturi.

Ai shtoi se, sipas këndvështrimit të krishterë, gruaja ka një rol të veçantë dhe se respekti është veçanërisht i rëndësishëm kur flitet për gratë.

Pas reagimeve, Antonio Tajani kërkoi falje për deklaratën e tij. Nga Nju Jorku, ku ndodhet për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ministri italian tha se nuk kishte pasur për qëllim të ofendonte gratë.

“Kërkoj ndjesë nëse dikush është ofenduar nga ajo që thashë, por kurrë nuk kam pasur për qëllim të ofendoj gratë. Nuk e kam bërë kurrë këtë në jetën time, as në jetën time private dhe as në atë publike”, tha Tajani. Top Channel