Autoritetet spanjolle kanë goditur dy grupe kriminale të dyshuara për një seri grabitjesh në banesa në Madrid dhe Toledo. Gjashtë persona janë arrestuar dhe janë lënë në burgim të përkohshëm.
Njëri prej grupeve, me bazë në San Sebastián de los Reyes dhe San Agustín del Guadalix, dyshohet se udhëtonte periodikisht drejt Spanjës për të kryer grabitje dhe më pas kthehej në Shqipëri me sendet e vjedhura.
Në shënjestër ishin kryesisht shtëpi individuale në zona rezidenciale. Autorët hynin përmes dyerve ose dritareve, duke përdorur edhe metodën “resbalón”. Grabitjet zgjasnin vetëm pak minuta: dy persona hynin në banesë, ndërsa një tjetër qëndronte në automjet dhe monitoronte zonën.
Sipas hetimeve, grupi kishte kryer edhe më herët fushata të ngjashme kriminale në Spanjë. Objektet e vjedhura përfshinin kryesisht bizhuteri, orë, çanta dhe para të gatshme.
Grupi dyshohet se ka vepruar në disa zona të Madridit, përfshirë Boadilla del Monte, Villanueva de la Cañada, Torrelodones, Las Rozas, Majadahonda, Griñón, Paracuellos del Jarama dhe Pozuelo de Alarcón, si dhe në Esquivias të Toledos.
Një tjetër grup vepronte në pallate
Në një operacion tjetër, Guardia Civil ka shpërbërë një grup me bazë në Coslada, i përbërë nga tre persona. Ata dyshohet se kishin në shënjestër apartamente në pallate shumëkatëshe.
Njëri prej anëtarëve kontrollonte banesat dhe vendoste shenja në dyer për të kuptuar nëse ishin të banuara. Pasi përzgjidhnin objektivat, anëtarët e grupit përdornin metoda të ndryshme për hapjen e bravave dhe vidhnin sende me vlerë.
Ky grup vepronte kryesisht në orët e mëngjesit dhe, sipas hetuesve, mund të kryente deri në dy ose tre grabitje brenda një dite. Dy persona hynin në ndërtesë, ndërsa i treti qëndronte jashtë dhe kontrollonte lëvizjet në zonë.
Hetimet kanë zbardhur grabitje në Tres Cantos, Rivas-Vaciamadrid, Arganda del Rey dhe Valdemoro.
120 grabitje të zbardhura gjatë vitit
Me këto dy operacione, numri i grupeve kriminale të specializuara në grabitjet e banesave të shpërbëra nga Guardia Civil gjatë vitit 2026 ka shkuar në shtatë.
Në total, operacionet kanë çuar në arrestimin e 26 personave dhe në zbardhjen e rreth 120 veprave penale. Hetimet ndaj grupeve që veprojnë në mënyrë itinerante mbeten një nga prioritetet e autoriteteve spanjolle, veçanërisht gjatë periudhave kur rriten grabitjet në zonat rezidenciale.

