Lajme Zone
Goditja e parave të krimit, Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar nënshkruajnë marrëveshjen e parë në rajon për ndarjen e pasurive
BotëTop Channel

Goditja e parave të krimit, Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar nënshkruajnë marrëveshjen e parë në rajon për ndarjen e pasurive

Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë nënshkruar një marrëveshje historike për Ndarjen e Pasurive pas përfundimit të një çështjeje të lidhur me drogën dhe rikuperimin e fondeve.

Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë nënshkruar një marrëveshje historike për Ndarjen e Pasurive pas përfundimit të një çështjeje të lidhur me drogën dhe rikuperimin e fondeve. Kjo shënon marrëveshjen e parë të këtij lloji në rajon dhe vendos një precedent të ri për bashkëpunimin ndërkombëtar në rikuperimin e pasurive dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Marrëveshja vjen pas një çështjeje penale të përfunduar për komplot për furnizimin me kanabis të grupeve të krimit të organizuar në juridiksionin e Anglisë dhe Uellsit. Pas përpjekjeve për rikuperimin e pasurive nga autoritetet britanike dhe shqiptare që punuan së bashku, të ardhurat nga krimi u identifikuan dhe u rikuperuan me sukses në Shqipëri.

Sipas marrëveshjes, të ardhurat e rikuperuara nga kjo çështje do të ndahen në mënyrë të barabartë midis dy vendeve, duke u dhënë një mesazh të qartë kriminelëve se autoritetet britanike dhe shqiptare do të ndjekin të ardhurat e krimit të organizuar dhe do të punojnë përtej kufijve. Marrëveshja hap rrugën që pasuritë e sekuestruara të riinvestohen për të mirën sociale në të dy vendet.

Marrëveshja u miratua në një ceremoni zyrtare në Tiranë më 13 korrik, ku mori pjesë Ambasadori i Madhërisë së Tij në Shqipëri, Nicholas Abbott dhe Risena Xhajën, Kryeadministratore e AAPSK-së. Ajo është rezultat i muajve të bashkëpunimit të ngushtë midis autoriteteve britanike dhe shqiptare të zbatimit të ligjit dhe gjyqësorit, të mbështetur nga Ministria e Brendshme, Agjencia Kombëtare e Krimit, Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara e Shqipërisë. Top Channel