Gjyqtari i GJKKO-së, Engert Pëllumbi, ka folur në Komisionin e Ligjeve për çështjen e pagave të gjyqtarëve dhe zbatimin e formulës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Gjyqtari theksoi se, sistemi i drejtësisë duhet të funksionojë në mënyrë të integruar dhe se institucionet nuk mund të trajtohen si struktura të shkëputura nga njëra-tjetra.
Më tej, gjyqtari renditi tre situata që lidhen me pagesën e gjyqtarëve: mundësinë që ata të mbeten pa paga, pagesën sipas një ligji të shfuqizuar dhe pagesën sipas formulës së krijuar nga Gjykata Kushtetuese për pagat e prapambetura.
Sipas tij, dy alternativat e para nuk mund të zbatohen. Ai u ndal edhe te ligji për sistemin buxhetor, i cili, sipas tij, nuk lejon që mungesa e fondeve të përdoret si argument për moszbatimin e detyrimeve ligjore. “Sistemi ynë i të drejtës është sistem harmonik. Nuk janë parcela të veçanta, duhet të merren njëri me tjetrin, nuk i bie njëri gozhdës tjetri patkoit.
Kemi tre situata. Situata e parë është që gjyqtarët ngelen pa paga. Situata e dytë të paguhen me një ligj të shfuqizuar. Situata e tretë, të paguhen me formulën që ka krijuar Gjykata Kushtetuese për të prapambeturat.
E para është absurde nuk mund të mos paguhen, e dyta është e pazbatueshme. Zbatohet e treta sepse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar formulën për të prapambeturat neni 138.
Ka një ligj për miratimin e sistemit buxhetor që përcakon nëpunësi i autorizuar nuk mund të kërkojë se s’ka fonde. Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese shkoi me formulën e vjetër se nuk kishte fonde. Gjykata Kushtetuese e sqaroi pozicionin e saj tha se fakti që erdha në këtë formulë është për shkak të sistemit buxhetor”, tha gjyqtari Engert Pëllumbi. / CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

