Lajme Zone
“Gjykatat në kolaps, e nisët sesionin me shkelje!”/ Bardhi e Tabaku përplasen me Peleshin: Kuvendi po trajtohet si pronë private, zbatoni Kushtetutën
PolitikëBalkanWeb

“Gjykatat në kolaps, e nisët sesionin me shkelje!”/ Bardhi e Tabaku përplasen me Peleshin: Kuvendi po trajtohet si pronë private, zbatoni Kushtetutën

Përplasje të ashpra kanë shoqëruar mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve në prag të rinisjes së sesionit të ri parlamentar, ku opozita ka denoncuar kolapsin e sistemit të drejtësisë dhe shkeljen e njëanshme të normave kushtetuese nga shumica parlamentare.

Përplasje të ashpra kanë shoqëruar mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve në prag të rinisjes së sesionit të ri parlamentar, ku opozita ka denoncuar kolapsin e sistemit të drejtësisë dhe shkeljen e njëanshme të normave kushtetuese nga shumica parlamentare. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i është drejtuar me tone mjaft të ashpra Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, duke e bërë drejtpërdrejt përgjegjës për bllokimin e punës në gjykata dhe mospagimin e gjyqtarëve. Bardhi nënvizoi se Kuvendi po refuzon qëllimisht të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe dritën e gjelbër të dhënë nga vetë Këshilli i Legjislacionit për rregullimin e pagave, duke e çuar sistemin e drejtësisë drejt krizës së plotë. “Ju jeni kryetari i Kuvendit i vetmi në histori që konsideroni më të rëndësishëm zbatimin e një akti qeveritar sesa Kushtetutën. Në hierarkinë e normave ju nuk vendosni Kushtetutën e Shqipërisë, por urdhrat e Këshillit të Ministrave. E mbyllët sesionin e kaluar duke shkelur Kushtetutën, tani po e nisni sërish me shkelje kushtetuese,” deklaroi Bardhi përballë Peleshit. Nga ana e saj, deputetja Jorida Tabaku akuzoi mazhorancën për mungesë serioziteti me procesin e integrimit evropian dhe për transformimin e parlamentit në një sipërmarrje private të pushtetit. Tabaku kërkoi transparencë të plotë dhe ndarjen me opozitën të paketës së ligjeve që lidhen me BE-në, ndërsa paralajmëroi ekzekutivin të heqë dorë nga vendimmarrjet e njëanshme në reformat kyçe. “Nuk mund ta trajtoni Kuvendin si pronë. Nuk mund të ketë reformë territoriale të njëanshme dhe as reformë zgjedhore të njëanshme, përndryshe ky kuvend nuk mund të quhet më kuvend i shqiptarëve,” nënvizoi Tabaku, duke kërkuar që integrimi të mos përdoret më si mburojë propagandistike. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb