Lajme Zone
Gjykata rrëzon arrestimet e Policisë: Lirohen 27 protestuesit e ndaluar në Tiranë
PolitikëJOQ Albania

Gjykata rrëzon arrestimet e Policisë: Lirohen 27 protestuesit e ndaluar në Tiranë

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë rrëzoi të enjten, më 22 tetor, thuajse të gjitha kërkesat e Prokurorisë për vlerësimin e ligjshëm të ndalimit të protestuesve dhe për caktimin e masave të sigurimit personal ndaj tyre.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë rrëzoi të enjten, më 22 tetor, thuajse të gjitha kërkesat e Prokurorisë për vlerësimin e ligjshëm të ndalimit të protestuesve dhe për caktimin e masave të sigurimit personal ndaj tyre.

Gjatë ditës së enjte u zhvilluan tre seanca të ndryshme gjyqësore lidhur me kërkesat e organit të akuzës për vleftësimin e arrestimeve të 27 personave të ndaluar gjatë protestave. Prokuroria kërkoi ligjërimin e arrestimit të tyre për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, si dhe në 13 raste për “Shkatërrim të pronës”.

Megjithatë, gjyqtaret Marçela Shehu dhe Yrfet Shkreli çmuan se 22 prej të ndaluarve, mes të cilëve gjashtë të mitur, janë arrestuar në mënyrë të paligjshme nga Policia e Shtetit. Trupi gjykues urdhëroi lirimin e menjëhershëm të të 27 protestuesve, përfshirë edhe ata ndalimi i të cilëve u vlerësua i ligjshëm, me kusht që të mos mbahen në paraburgim për ndonjë vepër tjetër penale. Për 6 prej tyre, gjykata caktoi masën e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur”.

Cilësia e ndalimeve të kryera nga forcat e rendit u vu në pikëpyetje edhe nga mbrojtja ligjore. Një prej avokatëve deklaroi për mediat se i mbrojturi prej tij u ndalua pa pasur asnjë lidhje me tubimin. "I mbrojturi prej meje nuk ka pasur lidhje me protestën. Ka qenë duke kaluar. S'ka pasur gjë me vete. Policia ka ndjekur protestuesit dhe në një vend ku ngushtohej rruga i ka kapur të gjithë çfarë ka gjetur," – u shpreh avokati. Prej datës 13 tetor, Tirana është përfshirë nga një valë e fuqishme përplasjesh mes protestuesve dhe forcave të rendit, pas përshkallëzimit të demonstratave të studentëve dhe nxënësve kundër qeverisë. Të rinjtë po protestojnë kundër korrupsionit, kostos së lartë të jetesës, mungesës së perspektivës ekonomike dhe kushteve të arsimit, ndërsa kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama.

Ndërsa Policia e Shtetit ka raportuar për efektivë të plagosur dhe dëmtime të institucioneve shtetërore, organizatat e të drejtave të njeriut dhe përfaqësuesit e medias kanë ngritur shqetësime serioze lidhur me proporcionalitetin e forcës së përdorur nga policia ndaj qytetarëve.