Ermal Beqiri nuk doli nga burgu në Francë, por deklarata e tij përpara gjykatës së Amiensit të premten, më 23 tetor, tërhoqi vëmendjen. I dyshuar në Shqipëri për përfshirje në një rrjet që dyshohet se manipulonte tenderat publikë të AKSHI-t, biznesmeni shqiptar e zhvendosi fokusin te shteti, duke vënë në pikëpyetje përgjegjësinë e institucioneve, shkruan media franceze CourrierPicard.fr.
“Nëse kam korruptuar dikë, është shteti. Por nga ajo anë, askush nuk është në burg. Ka ende një problem. Kjo çështje është thjesht politike”, deklaroi Beqiri përpara gjykatës franceze.
Por cili ishte mesazhi që synonte të përcillte me këto fjalë? Përmes kësaj deklarate, Beqiri duket se vë në pikëpyetje nëse përgjegjësia për korrupsionin po shtrihet edhe te aktorët e tjerë të përfshirë, ndërsa pretendon se procedimi ndaj tij ka prapavijë politike.
Edhe avokati i tij, Nicolas Paganelli, kritikoi dokumentet e paraqitura nga autoritetet shqiptare, duke vënë në pikëpyetje garancitë e dhëna për trajtimin e klientit të tij në rast ekstradimi.
Nga ana tjetër, prokuroria në Amiens mbështeti ekstradimin, duke argumentuar se gjykata nuk duhet ta kthejë shqyrtimin e kërkesës në një vlerësim të përgjithshëm të sistemit gjyqësor shqiptar.
Autoritetet shqiptare kanë dërguar dokumente shtesë në Francë, përfshirë garanci nga Ministria e Drejtësisë, SPAK dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Gjykata kishte kërkuar informacione të mëtejshme që në gusht.
Beqiri u arrestua në fund të korrikut në Francë, pasi fluturoi me avionin e tij mbi centralin bërthamor të Penly-t. Ai do të qëndrojë në paraburgim deri në vijimin e procedurës, ndërsa drejtësia franceze pritet të vendosë për kërkesën e ekstradimit në Shqipëri. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

