Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e Fatime Kryemadhit, e cila kishte ankimuar vendimin e ndërmjetëm të GJKKO-së të 15 qershorit, me të cilin nuk u pranua tërheqja e saj nga gjykimi i shkurtuar. Vendimi u mor këtë të martë nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë. Fatime Kryemadhi është e pandehur në një fraksion të dosjes hetimore që lidhet me çështjen “Meta-Kryemadhi”. SPAK e akuzon atë për pastrim parash, duke pretenduar se një pjesë e fondeve të përdorura për blerjen e pasurive dhe shlyerjen e kredive nuk justifikohen me burime të ligjshme. Sipas organit të akuzës, në këtë procedim janë përfshirë edhe Pirro Xhixho dhe Ema Çoku. Më 15 qershor, gjatë procesit në GJKKO, Fatime Kryemadhi kërkoi të tërhiqej nga gjykimi i shkurtuar dhe çështja të shqyrtohej me procedurë të zakonshme. Kërkesa u rrëzua nga gjykata, me argumentin se procedura e gjykimit të shkurtuar ishte pranuar më herët dhe nuk kishte bazë ligjore për ndryshimin e saj në atë fazë të procesit. Me vendimin e sotëm, edhe Gjykata e Lartë la në fuqi këtë qëndrim.
