Dardan Hoxhaj, 31 vjeç, i cili kishte hyrë ilegalisht në Britani dhe ishte dënuar më parë me tre vite burg për një skemë të trafikut të narkotikëve me vlerë rreth 750 mijë paund, ka arritur të shmangë dëbimin nga vendi për arsye humanitare. Hoxhaj ishte dëbuar nga Britania në vitin 2018, por më pas ishte rikthyer ilegalisht në vend.
Gjatë procedurave gjyqësore, mbrojtja argumentoi se dëbimi i tij do të përbënte një masë “jashtëzakonisht të ashpër” për bashkëshorten, e cila vuan nga PTSD komplekse, ankth dhe depresion i rëndë, pas përvojës së saj si viktimë e trafikimit. Sipas provave të paraqitura në gjykatë, Hoxhaj ishte bërë mbështetja kryesore e saj në jetën e përditshme, duke u kujdesur për punët e shtëpisë dhe duke krijuar një ambient të qetë e të sigurt për të parandaluar sulmet e panikut dhe krizat e traumës.
Pas shqyrtimit të raporteve mjekësore dhe dëshmive mbi gjendjen e saj të brishtë psikologjike, gjykata britanike pranoi se prania e Hoxhajt në banesë ishte e rëndësishme për stabilitetin mendor të bashkëshortes. Gjykatësi vlerësoi se ndarja e çiftit dhe dëbimi i tij do të mund të shkaktonin pasoja të rënda në shëndetin e gruas dhe, përfundimisht, anuloi urdhrin e dëbimit për arsye humanitare.

