Lajme Zone
Gjurmë 5 mijëvjeçare në fshatin Orenjë, zbulimi i ri arkeologjik në Librazhd
Të tjeraEuronews Albania

Gjurmë 5 mijëvjeçare në fshatin Orenjë, zbulimi i ri arkeologjik në Librazhd

Në fshatin Orenjë të Librazhdit, kërkimet arkeologjike po sjellin të dhëna të reja për historinë e hershme të Shqipërisë. Në fortifikimin prehistorik të njohur si Qyteza e Orenjës janë zbuluar gjurmë që lidhen me periudhën e Bronzit të Hershëm, ndërsa vetë fortifikimi i përket Bronzit të Vonë.

Në fshatin Orenjë të Librazhdit, kërkimet arkeologjike po sjellin të dhëna të reja për historinë e hershme të Shqipërisë. Në fortifikimin prehistorik të njohur si Qyteza e Orenjës janë zbuluar gjurmë që lidhen me periudhën e Bronzit të Hershëm, ndërsa vetë fortifikimi i përket Bronzit të Vonë. “Ky sit këtu është shumë i veçantë për shkak të datimit. Në anën shkencore, ky sit i takon periudhës së bronzit të vonë si sit i ndërtuar me fortifikimin, por materiali që na ka dhënë na çon edhe më tej, pra drejt periudhës së bronzit të hershëm”, është shprehur Ervin Kujtila, Kërkues Shkencor në Arkeologji. Ajo që e bën veçanërisht të rëndësishëm zbulimin është sasia e materialit qeramik që lidhet me Bronzit e Hershëm. Sipas arkeologëve, në Orenjë janë gjetur shumë më tepër fragmente të kësaj periudhe krahasuar me dy fortifikime të tjera në Shqipëri ku janë evidentuar gjurmë të ngjashme. “Në të gjithë territorin e Shqipërisë kemi vetëm dy fortifikime që mendohet që i takojnë periudhës së bronzit të hershëm: në Ganjoll të Shkodrës dhe në Kukum të Himarës, ku aty janë gjetur pothuajse 2-3 fragmente të vogla qeramike. Kurse këtu, qeramika që i takon periudhës së bronzit të hershëm është gjetur me shumicë”, ka theksuar Kujtila. Gjatë kërkimeve janë mbledhur buzë dhe funde enësh, vegjë dhe fragmente të tjera qeramike. Materialet do t’i nënshtrohen analizave në Institutin e Arkeologjisë për të përcaktuar tipologjinë, përdorimin dhe datimin e tyre. “I gjithë materiali qeramik që është gjetur, që i përket buzë ene, funde ene, vegjë enës e të tjerë do të analizohet më pas në Institutin e Arkeologjisë për të parë tipologjinë, ngjyrën e të tjerë e të tjerë, për se ka shërbyer çdo analizë që bëjmë ne pas përfundimit të gërmimit”, tha ai. Analizat pritet të japin përgjigje më të sakta për periudhën e banimit dhe karakteristikat e komunitetit që mund të ketë jetuar këtu rreth 5 mijë vjet më parë. Për arkeologët, rezultatet mund ta vendosin Orenjën në një pozicion të rëndësishëm në studimin e vendbanimeve dhe fortifikimeve prehistorike në Shqipëri.