Lajme Zone
Gjormi në protestë, banorët: Qeveria na ka braktisur, prej vitesh pa rrugë e ujë të pijshëm
PolitikëSyri

Gjormi në protestë, banorët: Qeveria na ka braktisur, prej vitesh pa rrugë e ujë të pijshëm

Mungesa e infrastrukturës dhe e ujit të pijshëm ka nxjerrë në protestë banorët e fshatit Gjorm në Kurbin. Banorët u mblodhën në qendër të fshatit, duke shprehur indinjatën ndaj pushtetit vendor dhe atij qendror, të cilët, sipas tyre, i kanë lënë prej vitesh në harresë dhe nuk kanë ndërmarrë investimet e nevojshme për përmirësimin e kushteve të jetesës.

Mungesa e infrastrukturës dhe e ujit të pijshëm ka nxjerrë në protestë banorët e fshatit Gjorm në Kurbin. Banorët u mblodhën në qendër të fshatit, duke shprehur indinjatën ndaj pushtetit vendor dhe atij qendror, të cilët, sipas tyre, i kanë lënë prej vitesh në harresë dhe nuk kanë ndërmarrë investimet e nevojshme për përmirësimin e kushteve të jetesës. Një nga shqetësimet kryesore të banorëve është gjendja e rënduar e rrugës rreth 2 kilometra që lidh fshatin Gjorm me autostradën Milot–Thumanë dhe aksin nacional Laç–Mamurras. Sipas tyre, degradimi i këtij aksi rrugor ka vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e përditshme, duke krijuar probleme për banorët, automjetet dhe veçanërisht për transportin në rastet kur nevojiten shërbime të ndryshme.Lexo edhe:Eklipsi i Diellit në Europë vë Spanjën në fokus/ Spektakli i rrallë shihet edhe në Shqipëri Krahas infrastrukturës rrugore, banorët kanë ngritur shqetësimin e mungesës së ujit të pijshëm. Ata thonë se janë të detyruar ta blejnë ujin ose të udhëtojnë disa kilometra për ta siguruar në burime jashtë fshatit. “Prej vitesh përballemi me të njëjtat probleme. Rruga është në gjendje të degraduar dhe uji i pijshëm mungon. Për të siguruar ujë, banorët detyrohen ta blejnë ose të shkojnë në burime disa kilometra larg”, shprehen banorët. Një tjetër problem i përsëritur është përmbytja e zonës gjatë reshjeve të shiut. Banorët shprehen se mungojnë ndërhyrjet e nevojshme për sistemimin e ujërave dhe parandalimin e përmbytjeve, duke bërë që situata të rëndohet sa herë ka reshje të dendura. Shqetësim i veçantë është edhe ura mbi kanalin e ujërave të larta, e cila, sipas banorëve, nuk ka mbrojtëse anësore. Kjo situatë, veçanërisht për shkak të kalimit të fëmijëve në këtë zonë, shihet si një rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e tyre. Në mbështetje të banorëve në protestë ishte edhe deputeti i Partisë Demokratike, Kastriot Piroli, së bashku me këshilltarët opozitarë të Bashkisë Kurbin, Albert Ndoci dhe Safedin Lika. Përfaqësuesit opozitarë kërkuan ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për zgjidhjen e problematikave të ngritura nga banorët. Në fshatin Gjorm jetojnë më shumë se 250 familje, të cilat, sipas banorëve, përballen prej vitesh me mungesën e investimeve në infrastrukturë dhe shërbimet bazë. Banorët kërkojnë që institucionet vendore dhe qendrore të marrin masa konkrete për rikonstruksionin e rrugës, sigurimin e ujit të pijshëm, ndërhyrjen për parandalimin e përmbytjeve dhe vendosjen e barrierave mbrojtëse në urë, me qëllim garantimin e sigurisë së banorëve dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në Gjorm.