Gjykata e Posaçme vendosi që gjyqi ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit të vijojë edhe pa praninë e avokatëve. Vendimi erdhi pasi, përveç avokatëve të zgjedhur nga të pandehurit, të cilët nuk marrin pjesë për shkak të bojkotit, edhe dy avokatet e caktuara përmes ndihmës juridike falas refuzuan thirrjen e gjykatës. Njëra prej tyre argumentoi se nuk merrte pjesë për shkak të bojkotit, ndërsa tjetra pretendoi se nuk bëhej fjalë për një rast kur mund të ofrohej ndihma juridike falas. Gjykata i vlerësoi të pabazuara kërkesat e të katër avokatëve për të mos përfaqësuar Metën dhe Kryemadhin. Për dy avokatët e zgjedhur nga të pandehurit vendosi gjobë prej 20 mijë lekësh, ndërsa për dy avokatet e ndihmës juridike falas, gjobë prej 5 mijë lekësh. Seanca e radhës u caktua më 29 tetor, në orën 11:00, ndërsa ndaj Ilir Metës u pezulluan afatet e paraburgimit. Në seancë nuk u paraqitën as prokurorët e çështjes, ndërsa SPAK-u u përfaqësua nga prokurori Vladimir Mara. Në një deklaratë të shkurtër, Ilir Meta tha se ishte i gatshëm të mbrohej edhe vetë, duke e cilësuar situatën si një lojë për zvarritjen e procesit. Meta tha se në ambientet e gjykatës kishte takuar edhe kryetarin e Dhomës së Avokatisë, të cilit i kishte kërkuar një zgjidhje. Sipas tij, kryetari i kishte thënë se atë ditë kishte një takim për situatën në Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ). Meta pretendoi gjithashtu se prokuroria mungonte qëllimisht në seancë dhe se ishte dërguar një prokuror tjetër për të bërë të mundur pezullimin e afateve të paraburgimit. Shtyhet seanca për ish presidentin Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, çfarë deklaruan avokatët e tyre

