Lajme Zone
PolitikëShqiptarja
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

GJKKO nuk tërhiqet nga rregullorja censuruese, i përgjigjet avokatëve: Zbatojeni, ose ndiqni rrugët ligjore! Haxhia: Përshkallëzojmë bojkotin (DOKUMENTI)


Dy javë pas bojkotit të avokatëve, Gjykata e Posaçme i është përgjigjur kërkesave të Dhomës së Avokatisë, duke këmbëngulur në zbatimin e rregullores që ndalon përdorimin e pajisjeve elektronike në sallën e gjyqit. Por përgjigjja e GJKKO-së nuk ka mbyllur përplasjen. Dhoma e Avokatisë paralajmëron se bojkoti do të vijojë dhe se protesta mund të përshkallëzohet.

Gjykatës së Posaçme iu deshën 15 ditë kohë për t’i kthyer përgjigje kërkesave zyrtare të Dhomës së Avokatisë lidhur me Rregulloren e Re, që përcakton kufizime dhe për mbrojtësit ligjorë. GJKKO-ja nuk ka bërë asnjë hap pas, dhe këmbëngul se ndalimi I përdorimit të telefonave celularë në sallën e gjyqit nuk përbën asnjë pengesë për avokatët, duke theksuar se është një masë e cila përfshin të gjitha palët në gjyq dhe se ajo është tashme në fuqi “Në rast se Dhoma e Avokatisë vijon ta kontestojë këtë rregullim, ajo ka në dispozicion rrugët ligjore përkatëse për ta kundërshtuar atë përpara organeve kompetente; ndërkohë, kontestimi nuk e pezullon efektin juridik të Rregullores dhe nuk mund të shërbejë si shkak për mospjesëmarrje në seancat gjyqësore”, thuhet në deklaratë. Kjo përgjigje që mban datën 16 shtator u publikua në rrjetet sociale nga Gjykata, ndërsa kreu i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë Maksim Haxhia, thotë se nuk e kanë marrë ende zyrtarisht përgjigjen. LEXO EDHE:GJKKO nuk tërhiqet nga rregullorja censuruese, Haxhia: Qëndrim i turpshëm, përshkallëzojmë bojkotin Prej më shumë se një jave avokatët kanë bojkotuar seancat në GJKKO. Kryetari në detyrë i kësaj gjykate, Erion Bani, gjatë seancës së sotme në procesin ndaj ish presidentit Ilir Meta, paralajmëroi me gjobë avokatin, në rast se do të vijonte zbatimin e bojkotit “Vendimet e Këshillit të përgjithshëm të dhomës së avokatisë janë të detyrueshme dhe në qoftë se do bëhet dhe ky hap, tregon dhe njëherë natyrën e asaj Rregulloreje”, thotë Maksim Haxhia. GJKKO argumenton se nevojat e mbrojtjes mund të përmbushen përmes laptopit, i cili lejohet në sallë dhe mund të përdoret për dosjen elektronike, aktet, provat,. Por Dhoma e Avokatisë e sheh ndryshe ndalimin e përdorimit të telefonit celular dhe sjell si argument praktikën sipas tij të 50 vendeve “Këtu nuk po flitet për privilegj, këtu nuk po flitet për për të prishur seancën. Standarti europian dhe unë mund t’ju listoj një listë të të gjithë shteteve të Europës, ku lejohet. Kështu që, një ndalesë e tillë, është në vazhdën e diskriminimit dhe të mungesës së respektit që buron në moskuptimin e rëndësisë të mbrojtjes”, vijon Haxhia. Kreu i Dhomës së Avokatisë thotë se ata kanë gjetur dhe mirëkuptimin e klientëve të tyre në këtë përballje me GJKKO-në. Të hënën, Këshilli Drejtues pritet të vendosë për hapat e mëtejshëm, me mundësinë e përshkallëzimit të protestës deri te bojkotimi edhe i masave të sigurisë. GJKKO thotë se avokatët duhet të ndjekin rrugën ligjore nëse duan të kundërshtojnë rregulloren. Por Haxhia e ka një përgjigje të qartë dhe për këtë. “Nuk ma japin ata mua të drejtën për ta ndjekur në rrugën gjyqësore, as komunitetit tim që unë drejtoj. Sepse rrugën gjyqësore e dimë ne dhe e dimë dhe më mirë se ata. Ne po vajtëm, do shkojmë në Gjykatën kushtetuese, sepse jemi institucion i rregulluar me Kushtetutë. Kjo rregullore bie ndesh me kushtetutën e Shqipërisë, me Konventën europiane e të drejtave të njeriut në gjashtë, bie ndesh me praktikën e Gjykatës europiane të drejtave të njeriut për raste të tilla. Bie ndesh me Konventën e Këshillit të Europës për mbrojtjen e profesionit të avokatit. Bie ndesh edhe me Kodin e procedurës penale”, përfn Haxhia. Edhe gazetarët në shenjë kundërshtie ndaj kësaj rregulloreje, që përveç kamerave, i ndaloi edhe futjen në seancë me celular, i vetmi mjet pune për të përcjellë informacionin në kohë reale për qytetarët, nuk janë akredituar në GJKKO. Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë Rendit zhvillimet sipas orarit: Të Fundit Të Parat Ora 15:27 GJKKO nuk tërhiqet nga rregullorja censuruese, Haxhia: Qëndrim i turpshëm, përshkallëzojmë bojkotin Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk tërhiqet nga vendimi për të ndaluar mbajtjen e telefonave celularë gjatë seancave. Ajo thotë se nuk pengohet puna e avokatëve të cilët sipas saj duhet të ndërpresin bojkotin dhe të kërkojnë rrugë ligjore për të kundërshtuar Rregulloren. Por Kryetari i Dhomës së Avokatëve të Shqipërisë, Maksim Haxhia, në një reagim për Report TV e ka konsideruar të turpshëm qëndrimin e Gjykatës Ai paralajmëroi përshkallëzim të protestes , duke përfshirë edhe bojkotin e masave të sigurisë, nëse nuk ka tërheqje nga rregullorja.Më poshtë intervista e plotë Pyetje: Gjykata e Posaçme ju ka kthyer një përgjigje në lidhje me ankesën tuaj për përdorimin e celularëve në seancat gjyqësore, për të cilën keni marrë edhe masa drastike, siç është bojkotimi i seancave. A ju duket normale që një përgjigje e tillë të vijë pas dy javësh?Përgjigje: E para, dua të bëj me dije dhe të sqaroj se ne nuk kemi marrë një përgjigje zyrtare. Përgjigjja së cilës ju i referoheni ka të bëjë me një publikim në portale, Instagram, Facebook apo në faqen e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Por Dhomës së Avokatisë, në mënyrë zyrtare, nuk i është përcjellë dhe nuk i është vënë në dispozicion asnjë shkresë.Ne i jemi drejtuar zyrtarisht kryetarit të institucionit, pasi ai përfaqëson institucionin, duke i kërkuar që kjo rregullore të rishikohet, gjithmonë me mirëkuptim dhe bashkëpunim ndërinstitucional, për të mirën dhe mbarëvajtjen e proceseve.E dyta, natyrisht, kjo tregon edhe një herë një qëndrim që i kalon kufijtë e indiferencës dhe të mosrespektit ndaj një trupe kaq të rëndësishme. Roli i avokatit nuk është i rëndësishëm vetëm nga pikëpamja e palëve në proces, por është i përcaktuar dhe garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, nga konventa e fundit e Këshillit të Europës për mbrojtjen e profesionit të avokatit, si dhe nga Kodi i Procedurës Penale.Prandaj, që në fillim kjo çështje duhej të ishte vlerësuar me seriozitet dhe në frymën e bashkëpunimit, për të garantuar mbarëvajtjen e procesit.Pyetje: Të paktën në atë shkresë, që ju thoni se nuk ju ka ardhur zyrtarisht, sugjerohet që të ndiqni rrugën ligjore dhe se bojkoti nuk është rruga që duhet ndjekur. Edhe sot, gjatë një seance, kryetari i Gjykatës, Erjon Bani, i bëri me dije njërit prej avokatëve të pranishëm në sallë se bojkotet nuk do të tolerohen më...Përgjigje: Po e para e punës, kushdo, përfshirë edhe titullarin e asaj gjykate, duhet ta dijë dhe ta ketë të qartë se Avokatia e Shqipërisë, ashtu si në të gjithë botën e sotme, është një komunitet i lirë, i pavarur, i vetëdrejtuar dhe i vetadministruar. Të drejtën dhe sugjerimet i vlerësojmë, por ne nuk marrim leje për t'iu drejtuar gjykatës apo ndonjë institucioni tjetër.Ne funksionojmë sipas ligjit tonë, sipas statutit dhe Kodit të Etikës. Aty thuhet shprehimisht në kompetencat e strukturave se Këshilli i Përgjithshëm është organi më i lartë i Dhomës së Avokatisë dhe vendimet e tij janë të detyrueshme.Kjo rregullore ishte pika që derdhi gotën e të gjithë trajtimeve që i bëhet avokatisë në Shqipëri, duke filluar që nga KLGJ-ja, me një komunikim mosrespekti. Tjetër gjë i kërkon, tjetër gjë të thotë. Ne i kemi kërkuar KLGJ-së të ulemi dhe të diskutojmë të gjitha problematikat, jo vetëm këtë rregullore, por të gjitha problemet që ekzistojnë sot në gjyqësorin shqiptar. Megjithatë, kjo është zgjedhja dhe problemi i tyre.Ne po ua bëjmë me dije edhe një herë se vendimet e Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë janë të detyrueshme. Nëse do të ndërmerret edhe ky hap, kjo tregon edhe një herë natyrën e asaj rregulloreje.Nuk mund të gjobitet avokati, që ka përparësinë e institucionet që e ushqen, i cili është i detyruar të zbatojë vendimet e Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës. Bojkoti është vendosur unanimisht nga ky Këshill dhe për këtë vendim nuk merret miratimi i asnjë institucioni tjetër. Prandaj, avokatia është një komunitet i lirë, i vetëdrejtuar, i vetadministruar dhe me kompetenca të plotaPyetje: A mund të penalizohen nga ky bojkot të pandehurit që janë në proces dhe a mund t’u pezullohen afatet e paraburgimit?Përgjigje: Së pari, ky bojkot dhe ky qëndrim i joni është në dobi dhe në interes të të gjithë klientëve që ne përfaqësojmë, sepse janë për interesat e tyre ne mbajmë këtë qëndrim. Duke qenë se neve na pengohet ushtrimi i profesionit sipas standardeve europiane, në cilësinë e mbrojtjes nëpërmjet një procesi të rregullt , klienti është i dëmtuari i parë. Ne jemi të dëmtuarit e dytë, profesionalisht, sepse cenohemi nga kjo rregullore dhe nga ky trajtim.Pyetje: A keni pasur probleme me klientët për shkak të bojkotit?Përgjigje: Absolutisht jo. Përkundrazi, kemi mbështetjen e të gjithë klientëve, të cilët thonë: “Vazhdoni derisa të na respektohen të drejtat”.Pyetje: Nga GJKKO, me sa duket, nuk ka asnjë tërheqje dhe as ulje në bisedime, siç e keni kërkuar ju.Përgjigje: Jo vetëm që nuk ka tërheqje. Para se të miratohej kjo rregullore, do të kishte qenë normale dhe etike që, në emër të bashkëpunimit dhe seriozitetit të funksionimit të shtetit shqiptar në këtë sektor, në këtë shtyllë që është pushteti gjyqësor, të uleshim dhe të diskutonim problematikat.Sepse dua t’ju bëj me dije që, kur nxjerr një rregullore, duhet të nisesh nga një terren konfliktesh apo problemesh konkrete. Problemi i shqetësimit në seancave gjyqësore apo i cenimit të rregullit dhe solemnitetit të tyre nga ana e avokatëve nuk ka qenë asnjëherë.Edhe sikur të ishte, ne sot nuk kemi asnjë kërkesë nga Gjykata e Posaçme ndaj ndonjë avokati që ka prishur rendin apo solemnitetin e seancës. Ne kemi Komitetin Disiplinor dhe mund të marrim masa deri në heqjen e licencës.Nga ana tjetër, këtë çështje e ka rregulluar vetë Kodi i Procedurës Penale, në nenet 339, 340 dhe 341 ku thotë : Përgjegjës për mbarëvajtjen, solemnitetin dhe mirëfunksionimin e seancës është kryetari i seancës. Në rast të shkeljeve, fillimisht bëhet paralajmërimi dhe tërhiqet vërejtja, më pas mund të vendoset gjobë dhe, në fund, personi mund të nxirret nga seanca.Asnjë nga këto dispozita nuk është cenuar. Ata i kanë kapërcyer këto parashikime duke miratuar një rregullore që është një nonsens juridik. Kush e njeh hierarkinë e normave e di se nuk mundesh që, me një rregullore, të dalësh kundër një dispozite, dy dispozitave apo kundër Kodit të Procedurës Penale, i cili është një akt më i lartë se ligji.Pyetje: Të paktën në përgjigjen që ne kemi lexuar u bë me dije që juve ju lejohen laptopët. A është një lehtësim për ju pra mbajtja e laptopëve dhe a duhet patjetër celulari? Sipas tyre, celulari nuk është i nevojshëm në proces kur ke një laptop?Përgjigje: E kuptoj. Unë e kam thënë edhe më përpara që celulari është një studio lëvizëse, një studio operative, ku ti operon në mënyrë më të shpejtë në proces. Disa nga KLGJ-ja edhe e kanë ironizuar këtë, se aq kuptojnë çfarë do të thotë studio në botën e sotme, ku ka dixhitalizim, ku ti me një klik merr informacione të jashtëzakonshme. Është absurde që të pengosh qoftë celularin, qoftë laptopin, qoftë edhe portalet.Më absurdja është që, vetë Këshilli i Lartë Gjyqësor ka iniciuar tani një program, “Euro...”, më fal, “Euroteksa”, “Inteksa”, nuk e di si e ka, që po subvencionohet nga Bashkimi Europian, që çdo avokat të mos studiojë më dosjet, të mos vijë të marrë volumet, por t’i ketë të gjitha këtu. Atëherë, unë kur s’i kam këtu, si mund të shkoj në sallë?E para. E dyta, edhe për laptopët ai thotë në rregull, që do të jenë të kontrolluar dhe kur ta vlerësojë gjykata. Kur ta vlerësojë gjykata, në këtë aspekt, kjo është një pengesë. Domethënë, është: ta jap dhe s’ta jap dhe, kur ta jap, do ta jap unë, jo kur e ke ti.Këtu nuk po flitet për privilegj. Këtu nuk po flitet për të prishur seancën. Standardi europian, dhe unë mund t’ju listoj një listë të shteteve të Europës, është që lejohet dhe thotë kështu: mbajtja e celularit në seancë lejohet, por nuk lejohet të komunikosh, të jetë me zile, domethënë duhet të jetë në silencio, nuk duhet të filmosh dhe nuk duhet të regjistrosh. Jemi absolutisht dakord me këto kufizime që janë bërë edhe deri tani. Për të tjerat, thotë se ç’janë në funksion të realizimit të mbrojtjes dhe është e detyrueshme ta mbash.Tani do më lejoni që t’ju referohem se cilat shtete e kanë. Një moment, atëherë, është një çikë e gjatë Keti. Këtu thotë: “Listë orientuese e shteteve ku avokatët mund të mbajnë telefonat, laptopët në sallën e gjykimit, me përdorim të kufizuar: të mos flasin, të mos jetë me zile, të mos filmojnë dhe të mos regjistrojnë.”Të gjitha shtetet e tjera e kanë të lejuar për realizimin e funksionit të mbrojtjes: Mbretëria e Bashkuar, Irlanda, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse ka 50 shtete, Holanda, Italia, Polonia, Lituania, Portugalia, Franca, Gjermania, Spanja, Belgjika, Austria, Danimarka, Suedia, Finlanda, Greqia, Kroacia, Sllovenia, Rumania, Bullgaria, Çekia, Sllovakia, Estonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Qipro.Këtë nuk e kam nxjerrë unë. Çdo njeri mund të futet në ChatGPT, të thotë “cilat janë shtetet” dhe e ke, në të qindtat e sekondës ta jep.Kështu që një ndalesë e tillë është në vazhdën e diskriminimit dhe të mungesës së respektit, që buron nga moskuptimi i rëndësisë së mbrojtjes. Mbrojtja nuk është pa qëllim. Mbrojtjen e hoqi Enveri. Po Enver Hoxha thoshte: “Nuk dua të ketë fare avokati” dhe e hoqi, dhe ishte shumë komunikues. E thoshte qartë. E thoshte qartë qëllimin e tij.Kurse këta e manipulojnë dhe atëherë nuk na ngelet gjë tjetër neve që ata të raportojnë që proceset janë bërë me avokatë, të çojnë portretet tona, t’i vendosin si në manekin dhe të bëjnë gjyqet. Dhe të bëjnë gjyqet.Këta duhet të kujtojnë dhe ta kenë vath në vesh që funksioni i mbrojtjes është sanksionuar me Kushtetutë. Është një funksion jo vetëm në Kushtetutë, por edhe në procedurë.Më bëtë edhe një pyetje lidhur me barazinë e palëve në proces. Nuk e di, sepse pak procese u bënë derisa morëm ne këtë vendim, por avokati i nderuar Matlija hyri në një proces. Ia hoqën, ndërkohë që ne s’kishim marrë akoma vendimin e Këshillit për bojkot, hyri në proces, ia hoqën celularin dhe këto mjetet elektronike dhe përballë kishte dy prokurorë të cilët kishin celular. Kupton? Pra, kjo është vetëm për diskriminimin e mbrojtjes. Ne nuk do ta lëmë.Pyetje: Tani, cilat janë rrugët që do të ndiqni?Përgjigje: Ditën e hënë kemi mbledhjen e Komitetit Drejtues të Dhomës, i cili do të marrë në analizë të gjithë situatën e deritanishme dhe do të vendosë, në ditët më të afërta, mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm. Ai është organi më i lartë në strukturën e Dhomës së Avokatisë dhe aty pastaj do të vendoset: do të hiqet, do të vazhdohet apo do të radikalizohet.Pyetje: Radikalizim në ç’kuptim? Deri ku mund të shkojë?Përgjigje: Deri tani, me sa shoh, sepse jemi në rrjet të gjithë, po prevalon propozimi që të abandonohen edhe masat e sigurisë. Unë personalisht nuk jam për një gjë të tillë, sepse ne nuk duam që të bëhemi shkaktarë që sistemi të futet në amulli dhe në një gjendje kaotike. Megjithëse nuk jemi ne shkaktarët, nuk duhet të bëhemi si këta.Ne jemi gjithmonë të hapur, të komunikueshëm dhe kërkojmë përsëri, i bëjmë thirrje, dhe po ia bëj thirrjen edhe publikisht Këshillit të Lartë Gjyqësor, të vijë. Ne kemi kërkuar përsëri dhe sot i kemi nisur një email, ku kërkojmë të ulemi për të gjitha problemet. E para.E dyta, i kërkojmë përsëri, i kërkoj personalisht kryetarit dhe kryesisë së kësaj gjykate, ta rishikojë këtë rregullore me këto kufizime, siç janë standardet europiane.I kërkojmë Kuvendit të Shqipërisë, Komisionit të Ligjeve, të ndërhyjë për këtë. I kërkojmë edhe Presidentit të Republikës, sepse Presidenti i Republikës ka një situatë tani që të tregojë se është aktiv. Presidenti i Republikës është kryetar i shtetit shqiptar, kryetar i atij shteti që mbështetet në tre shtylla: pushtetin legjislativ, pushtetin ekzekutiv dhe pushtetin gjyqësor, dhe të mos rrijë spektator.Pavarësisht se i kanë dhënë më tepër se ç’duhet liri dhe “independencë” – po përdor fjalën shqipe, pavarësi – KLGJ-së, KLGJ-ja duhet të bëhet e përgjegjshme dhe të mos niset nga fakti se cenohet autoriteti i gjyqësorit apo i gjyqtarëve.Jo, nuk ka rëndësi në sistem nëse cenohet ky gjyqtar apo ky avokat. Në sistem ka rëndësi mirëfunksionimi, në kohën më të shpejtë, në raportin më cilësor dhe në zgjidhjen e problemeve që kanë individët, qoftë në gjykatën civile, administrative apo penale.Pyetje: Përveç bojkotit, keni ndonjë rrugë tjetër ligjore, siç ju parashikohet?Përgjigje: Ne po flasim tani. Shiko, nuk është thjesht kjo çështje këtu. Siç e thashë që në fillim, kjo rregullore ishte pika që derdhi kupën. Pra, ne natyrisht po presim njëherë këto. Kemi edhe rrugën gjyqësore.Por ka edhe qëndrime abuzive dhe injoruese kur thonë: “Keni të drejtën ta ndiqni në rrugë gjyqësore”. Nuk ma japin mua ata të drejtën për ta ndjekur në rrugë gjyqësore, as komunitetit tim që unë drejtoj. Sepse rrugën gjyqësore e dimë ne dhe e dimë edhe më mirë se ata.Ne nuk duam të vemi, sepse po vajtëm në rrugën gjyqësore, nuk vemi në Gjykatën Administrative që ta çojnë ata në kalendat greke. Ne, po vajtëm, do të vemi në Gjykatën Kushtetuese, sepse jemi institucion i rregulluar me Kushtetutë.Kjo rregullore bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë, me nenin 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, bie ndesh me praktikën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut për raste të tilla, bie ndesh me Konventën e Këshillit të Europës për mbrojtjen e profesionit të avokatit. Bie ndesh edhe me Kodin e Procedurës Penale. U.D/Shqiptarja.com Share Ora 10:19 Shtyhet seanca për dosjen ‘Meta’/ Erion Bani paralajmëron avokatët: Nëse nuk vini në gjyq, do gjobiteni Është shtyrë për në datën 24 shtator, seanca gjyqësore për ish-Presidentin Ilir Meta dhe ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi. Megjithëse Meta dhe Kryemadhi kërkuan ta zhvillonin procesin pa praninë e avokatëve, mungesa e një anëtari të trupit gjykues, Rudina Palloj, bëri që seanca të shtyhej.Edhe pse ishin të pranishëm në sallë, avokatët e Metës dhe Kryemadhit u ulën në pjesën e publikut dhe i bënë me dije gjykatës se ishin në bojkot, në zbatim të vendimit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.Kryetari i trupit gjykues Erjon Bani paralajmëroi avokatin e Metës Bujar Musta, se në rast se në seancën e radhës nuk do paraqitën avokatët do nisë aplikimi i gjobave.Gjykata nuk i dha fjalën të pandehurit Meta edhe pse ai e kërkoi disa herë. Pas daljes së trupit gjykues, Meta tha se nuk i ishin vënë në dispozicion 77 fashikuj të dosjes, por vetëm 55 prej tyre.“Ç’ është kjo gjykatë i jep fjalën prokurorit dhe nuk i jep të pandehurit. Ky prokuror na ka dhënë 55 fashikuj, na mungojnë mbi 70, mungojnë faqe etj, ai është për burg”, tha Meta.-------------------------------Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë Xh.K/Shqiptarja.com Share SI.E./E.H/Shqiptarja.com TAG: dhoma e avokatise maks haxhia GJKKO rregullorja e GJKKO Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 5.0 / 5 (1 vlerësim) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:

16 Shtator, 14:18

Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni? Të drejtë 5.9% Të gabuar 89% Nuk e di 5% Vota total: 2462 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 16 Shtator, 14:18 Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni?