Lajme Zone
PolitikëABC News Albania

“Gjërat Tona”/ Kur krimi thyen heshtjen. Tre të penduarit dhe 27 ngjarjet kriminale të dosjes “Plumbi i Artë”


Në botën e krimit, heshtja është një prej rregullave më të rëndësishme. Një kod i pashkruar, që ruan sekretet, mbron bashkëpunëtorët dhe shpeshherë e bën pothuajse të pamundur zbulimin e së vërtetës.

Në botën e krimit, heshtja është një prej rregullave më të rëndësishme. Një kod i pashkruar, që ruan sekretet, mbron bashkëpunëtorët dhe shpeshherë e bën pothuajse të pamundur zbulimin e së vërtetës.

Por çfarë ndodh kur ky kod thyhet?

Kur njerëzit që dikur kanë qenë pjesë e të njëjtave rrjete kriminale vendosin të flasin? Kur ata që kanë njohur nga afër porositësit, ndërmjetësit dhe ekzekutorët, bëhen burimi kryesor i informacionit për hetuesit? Në Shqipëri, një prej dosjeve që tronditi botën kriminale dhe vuri në lëvizje Prokurorinë e Posaçme ishte ajo e njohur si “Plumbi i Artë”.

Një hetim që nxori në dritë një rrjet të ndërlikuar marrëdhëniesh kriminale, ku vrasjet me pagesë, hakmarrja, konfliktet mes grupeve dhe planet për eliminimin e kundërshtarëve ndërthureshin në një zinxhir ngjarjesh që shtrihej në disa qytete të vendit.

Në qendër të kësaj dosjeje nuk ishin vetëm viktimat dhe personat e dyshuar për ekzekutimet. Ishin edhe tre personazhe që vendosën të bashkëpunonin me drejtësinë: Nuredin Dumani, Erjon Alibej dhe Skerdi Tase.

Tre persona me histori dhe pozicione të ndryshme në botën kriminale, por me një të përbashkët. Vendimin për të rrëfyer atë që dinin.

Dëshmitë e tyre ndihmuan hetuesit të rindërtonin 27 ngjarje kriminale, të identifikonin lidhje mes personave të dyshuar si porositës dhe ekzekutorë dhe të rikthenin në vëmendje disa prej vrasjeve më të rënda të viteve të fundit.

Nga vrasja e Emiljano Ramazanit te ajo e Bujar Çelës. Nga masakra e Bradasheshit te ekzekutimi i vëllezërve Haxhia. Nga atentatet e realizuara te planet që nuk arritën të përfnin.

Por dëshmitë e tyre nuk ishin thjeshtë rrëfime për ngjarje të së kaluarës. Ato hapën një dritare drejt mënyrës se si funksiononte një pjesë e botës kriminale. Si merreshin porositë, si siguroheshin armët dhe automjetet, si gjendeshin objektivat dhe si organizoheshin ekzekutimet.

Sot, pas gati 4 vitesh hetime dhe procesi gjyqësor, dosja “Plumbi i Artë” ka hyrë në një tjetër fazë. SPAK ka paraqitur pretencën për 15 të pandehurit, duke kërkuar dënime që në total llogariten në 292 vite burg.

Por një tjetër detaj e bën edhe më të veçantë fatin e tre bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Për Nuredin Dumanin, SPAK ka kërkuar 10 vite burg, për Erjon Alibejn 15 vite dhe për Skerdi Tasen 13 vite. Duke llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim, nëse këto kërkesa pranohen nga gjykata dhe dënimet marrin formë të prerë, për tre të penduarit mundësia e lirimit mund të jetë shumë më pranë nga sa duket.

Por dalja nga burgu nuk do të thotë domosdoshmërisht rikthim në jetën e mëparshme. Statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë u njeh mundësinë e përfshirjes në programin e posaçëm të mbrojtjes së dëshmitarëve, ku, në varësi të vlerësimit të rrezikut dhe masave të miratuara, mund të përfitojnë identitet të ri, dokumente të reja dhe zhvendosje në një vend tjetër, larg Shqipërisë. Një jetë e re, nën një identitet tjetër, si pjesë e mbrojtjes që shteti u garanton atyre që kanë bashkëpunuar me drejtësinë.

Në dosjen “Plumbi i Artë” fillimisht ishin 2 të penduar, Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj. Ky i fundit fillimisht bashkëpunoi me hetuesit, por më pas humbi statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, pasi u konstatua se kishte dhënë informacione të pavërteta. Më pas, statusi i bashkëpunëtorit iu dha Erjon Alibejt dhe Skerdi Tases. Sot, Henrik Hoxhaj ndodhet në anën tjetër të kësaj historie. Për të, SPAK ka kërkuar dënimin më të rëndë mes 15 të pandehurve, 35 vite burg. Nga një bashkëpunëtor i drejtësisë, në një prej personave për të cilët prokuroria kërkon dënimin maksimal në këtë dosje.

Por historia e kësaj dosjeje nuk mund të kuptohet vetëm përmes viteve të kërkuara nga Prokuroria. Ajo duhet parë përmes tre rrëfimeve.

Kush janë tre njerëzit që vendosën të flasin? Çfarë treguan për vrasjet, atentatet dhe konfliktet e botës kriminale? Cilat prej dëshmive të tyre u mbështetën nga prova të tjera dhe cilat mbeten ende objekt debati në sallën e gjyqit? Dhe mbi të gjitha, sa larg mund të shkojë drejtësia kur dëshmitarët e saj kanë qenë dikur vetë pjesë e botës që po përpiqet të zbërthejë?

Janë 3 të penduar, që duket se janë krejt të ndryshëm nga njëri-tjetri. I pari ishte Nuredin Dumani, i penduari qe hapi historinë, Erjon Alibej që rrëfeu edhe dimensionin më njerëzor dhe konfliktual, ndërsa Skerdi Tase më i drejtpërdrejtë mbi mekanizmin e atentateve.

Kjo është historia e tre bashkëpunëtorëve të drejtësisë dhe dosjes që u njoh me emrin “Plumbi i Artë”.

NUREDIN DUMANI – RRËFIMI QË HAPI DOSJEN

Nuredin Dumani, një emër i njohur për autoritetet dhe i dyshuar për përfshirje në një sërë vrasjesh e atentatesh, përfn në prangat e Policisë. Ai ishte plagosur pak më herët, në një ngjarje që lidhej me konfliktin e tij me persona të tjerë të botës kriminale.

Por arrestimi nuk do të ishte fundi i historisë. Përkundrazi, do të ishte fillimi i një kapitulli të ri. Nga pozicioni i të dyshuarit dhe personit që kërkohej për ngjarje të rënda, Dumani vendos të bashkëpunojë me drejtësinë.

Rrëfimet e tij do të çonin hetuesit drejt emrave, lidhjeve dhe ngjarjeve që deri atëherë kishin mbetur të pazbardhura. Ai foli për porosi vrasjesh, për pagesa, për takime dhe për njerëz që, sipas tij, qëndronin pas ekzekutimeve.

Në dëshmitë e tij u përmendën emra të njohur të botës kriminale, mes tyre Talo Çela, Ervis Martinaj dhe Suel Çela. Një prej ngjarjeve, për të cilat foli, ishte vrasja e Emiljano Ramazanit në Elbasan, në korrik të vitit 2020. Po kështu, ai dha deklarime për vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës dhe për ngjarje të tjera të rënda. Por një nga rrëfimet që tërhoqi vëmendje të veçantë ishte ai për një plan të mundshëm eliminimi të Endrit Dokles.

Sipas deklarimeve të Dumanit, Ervis Martinaj i kishte ofruar një shumë të konsiderueshme parash për këtë vrasje. Në versionin e publikuar në kuadër të dosjes, bëhej fjalë për 500 mijë euro. Dumani pretendonte se nuk e kishte marrë përsipër ekzekutimin, pasi e konsideronte objektivin shumë të vështirë.

Kështu, nga një dëshmi në tjetrën, hetuesit nisën të rindërtonin një hartë marrëdhëniesh kriminale, ku një vrasje shpesh lidhej me një konflikt tjetër dhe një emër çonte te një tjetër. Por sa mund të mbështetej një hetim kaq i madh te rrëfimi i një personi që vetë akuzohej për krime të rënda? SPAK duhej të verifikonte deklarimet, të gjente prova mbështetëse dhe të rindërtonte mekanizmin e secilës ngjarje. Dëshmia e Dumanit do të bëhej një prej shtyllave kryesore të dosjes “Plumbi i Artë”.

Nuredin Dumani ishte i aftë të bënte gjithçka, sidomos të vriste.

Madje këtë ai e kishte kthyer në biznes. Një biznes gjaku, nga i cili për vite me radhë përfitoi miliona. Ai mund të konsiderohet tashmë si vrasësi serial i dekadës së fundit. Jo pa qëllim policia e kodoi me emrin “Plumbi i artë”, operacionin e vitit 2022. Dumani ishte nisur për të kryer një vrasje në Elbasan, kur ra pre e një atentati ku mbeti edhe i plagosur. Pas arrestimit të tij dhe bashkëpunimit me prokurorinë, SPAK lëshoi 32 urdhra arresti ku u vunë në pranga 20 persona dhe u shpallën në kërkim 12 të tjerë. Mes personave të shpallur në kërkim janë edhe emra të njohur si, Ervis Martinaj, Talo Çela e Suel Çela.

Dosja ndaj 20 personave të marrë të pandehur pas dëshmisë së Nuredin Dumanit më 29 janar 2024 kaloi për gjykim. Kjo ishte çështja më voluminoze në Prokurorinë e Posaçme pasi pjesë e saj janë disa procedime penale, për 27 ngjarje kriminale mes të cilave vrasje, grabitje me armë, vendosje tritoli, trafik të lëndëve narkotike deri tek dhuna në familje.

Vrasje të kryera gjatë një dekade, të mbetura pa autor, u zbardhën nga vetë vrasësi me pagesë që u kthye në të penduar. Krimet që me gjasë mund të mos zbardheshin edhe për dekada të tjera, tashmë kanë emra porositësish, organizatorësh dhe vrasësish që janë gjykuar dhe pritet të dënohen. Ishte vetë killeri Nuredin Dumani, i arrestuar në Fier marsin e vitit 2022, ai që, ndoshta i detyruar nga rrethanat zgjodhi të tregojë gjithçka.

Emri i Nuredin Dumanit doli në skenë më 9 tetor të vitit 2020, kohë kur u shpall në kërkim për vrasje. Policia njoftonte në atë kohë se, strukturat hetimore të Policisë së Elbasanit, nën drejtimin e Prokurorisë, 20 ditë pas vrasjes së Bujar Çelës, vëllait të të shumëkërkuarit Talo Çela, kishin identifikuar autorin. Bëhej fjalë për Nuredin Dumanin, në atë kohë 37 vjeç, lindur në Dibër e banues në Durrës, ndaj të cilit ishte vendosur masa e sigurisë “arrest me burg” në mungesë, me akuzën e “vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim.

Arratia e tij mori fund në mars të vitit 2022, kur teksa po tentonte të kryente një tjetër vrasje, mbeti vetë i plagosur. Tani, kur po bëhen 5 vite nga momenti i arrestimit, Gjykata e Posaçme është njohur me pretencën e Prokurorisë për të pandehurit e dosjes bazë që mori emrin nga operacioni “Plumbi i Artë”.

Për të Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 10 vite burg, që duke llogaritur kohën e paraburgimit, mund të qëndrojë edhe shumë pak kohë pas hekurave.

Por duket se dosja “Plumbi i artë”, mund të jetë vetëm maja e ajsbergut. Pas arrestimit, të paktën edhe në tri dosje të tjera që janë bërë tashmë publike, emri i Nuredin Dumanit del në skenë sërish si vrasës i kontraktuar.

Në dosjen “Metamorfoza” zbulohet plani për të vrarë Dorian Dulin, të cilin Behar Bajri ishte gati të paguante shifra të mëdha. Për këtë ishte kontraktuar edhe Nuredin Dumani që në këmbim kërkonte informacion për Talo Çelën. Por krimi nuk u realizua.

Po ashtu, emri i Dumanit u përmend edhe në operacionin e nëntorit të vitit 2023. Komunikimet në “SKY ECC” të mbërritura nga autoritet franceze dhe belge, përveçse çuan në zbulimin e një grupi që kryente trafik lëndësh narkotike, hodhën drite edhe rreth disa planeve për ekzekutime.

Grup dyshohej se po planifikonte vrasjen e kundërshtarëve, në periudha të ndryshme mes vitit 2019 – 2021, në Shqipëri dhe Angli, konkretisht dy vëllezër shqiptarë. Një nga të akuzuarit e kësaj dosje, Bujar Ajeti, që është një personazh me precedentë të mëparshëm kriminal, ka komunikime për plane vrasjesh edhe me Nuredin Dumanin.

Ndërkohë, Dumani del edhe tek dosja tjetër e SPAK, që goditi klanin e vëllezërve Çopja në Elbasan. Të tre vëllezërit Çopja, Hajdari, Ervini dhe Franci janë përmendur në dëshminë e dhënë në SPAK nga Nuredin Dumani, i cili i identifikon si financues, për vrasjen e Arjan Spahiut në Belgjikë, ekzekutimin e trefishtë në Bradashesh dhe planet për të vrarë Erion Alibejn. Po ashtu, edhe vetë Erion Alibej pas arrestimit i ka akuzuar si personat që kanë vrarë njerëzit e tij të afërt.

E duket se asgjë nuk përfn me kaq. E madje jo vetëm në Shqipëri. Më 19 janar 2024, Dumani është marrë në pyetje nga edhe nga dy hetues italianë të Antimafias. Ka dyshime se Dumani ka informacione edhe për krime që kanë ndodhur në vende të tjera përveç Shqipërisë. Agjentët e Antimafias italiane e pyetën Dumanin për të dhëna me interes lidhur me disa episode mes tyre edhe për trafik lëndësh narkotike, por edhe vepra të tjera penale.

Pa diskutim, Nuredin Dumani, është një nga të penduarit më të rëndësishëm që ka pasur ndonjëherë drejtësia shqiptare. Një njeri që ka kryer vrasje për llogari të krimit të organizuar. Që ka ekspozuar disa nga njerëzit më të rëndësishëm të krimit, me të cilët ka komunikuar vetë, apo nëpërmjet të tjerëve.

Një njeri që edhe sot, në dosjet më të fundit të SPAK, emri i tij del i lidhur edhe më grupe të tjera kriminale nga më të rrezikshmet, jo vetëm në Shqipëri. Një njeri që zbuloi skutat më të errëta të krimit dhe lidhjet e tij me Policinë e sistemin e drejtësisë.

Por Dumani nuk ishte i vetmi që vendosi të fliste. Një tjetër personazh i botës kriminale do të sillte një perspektivë tjetër në këtë hetim. Jo thjesht atë të një njeriu që pretendonte se njihte porositësit dhe ekzekutorët, por të një personi që kishte përjetuar nga afër një prej tragjedive më të rënda familjare të Elbasanit. Ai ishte Erjon Alibej.

ERJON ALIBEJ – NGA HAKMARRJA TE BASHKËPUNIMI

Nëse dëshmia e Nuredin Dumanit e ndihmoi SPAK-un të kuptonte mekanizmin e disa vrasjeve me pagesë, rrëfimi i Erjon Alibejt solli një tjetër dimension të kësaj bote. Historia e tij lidhet me një prej ngjarjeve më të rënda kriminale të ndodhura në Elbasan.

Më 29 dhjetor 2018, në zonën e Bradasheshit, një atentat i përgjakshëm mori jetën e tre personave, mes tyre Endrit Alibej, vëllait të Erjonit, Arben Dylgjerit dhe një shtetasi turk. Për Erjon Alibejn, kjo ngjarje do të shënonte një pikë kthese.

Në dëshminë e dhënë para gjykatës, ai tregoi se pas vrasjes së familjarëve kishte humbur besimin te institucionet dhe kishte nisur të mblidhte vetë informacione për personat që dyshonte se kishin lidhje me atentatin. Ai përshkroi mënyrën se si kërkonte të identifikonte njerëzit që mund të qëndronin pas ngjarjes, duke grumbulluar fotografi dhe të dhëna për lëvizjet e tyre.

Madje, në sallën e gjyqit deklaroi se kishte pasur akses në sistemin TIMS përmes një punonjësi policie. Një pretendim serioz, që ngriti pikëpyetje edhe për mundësinë e rrjedhjes së informacionit nga brenda strukturave shtetërore.

Por rrëfimi i Alibejt nuk u ndal vetëm te masakra e Bradasheshit. Ai foli për marrëdhëniet me personazhe të njohur të botës kriminale, për konfliktet në Elbasan dhe për lidhjet që, sipas tij, kishin çuar në një zinxhir hakmarrjesh dhe eliminimesh.

Këtu historia merr një tjetër drejtim. Njeriu që pretendonte se kishte kërkuar vetë autorët e vrasjes së familjarëve, u bë tashmë një prej bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Ai vendosi të rrëfente atë që dinte për botën ku vetë kishte vepruar.

Dhe këtu lind një nga dilemat më të rëndësishme të kësaj dosjeje. Ku përfn historia e një njeriu që kërkon drejtësi për familjen e tij dhe ku fillon përgjegjësia e tij për veprimtarinë kriminale?

Sepse dëshmia e një të penduari nuk e fshin të kaluarën e tij. Ajo krijon një mundësi për të zbuluar krime, por njëkohësisht duhet të përballet me verifikimin dhe kundërshtimin në gjykatë.

Lufta për territor, influencë e pushtet, orienton krimin drejt përdorimit të armëve. Shpesh përdor intrigat për të dominuar qytetin dhe për të pasur linja të sigurta, duke eliminuar kundërshtarët. Në ndonjë rast zgjedh si mashë një tjetër grup të etur për hakmarrje, që të nxjerrë nga skena ata që konsideron rivalë dhe terreni t’i mbetet vetëm atij. Një histori, që në botën e krimit të organizuar konsiderohet si pabesia më e madhe, siç është rasti i “humbjes” së një sasi droge, jo rrallë ndodh të shkaktojë dhjetëra viktima.

E vërtetë ose jo, duket se kjo nuk ka më rëndësi, për aq kohë sa pas një vrasje, hallka të tëra zinxhiri pasojë njëra-tjetrën, duke lënë pas skena krimi që për shumë kohë mbeten të pazbardhura. Ndodh të vriten edhe të pafajshëm, por kjo për ata që janë në anën e kundërt të ligjit konsiderohet thjeshtë një dëm kolateral dhe asgjë nuk ka rëndësi përderisa objektivi është arritur.

Dhe gjithmonë humbet më i dobëti, ai që ka më pak përvojë. Duket se kjo ka ndodhur edhe në Elbasan. Një qytet i vogël për të prodhuar kaq shumë kriminalitet. Dy organizata dhe dy grupe kriminale. Por tashmë gjithçka po zbërthehet. Sa nga mesazhet në platformën SKY, sa nga bashkëpunëtorët e drejtësisë. Por edhe kjo ka një diferencë tjetër. Një vrasës me pagesë që kthehet në të penduar është një armë e fortë në duart e drejtësisë. Ai di shumë, por jo aq shumë sa mund të dijë vetë ai që e ka paguar.

Erion Alibej është një nga ata që ka paguar vrasës për të marrë hakun e të vëllait dhe për disa javë është rrëfyer në cilësinë e bashkëpunëtorit në Gjykatën e Posaçme.

Seancë pas seance, Alibej ka treguar gjithçka ka bërë vetë por edhe çdo bisedë me persona të tjerë, që e orientuan drejt atyre që i vranë vëllain, Endrit Alibej në atë që njihet si “Masakra e Bradasheshit”. E po aq sa vrasja e vëllait, një tjetër peshë e rëndë për Erion Alibejn është përhapja me shpejtësi e një të pavërtete siç e quan ai, që është “humbja” e 50 kilogramëve kokainë në Angli. Një informacion që ai e dëgjoi nga Suel Çela, por që këmbëngul se nuk është i vërtetë.

E megjithatë, në një kohë kur shumë mistere ende mbeten të pazbardhura në një histori intrigash të thurura nga grupet kriminale, ka dhe një të vërtetë. Të katër grupet e Elbasanit u goditën nga SPAK dhe Policia. Çapjat, Çopjat, Alibej dhe Çelët. Por teksa drejtuesit dhe disa prej anëtarëve të këtyre grupeve kriminale janë në burg, vetëm Suel Çela vijon të jetë i lirë, ndonëse në arrati.

Mes dilemave të herë pas hershme se kush e organizoi vrasjen e trefishtë në Bradashesh, grupi Çopja apo Çela, Erion Alibej, në mesin e vitit 2025, ka vijuar rrëfimin e tij në gjykatë, duke dhënë detaje për çdo krim që ka porositur dhe çdo njeri që ka paguar për t’u hakmarrë. Teksa dëshmon, Alibej nxjerr Suel Çelën si njeri që e ka nxitur, ndoshta jo pa qëllim, që të ndodhte ajo që ndodhi. Me teorinë që kur zihen dy vetë, ndodh të përfitojë një i tretë.

Erion Alibej

Ardian Çollaku që sot është i ndjerë, ka qenë informatori im më i besuar te kundërshtarët e mi. Ai ishte kudo, nga siguria që ata kishin me shtet e deri te biseda të tjera. Çollaku ka pyetur Mikael Kamamin, pse e keni nisur këtë punë. Ai i kishte thënë që Endriti ishte i tmerrshëm. Nga Çollaku mora vesh për herë të parë kush ishte Dashnor Dumani. Edhe lidhjen me Nuredin Dumanin. Ai më tha që ata kishin bërë një grabitje në Elbasan. Gjithë emrat që merrja vesh i kontrolloja në TIMS. Nga Çopjat e të tjerë. Me hyrje-daljet e tyre. Në atë kohë përveç Franc Çopjas, i cili u largua pas atentatit, të gjithë të tjerët ishin në një ishull grek, ata kishin bërë hyrje dalje me të njëjtat makina. Në atë periudhë u fokusova të këta, jo se Suel Çelën e kisha harruar. Suel Çela nuk ka qenë në mënyrë direkte përgjegjës për çfarë ndodhi në familjen time, por në mënyrë indirekte po, duke yshtur, duke folur për atë 50 kg drogë. Por ne nuk kemi pasur nevojë për 50 kg drogë.

Me besimin e humbur tek Policia apo të gjitha autoritetet ligjzbatuese, Erion Alibej ka “hetuar” vetë për të zbuluar vrasësit e vëllait. Derisa në një moment është bindur. Ndonëse e kishte humbur besimin, ai sërish u vinte në dispozicion autoriteteve çdo informacion që gjente vetë me mënyrat e tij. Në rrëfimin e tij, Alibej thotë se të parët që ka informuar rreth autorëve të mundshëm të “masakrës së Bradasheshit”, kanë qenë Leonard Palushi, ish-shef Policie në Elbasan, i arrestuar në vitin 2022 për shpërdorim detyre, si dhe prokurori Ritvan Suka.

Erion Alibej

Në atë periudhë unë kisha humbur besimin edhe te autoritetet. Edhe vetëm mhesha të gjeja si kishte ndodhur vrasja, duke bërë vetë hetuesin për çdo gjë që ka ndodhur me familjen time dhe ia kam vënë në dispozicion shtetit. Të parit që ia kam vënë pasi u arrestova, ishte Leonard Palushi, të cilit i tregova kush ishin autorët. Pas kësaj, në paraburgim, me erdhi prokurori, për të cilin isha në burg. Prokurorit Ritvan Suka, ia kam thënë të gjitha, i kam thënë bashkojini çështjet se janë të njëjtët njerëz.

Bindjen se pas vrasjes së vëllait të tij ishin vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja, Erion Alibej duket se e krijoi pas takimit me Suel Çelën në Roterdam, konkretisht pasi pa një person, i cili nxitoi të largohej që të mos përballej me të. Gjatë rrëfimit të Alibejt, dalin në skenë edhe emrat e dy personave nga Shkodra. Genc Tafili dhe Dorian Duli, personazhe të njohur, të cilët në dosjen metamorfoza rezultonin të ishin në shënjestër të grupit Bajri për t’i eliminuar, bashkë me Ibrahim Licin.

Emra që në fakt dëshmojnë edhe një herë lidhjen që ekziston mes grupeve të Elbasanit dhe atyre të Shkodrës, madje siç del në vijim të rrëfimit të bashkëpunëtorit të drejtësisë edhe me persona të tjerë nga Fushë – Kruja. Një lloj aleance që është provuar edhe në raste të tjera të hetimeve të SPAK. Por në rastin konkret, duket se dy shkodranët, ishin thjeshtë pjesë e një skenari që synonte të çorientonte “hetimet” që po kryente vetë Erion Alibej.

Pas një odiseje të gjatë gjyqësore, më 5 nëntor 2026, SPAK shpalli pretencën për “Plumbin e Artë” dhe për Erjon Alibejn kërkoi 15 vite burg. Tashmë është në dorë të Gjykatës nëse do të miratojë atë që kërkoi Prokuroria apo do të vendosë një masë tjetër dënimi për te penduarin, që në fakt ishte edhe financues i disa prej krimeve të zbardhura në këtë dosje.

Dhe nëse Dumani dhe Alibej sollën para hetuesve njohuritë e tyre mbi rrjetet kriminale, personazhi i tretë do të sillte detaje edhe më konkrete për mënyrën se si realizoheshin atentatet. Ai ishte Skerdi Tase.

Një dëshmitar që në sallën e gjyqit do të tregonte jo vetëm për porositësit dhe pagesat, por edhe për armët, automjetet, pozicionet e ekzekutorëve dhe momentet e fundit përpara të shtënave.

SKERDI TASE – EKZEKUTORI QË TREGOI MEKANIZMIN

Në dosjen “Plumbi i Artë”, dëshmia e Skerdi Tases ka një veçori të rëndësishme. Ajo nuk përqendrohet vetëm te emrat e personave që dyshohet se porositën vrasjet. Tase ka rrëfyer edhe për mënyrën se si, sipas tij, organizoheshin dhe realizoheshin atentatet. Në sallën e gjyqit, ai foli për përgatitjen e ekzekutimeve, për armët, automjetet, pagesat dhe rolin që kishin personat e tjerë të përfshirë.

Dëshmitë e tij sollën një pamje më konkrete të mekanizmit të vrasjeve me pagesë. Nga përzgjedhja e objektivit te sigurimi i mjeteve, nga pagesa paraprake te përpjekjet për të zhdukur gjurmët pas krimit. Por dëshmia e Tases do të sillte edhe përplasje në sallën e gjyqit. Avokatët dhe të pandehurit e tjerë kanë pasur mundësinë të kundërshtojnë deklarimet e tij dhe të vënë në pikëpyetje besueshmërinë e rrëfimeve. Në një seancë të shtatorit 2025, Petrit Qoli e pyeti për një ngjarje tjetër të rëndë, vrasjen e ish-deputetit Fatmir Xhindi. Gjykata nuk e lejoi përgjigjen ndaj kësaj pyetjeje.

Kjo tregon se procesi nuk është vetëm një ekspozim i rrëfimeve të të penduarve. Është edhe përballja e këtyre rrëfimeve me mbrojtjen, me provat dhe me pyetjet që duhet të marrin përgjigje.

Më 15 korrik 2025 Skerdi Tase nisi rrëfimin e tij në Gjykatën e Posaçme, duke treguar krime, për të cilat kishin dëshmuar edhe Dumani, edhe Alibej. Por edhe ngjarje që u anashkaluan nga Henrik Hoxhaj, një tjetër personazh që u kthye në të penduar, por me pas e humbi statusin, ndoshta pikërisht për ato krime, për të cilat foli Skerdi Tase.

Gjatë rrëfimit të tij, Skerdi Tase ka treguar edhe për takimet që bënte me Henrik Hoxhajn. Madje edhe që ka qëlluar me armë në ajër disa herë në prezencë të tij. Ndërsa shpjegon se këtë e bënte pasi donte që ta shihte edhe atë duke qëlluar, për ta vënë në provë nëse ishte në gjendje të kryente vrasje.

Skerdi Tase

Henrik Hoxha qëndronte gjithmonë i armatosur. Pinim alkool me të, takoheshim shpesh. Disa herë mund të hapte dhe xhamin e makinës dhe qëllonte në ajër. E kam parë duke qëlluar. Unë nuk mbaj mend të qëlloja ndonjëherë në prezencë të tij. Henriku donte të më vinte në provë nëse jam i aftë të kryej vrasje para se të shkonim tek Agim Boriçi. Kishim rënë dakord që edhe Henriku, nëse do duhej, do ishte gati për të vrarë Aredin Beharin, edhe nëse do qëllonim nga makina në makinë.

Skerdi Tase tregon një nga episodet e vrasjes së Agim Boriçit, kur ai ishte në lokal duke pirë kafe bashkë me të vëllain, por pasi ka filluar të qëllojë i ka ngecur arma. Për këtë arsye, ishte Henrik Hoxhaj ai që qëlloi me pistoletë derisa i mbaruan fishekët. Megjithatë objektivi nuk u godit nga asnjë plumb.

Skerdi Tase

Gim Boriçin shkuam ta qëllonim tek spitali por nuk e gjetëm, ishte larguar. Në makinën e punës, “Reno Clio” kishim edhe armët. Ishim të pajisur dhe me maska si këto që përdor Policia. Pastaj shkuam tek shtëpia e tij. E pamë duke pirë kafe me vëllain. Tha Henriku: “Bëhu gati se qenkan të dy…” Ndaluam para lokalit. Fillova të qëlloj por më ngeci kallashi. Henriku gjuajti me një pistoletë derisa i mbaruan fishekët. Ata nuk i kapi asnjë fishek. Bashkëpunëtori i drejtësisë tregon se për vrasjen e Aredin Beharit do të merrnin 80 mijë euro, pasi kishin marrë fillimisht një kapar për armën. Por edhe në këtë ngjarje, që ka ndodhur në prill të vitit 2019, sërish i ka ngecur arma, kësaj here Henrik Hoxhajt dhe vrasja nuk është realizuar.

Skerdi Tase

Në vitin 2019 më kontaktoi serish Henriku që kishte marrë një tjetër punë, po për Aredin Beharin. I kishte marrë një kapar prej 4 mije eurosh për armët. Në total do të merrnim 80 mije euro. Pak a shumë ai bënte të njëjtat lëvizje që kishin qenë tek atentati i parë. Në muajin prill të vitit 2019, nga ora 9-10 e darkës, sa doli nga lokali e po shkonte për tek shtëpia, ishte në këmbë. Iu afruam me makinë. Kur Riku qëlloi, pas 3-4 plumbash Kallashi i ngeci. Henriku sërish më bëri fajtor mua: “Ku e gjete këtë Kallash që ngec kështu…” E dogjëm prapë makinën, bashkë me Kallashin dhe u larguam.

Skerdi Tase tregon se pasi dështoi atentati i dytë, ai është larguar dhe ka qëndruar disa muaj në Gjermani. Me Henrik Hoxhajn shpjegon se është takuar në vitin 2020, pasi ai kishte nisur kontaktet me Nuredin Dumanin. Pas këtij takim, Tase rrëfen se kanë nisur të diskutonin për vrasjen e vëllait të Talo Çelës.

Skerdi Tase

Pas atentatit të dytë ndaj Aredin Beharit, ika disa muaj në Gjermani. Me Henrikun u takova në vitin 2020 kur ky ishte vënë në kontakt dhe me Nuredin Dumanin. Henriku më tha: “I ke parë 4 vrasjet në Durrës? Kam marrë pjesë dhe unë. Pse ike, do kishe marrë ndonjë lekë?” Henriku ishte në merak se mund t’i dilte gjë për vrasjet, sidomos tek vëllezërit Haxhia, pasi mund t’i dilte gjurma e gjakut që kishte lënë në makinë. Më pas mora vesh që “kusho”, që Henriku i referohej, ishte Nuredin Dumani. Fillimisht mu ofrua të merrja pjesë në vrasjen e vëllait të Talo Çelës, Bujar Çelës. Morëm 5 mijë euro kapar, diku në një fshat të Peqinit. Na treguan makinën që lëvizte Bujar Çela, por ne nuk donim ta vrisnim, edhe kur e shikonim e anashkalonim. Nuredini e kuptoi pastaj.

Gjatë rrëfimit të tij, Erion Alibej në një formë hedh dyshimet e tij se mund të jetë shitur edhe nga vetë autoritetet shtetërore, të cilëve tregon se herë pas here u ka dhënë informacione për vendndodhjen e Talo Çelës, që në atë kohë ishte një nga personat më të kërkuar nga Policia. E megjithatë ai thotë që jo vetëm nuk u veprua për kapjen e tij, por gjithçka po i kthehej kundër. Nisën të vriteshin njerëzit e tij, madje edhe djali i dajës, Andi Zylyfi. Kjo ishte arsyeja pse Alibej, ndonëse ishte person në kërkim, u investua të siguria e tij, i bindur tashmë që do ishte radha e tij për t’u vrarë. Shpjegon se Suel Çela kontrollonte kamerat e gjithë qytetit, ndërsa vetë ai kishte akses në disa prej tyre. Por nga ana tjetër, lëvizte me motor si shpërndarës picash për të verifikuar terrenin, por edhe informacionet që i vinin, disa prej të cilave e çuan tek Emiljano Ramazani. Dhe sërish, edhe pse nuk kishte më besim tek drejtësia, edhe informacionet në lidhje me Emiljano Ramazanit, ai ia çoi Policisë dhe Prokurorisë.

Planet për vrasje vazhduan. Në listë ishte vëllai i Talo Çelës, Bujar Çela, Regis Runaj dhe Emiljano Ramazani. Ndërsa si informator shërbente Eljo Bitri dhe Xhulian Hoxha. Erion Alibej tregon se si u thur plani dhe çfarë synohej me eliminimin e tyre.

Në rrëfimin e tij, Erion Alibej shpjegon të gjitha detajet e ngjarjeve. Kush ka marrë pjesë, mjetet dhe armët e përdorura, sa para janë paguar dhe si janë dorëzuar paratë. Ndërkohë shpjegon edhe planin se si pas vrasjes së Emiljano Ramazanit, armën e krimit kishin vendosur ta linin tek shtëpia e Bujar Çelës, në mënyrë që grupet të përplaseshin me njëri-tjetrin.

Vrasja e Emiljano Ramazanit, është një tjetër ngjarje që në fakt është rrëfyer edhe nga Nuredin Dumani edhe nga Erion Alibej.

Më datë 20 Korrik 2020, rreth orës 16:00, në lagjen “28 Nëntori”, në Elbasan, në oborrin e një pallati u gjet i vrarë me armë zjarri Emiljano Ramazani. Ai ishte qëlluar për vdekje brenda makinës “Ford Focus”. Rreth orës 16:44 të po kësaj dite, në fshatin Vidhas, të Elbasanit, u gjet tërësisht i djegur automjeti “Volksëagen Passat”, ngjyrë blu dhe brenda tij janë gjetur 2 armë zjarri automatike pa fishekë.

SPAK, pasi ka kryer veprimet hetimore të çmuara të nevojshme ka dërguar për gjykim të pandehurit Erion Alibej, Euglen Halili dhe Xhuliano Hoxha, ndërsa ka vijuar hetimet në lidhje me zbulimin e bashkëpunëtorëve të tjerë.

Në kuadër të procedimit është administruar deklarimi i Henrik Hoxhajt, i cili jep detaje shumë të rëndësishme në lidhje me porositësin, ekzekutorin si dhe rolin e tij në kryerjen e këtij krimi. Hoxhaj deklaron se ai ka qenë në rolin e ndihmësit në kryerjen e këtij krimi, pasi drejtonte makinën që u gjet e djegur. Ndërsa identifikon ekzekutorin, që sipas tij është Skerdi Tasi, personi i cili afrohet tek automjeti dhe qëllon me armë zjarri Emiljano Ramazanin. Gjithashtu Henrik Hoxhaj shpjegon se këtë vrasje e ka bërë me pagesë pasi këtë ia ka kërkuar i dyshuari tjetër në krim, Nuredin Dumani.

Nga ana tjetër, për ngjarjen ka dhënë shpjegime edhe Nuredin Dumani, i cili ka shpjeguar se porosinë për vrasjen e Emiljano Ramazanit e kishte marrë nga Erion Alibej dhe Arjan Spahiu.

Edhe deklarimet e fundit që dha në seancë Skerdi Tase, përkojnë me dëshmitë e personave të tjerë, pjesë e dosjes “Plumbi i artë”.

Skerdi Tase

Pastaj vendosëm të merrnim pjesë tek vrasja e Emiljano Ramazanit, pasi për Bujar Çelën, teksa po e ruanim një herë na u identifikua makina “Passat”, që do përdornim. Nuredini e dëgjoi në radion e Policisë që u dha si targë e dyshimtë. Për Emiljano Ramazanin jepeshin 130 mijë euro. Këtë kohë shkonim përditë në Elbasan. Përdornim makina me qira. Makinën e atentatit e kishte siguruar Erion Alibej me Nuredin Dumanin. Kishim 4 armë, 2 Kallashë dhe 2 pistoleta. Ditën e ngjarjes jemi nisur herët për në Elbasan. Na vinin info nga Nuredini, është në palestër, është këtu, është atje. Në palestër s’na u duk e përshtatshme për ta vrarë dhe e lamë kur të vinte tek shtëpia. E pritëm tek pallati, sapo ai parkoi. Zbrita nga makina. Henriku ishte shofer. Iu afrova dhe e qëllova disa herë në kokë dhe në qafë me pistoletë. Dogjëm makinën dhe u larguam me makinën me qira, që kishim ardhur nga Tirana. I ramë nga Rrogozhina. Armën e krimit e lamë në një vend rrugës, që e dinte Nuredini, pasi do vendosej diku për të akuzuar një person tjetër. Kam marrë 23 mijë euro për vrasjen, edhe pse sipas muhabeteve na binte nga 60 mijë. Lekët i ka sjellë një grua. Klara quhej. Henriku më tha emrin e saj. Rreth orës 4:20, të mëngjesit, ndodh një shpërthim në banesën dy katëshe të Talo Çelës, në fshatin Katund i Ri të Bradasheshit. Lidhur me këtë çështje është administruar deklarimi i Nuredin Dumani dhënë për organin e akuzës më datë 15 prill 2022, i cili sqaron se:

Nuredin Dumani: Këtë ngjarje e kam organizuar unë për llogari të Arjan Spahisë. Fillimisht kam siguruar një sasi lënde plasëse prej rreth 5 kg. Lëndën plasëse e kam marrë të përgatitur me sa mbaj mend tek kushëriri i Elio Bitrit. Pasi sigurova lëndën plasëse kam biseduar me Henrik Hoxhajn, të cilit i kam ofruar 15 mijë euro që të bënte vendosjen e eksplozivit. Riku pranoi dhe di që e ka kryer vendosjen e eksplozivit së bashku me nipçen. Dumani ka shpjeguar se për ngjarjen ishin paguar 20 mijë euro nga Arjan Spahia. Në kohën që është vendosur eksplozivi ai ka qenë në Kosovë, por bisedonte me Henrik Hoxhajt përmes aplikacionit SKY. Nga deklarimi i Dumanit, duket se qëllimi i tyre ka qenë më serioz, pa çka se ndodhi vetëm një dëmtim i shtëpisë.

Nuredin Dumani: Faktikisht nga shpërthimi nuk u shemb e gjithë shtëpia. Riku me ka thënë se e kishte ngjitur eksplozivin në dy kolona të banesës së Talo Çelës. Riku më ka thënë se paratë i ka marrë nga i njëjti person që i kishte marrë edhe në rastin e vrasjes së Emiljano Ramazanit. Unë u nxeha me Rikun duke i kërkuar llogari se përse nuk e kishte kryer punën tamam dhe ai e pranoi gabimin. Këtë ngjarje e ka rrëfyer në Gjykatë edhe Skerdi Tase.

Skerdi Tase

Takohesha çdo ditë me Rikun. Morëm porosi nga Nuredini për të bërë atentatin me tritol në shtëpinë e Talo Çelës. Kishim shokë në Shëngjin dhe kur po ktheheshim nga andej do takonim në Fushë – Krujë një person, që quhej Besian Xhixha. Morëm 2 copa të mëdha me tritol tek rrethrrotullimi i Rinasit.

Ndërhyn i pandehuri Besian Xhixha: A më ka takuar mua?

Skerdi Tase: Jo, iu ka takuar Henrik Hoxha. Unë iu pashë nga makina në distancë.

Skerdi Tase

Morëm përsipër të vendosnim tritolin tek shtëpia e Talo Çelës. E solli Besian Xhixha nga Fushe – Kruja, 2 kg ndoshta, se ishte i ndarë në disa copa. Pas vrasjes se Emiljano Ramazanit mora telefon SKY. S’e mbaj mend pinin që kam pasur. Për tek shtëpia Talos na orientoi një person që i thërrasin “çami”, që na tregoi rrugën. I vura tek kolonat e katit të parë. Ideja ishte që duhej shembur shtëpia e Talo Çelës, por nuk ndodhi, pasi 2 kallëpet nuk plasën njëkohësisht. Ne e dinim nga Nuredini që në shtëpi nuk banonte njeri. Unë mora 3 mijë euro, pasi puna nuk u bë siç duhet.

Pjesën e parë të rrëfimit të tij, Skerdi Tase e ka mbyllur me porosinë që i kishte thënë Henrik Hoxhaj, për të vrarë, një mik të Arben Isufit, apo i njohur si “Ben Qimja”, në Fier.

Kjo ngjarje, por edhe të tjera vazhduan të shpjegohen me detaje në Gjykatën e Posaçme, nga i penduari i tretë i dosjes “Plumbi i artë”.

Pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë, Nuredin Dumani e mijëra bisedave në platformën SKY, rrëfimi i të penduarit tjetër Erion Alibej, hedh edhe më shumë dritë rreth lidhjeve të oficerëve të Policisë me grupet kriminale. Shërbimet që ata u kanë dhënë në këmbim të shpërblimeve monetare. Madje në ndonjë rast, duke u renditur krah krimit të organizuar, si pjesë e strukturave të tyre.

Ndërsa Skerdi Tase, i kontraktuar në rolin e ekzekutorin, me dëshminë e tij duket se plotëson tablonë kriminale, të disa prej ngjarjeve më të rënda të ndodhura vitet e fundit.

Pas urdhëruesve, financuesve, ndërmjetësuesve dhe atyre që siguronin mjetet, duket se “Plumbi i artë”, mund të përmbyllet me rrëfimet e një vrasësi që vazhdimisht i ngecte arma. Një i pandehur, për të cilin SPAK kërkon të dënohet me 13 vjet heqje lirie.

NJË DOSJE – 27 NGJARJE KRIMINALE

Tre të penduar, dhjetëra orë rrëfime dhe një hetim që do të shndërrohej në një prej dosjeve më të rëndësishme të Prokurorisë së Posaçme. Përmes dëshmive të tyre, hetuesit arritën të rindërtonin 27 ngjarje kriminale, të ndodhura në periudha dhe qytete të ndryshme të vendit.

Por rëndësia e kësaj dosjeje nuk qëndron vetëm te numri i ngjarjeve të zbardhura. Ajo që doli në pah ishte mënyra se si funksiononin marrëdhëniet brenda grupeve kriminale. Kush merrte përsipër porositë, kush siguronte njerëzit dhe mjetet, kush kryente atentatet dhe kush përpiqej të zhdukte gjurmët.

Në disa raste, rrëfimet e të penduarve sollën emra të rinj në hetim. Në të tjera, ndihmuan në rindërtimin e ngjarjeve që kishin mbetur pa autorë të identifikuar. Por pikërisht këtu nis edhe një prej sfidave më të mëdha për drejtësinë.

Një i penduar mund të japë informacion që askush tjetër nuk e disponon. Mund të tregojë për një takim të fshehtë, për një porosi vrasjeje apo për një pagesë që nuk është dokumentuar në asnjë mënyrë tjetër. Por ai është njëkohësisht edhe person që mund të ketë interes të përfitojë nga bashkëpunimi me drejtësinë.

Prandaj, çdo deklarim është kontrolluar, është ballafaquar me prova dhe është testuar përmes pyetjeve të mbrojtjes.

Më 5 nëntor 2026, SPAK paraqiti pretencën për 15 të pandehurit e kësaj dosjeje. Për tre bashkëpunëtorët e drejtësisë, prokuroria 38 vite burg. 10 vite burg për Nuredin Dumanin, 15 vite për Erjon Alibejn dhe 13 vite për Skerdi Tasen. Për të pandehurit e tjerë u kërkuan dënime që arrijnë deri në 35 vite burg, siç ishte kërkesa për Henrik Hoxhajt. Një kërkesë e prokurorisë që tashmë duhet të kalojë përmes vlerësimit të gjykatës.

Sepse rrëfimi mund të hapë një hetim. Mund të çojë te një autor i dyshuar. Mund të zbardhë një ngjarje të vjetër, por vetëm gjykata mund të përcaktojë përgjegjësinë penale të secilit të pandehur.

Dosja “Plumbi i Artë” ka treguar se sa shumë informacione mund të fshihen pas heshtjes së botës kriminale. Por jo gjithmonë kjo heshtje zgjat përgjithmonë. Ndonjëherë, një konflikt i brendshëm, një frikë, një tradhti apo një marrëveshje me drejtësinë mund të bëjë që njerëzit, ata që dikur ndanin të njëjtat sekrete, të kthehen në dëshmitarë kundër njëri-tjetrit.

Kështu ndodhi edhe në dosjen “Plumbi i Artë”.

Nuredin Dumani, Erjon Alibej dhe Skerdi Tase vendosën të flasin. Rrëfimet e tyre ndihmuan në zbardhjen e një numri të madh ngjarjesh kriminale dhe sollën para drejtësisë emra që deri atëherë ishin të vështirë për t’u lidhur me njëri-tjetrin përmes provave.

Por këto rrëfime kanë edhe një anë tjetër.

Tre njerëz që sot bashkëpunojnë me drejtësinë, janë gjithashtu njerëz që kanë një të kaluar të lidhur me botën kriminale dhe që duhet të përgjigjen për veprimet e tyre.

Kjo është dilema e madhe e drejtësisë. Si të përdorësh informacionin e atyre që kanë qenë pjesë e krimit, pa harruar përgjegjësitë për ato që kanë bërë?

Bashkëpunimi me drejtësinë mund të jetë një instrument i rëndësishëm për zbardhjen e krimeve. Por ai nuk mund të zëvendësojë provat dhe as gjykimin e pavarur.

Në fund, nuk mjafton që dikush të rrëfejë një vrasje, duhet të provohet ajo që thotë. Nuk mjafton të përmendë një emër, duhet të provohet përgjegjësia e tij.

27 ngjarje kriminale, një numër i madh viktimash, një rrjet marrëdhëniesh që u rindërtua përmes dëshmive, hetimeve dhe provave. Dhe një proces gjyqësor që duhet të japë përgjigjet përfundimtare.

Sepse kur krimi thyen heshtjen, e vërteta mund të dalë në dritë. Por drejtësia fillon vetëm atëherë kur kjo e vërtetë provohet. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *Fokus*KryesoreAktualitetEmisioneGjerat tona Ervis MartinajGjerat Tonanuredin dumaniPlumbi i Arteskerdi taseSPAKSuel Çelatalo cela