Lajme Zone
Të tjeraABC News Albania

“Gjërat Tona”/ “Ini i çones” – mes të shkuarës dhe misterit


Kur një emër i fuqishëm i botës së krimit largohet nga skena, qoftë përmes një ekzekutimi, qoftë përmes arrestimit, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se aktiviteti kriminal merr fund.

Kur një emër i fuqishëm i botës së krimit largohet nga skena, qoftë përmes një ekzekutimi, qoftë përmes arrestimit, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se aktiviteti kriminal merr fund.

Shpesh, pas boshllëkut të krijuar, të tjerë zënë vendin e të larguarve. Ndryshon mënyra e veprimit, ndryshojnë figurat që shfaqen në publik, por interesat dhe përpjekjet për të ruajtur kontrollin mund të mbeten të njëjtat.

Në vend të përplasjeve të hapura dhe demonstrimit të forcës, grupet e reja mund të zgjedhin një model më të heshtur, ku ndikimi ushtrohet përmes ndërmjetësve, komunikimeve të koduara, bizneseve dhe rrjeteve financiare që synojnë të fshehin origjinën e parave. Një zhvillim i tillë duket se meriton vëmendje edhe në Vlorë, një qytet që për vite me radhë është përballur me vrasje, atentate zhdukje personash dhe përplasje mes personazheve të njohur të botës së krimit. Pas vrasjes ose arrestimit të disa prej emrave më të ekspozuar, qyteti mund të duket më i qetë. Por mungesa e përplasjeve të dukshme nuk është domosdoshmërisht tregues se aktiviteti kriminal është dobësuar. Dilema është nëse kemi të bëjmë me një rënie të ndikimit të grupeve kriminale apo me një transformim të mënyrës se si ato veprojnë.

Në këtë kontekst, një emër që rikthehet në vëmendje është Inez Hajrulla, i cili i ka mbijetuar disa atentateve. Ai vazhdimisht është përshkruar si person i afërt me Edison Harizajn, të njohur ndryshe si “Il Padrino” i Vlorës. Harizaj, i konsideruar një prej figurave me ndikim në botën e krimit në qytet, u ekzekutua në nëntor të vitit 2018 në Durrës, së bashku me Genci Çaçin. Të dy udhëtonin me një automjet tip “Audi A8”, kur ndaj tyre u qëllua me breshëri armësh. Harizaj lidhej me konflikte të shumta që dyshohej se buronin nga trafiku i drogës dhe aktivitetet e tjera kriminale. Ai përshkruhej gjithashtu si person me lidhje me Ferdinand Llanajn, të njohur në kuadër të grupit të Selenicës, si dhe me Emiljano Shullazin. Pas vrasjes së tij, vëmendja u përqendrua te personat që mund të kishin ruajtur lidhjet dhe interesat e mëparshme të këtij rrethi.

Historia e Hajrullës, ndërkohë, kishte nisur të shfaqej në kronikën e zezë që në nëntor të vitit 2017. Më 27 nëntor, në rrugën “Sulejman Delvina” në Vlorë, automjeti tip “Jeep” me të cilin ai udhëtonte u godit nga një shpërthim eksplozivi. Hajrulla mbeti i plagosur rëndë, ndërsa gjatë kontrollit të automjetit policia gjeti edhe një pistoletë që dyshohej se mbahej pa leje. Atentati nuk do të ishte i fundit. Në maj të vitit 2019, ai u vu sërish në shënjestër, këtë herë në zonën e Ujit të Ftohtë, teksa ndodhej në një lokal. Autorët qëlluan drejt tij nga një automjet në lëvizje, por Hajrulla mbijetoi. Nga të shtënat u plagos edhe një person tjetër që ndodhej në lokal. Automjeti i përdorur nga autorët u gjet më pas i djegur në Babicë të Vogël.

Në atë kohë, hetuesit dyshuan se atentati mund të kishte lidhje me konfliktet mes Hajrullës dhe Bernard Sinomatajt. Megjithatë, një tjetër zhvillim erdhi në gusht të vitit 2023, kur policia arrestoi në Vlorë Amarildo Nikollin, një i ri nga Shkodra, të cilit iu gjet një armë zjarri me silenciator dhe municion. Sipas hetimeve, ai dyshohej se kishte ardhur nga Italia për të kryer një vrasje me pagesë dhe se objektiv ishte Inez Hajrulla dhe krahu i tij i djathtë, Ervis Matodashaj. Në kuadër të çështjes, hetuesit dyshuan se Nikolli ishte përfshirë në përgatitjen e një atentati të porositur, i cili nuk u realizua.

Fillimisht, procedimi ndaj Nikollit u trajtua për armëmbajtje pa leje, por më pas, pas hetimeve të Prokurorisë së Vlorës, dosja kaloi në kompetencën e Prokurorisë së Posaçme. SPAK-u hetoi dyshimet për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, si dhe për armëmbajtje pa leje. Sipas raportimeve mbi hetimin, Nikolli pranoi të bashkëpunonte me prokurorët dhe dha të dhëna për persona që dyshohej se kishin marrë pjesë në organizimin dhe mbështetjen e atentatit. Megjithatë, identiteti i personit që mund të kishte dhënë urdhrin përfundimtar nuk u bë publik në mënyrë të konfirmuar.

Në këtë pikë, u shfaq edhe pista e Dubait, si një vend nga ku dyshohej se mund të ishte koordinuar ose urdhëruar aktiviteti. Por pa një konfirmim zyrtar për identitetin e personit që qëndronte pas porosisë. Pikërisht këtu qëndron një nga pyetjet më të rëndësishme të këtij rasti. A kemi të bëjmë me një konflikt lokal, të drejtuar nga aktorë që veprojnë në terren, apo me interesa më të gjera, ku urdhrat mund të vijnë nga larg dhe ekzekutimi u lihet personave të tjerë?

Përgjigjja nuk mund të ndërtohet mbi hamendësime. Por hetimi i këtij atentati, ashtu si edhe dosjet e tjera që lidhen me botën e krimit në Vlorë, ngre një pyetje më të gjerë. Kur figurat më të njohura largohen nga skena, a dobësohen rrjetet kriminale, apo thjesht mësojnë të veprojnë në mënyrë më të padukshme?

Por historia e Inez Hajrullës merr një tjetër kthesë në tetor të vitit 2026. Që prej datës 4 tetor, sipas informacioneve të publikuara, familjarët dhe persona të rrethit të tij shoqëror kanë humbur kontaktet me të. Për herë të fundit, ai raportohet se ka qenë në Tiranë, ndërsa rrethanat e lëvizjeve të tij dhe momenti kur është ndërprerë komunikimi mbeten ende për t’u sqaruar. Policia e Shtetit ka nisur verifikimet për të rindërtuar itinerarin e tij të fundit dhe për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. Në kuadër të këtyre verifikimeve janë raportuar kontrolle në një hotel në zonën e Vaqarrit, si dhe mbledhja e pamjeve filmike dhe marrja e deklarimeve nga persona që mund të kenë dijeni për lëvizjet e tij. Megjithatë, deri më tani, nuk ka një konfirmim zyrtar se Hajrulla është rrëmbyer apo se i ka ndodhur diçka tjetër. Një element që e bën edhe më të paqartë situatën është fakti se familja nuk ka depozituar kallëzim për zhdukjen e tij. Babai i Hajrullës, Roberti, sipas burimeve nga Policia e Vlorës, ka deklaruar se nuk ka pasur kontakt me të birin prej disa ditësh, por ka ngritur si mundësi që ai të ndodhet jashtë Shqipërisë, duke qenë se është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Deri tani, nuk është bërë publik ndonjë informacion zyrtar nga autoritetet e huaja që të konfirmojë arrestimin e tij jashtë vendit. Kështu, pas atentateve që u mbijetoi, konflikteve ku është përmendur dhe dosjes së rëndë të SPAK-ut, emri i Inez Hajrullës rikthehet në qendër të vëmendjes për një arsye tjetër. Një humbje kontaktesh, rrethanat e së cilës mbeten të paqarta. A kemi të bëjmë me një largim të qëllimshëm për t’iu shmangur autoriteteve, me një ngjarje të organizuar nga kundërshtarët e tij apo me një situatë krejt tjetër? Për momentin, këto janë vetëm pista dhe hipoteza. Përgjigjja mund të vijë vetëm nga verifikimi i provave dhe nga zbardhja e lëvizjeve të tij të fundit.

Rasti i Inez Hajrullës sjell në vëmendje një tjetër zhdukje të bujshme të një personazhi të kërkuar nga SPAK-u, atë të Ervis Martinajt, në gusht të vitit 2022. E përbashkëta mes dy rasteve është se, në momentin kur u ndërprenë kontaktet me familjarët, të dy ndodheshin në kërkim nga drejtësia shqiptare. Por ka edhe një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si reaguan familjet. Në rastin e Martinajt, xhaxhai i tij, Faik Martinaj, bëri kallëzim në polici pasi familja kishte humbur kontaktet me të, duke shprehur shqetësimin se ai mund të ishte rrëmbyer ose vrarë nga kundërshtarët e tij. Në rastin e Inez Hajrullës, ndërkohë, deri tani nuk është depozituar kallëzim zyrtar nga familja, ndërsa verifikimet e Policisë kanë nisur me iniciativën e vetë autoriteteve, pas informacioneve për humbjen e kontakteve me të. Kjo diferencë në reagimin e familjarëve nuk jep në vetvete përgjigje për atë që ka ndodhur me Hajrullën. Ashtu si në rastin e Martinajt, mbeten të hapura pikëpyetjet për fatin e tij, ndërsa deri më tani nuk ka konfirmim zyrtar nëse bëhet fjalë për rrëmbim, largim të qëllimshëm apo një skenar tjetër.

“IL PADRINO” I VLORËS

Edison Harizaj, i njohur në Vlorë me nofkën “Il Padrino”, por edhe si “Faqedjeguri” dhe “Edisoni i shtatë pallateve”, ishte një nga emrat më të përfolur të botës kriminale shqiptare në mesin e viteve 1990 dhe gjatë viteve që pasuan. Mediat e përshkruanin si një person me ndikim në qarqet kriminale të Vlorës, me lidhje të raportuara me personazhe të njohura të krimit të organizuar. Por pas këtij reputacioni që iu krijua, qëndronte edhe një histori e dokumentuar penale, e cila nisi të merrte formë që në fund të viteve ’90.

Më 22 korrik 1999, në Vlorë, Erjon Ahmeti u vra me armë zjarri, ndërsa dy persona të tjerë mbetën të plagosur. Harizaj u dënua për këtë ngjarje nga Gjykata e Vlorës në vitin 2004 me 19 vite burgim, me akuzën e vrasjes me paramendim dhe vepra të tjera të kryera në bashkëpunim. Në vitin 2010, ai u lirua pas një vendimi të Gjykatës së Krujës. Kjo periudhë shënon një pikë kthese në profilin e tij. Kur iu rikthye lirisë, Harizaj nuk ishte më thjesht një emër i lidhur me një ngjarje të rëndë kriminale, por një person që informacionet operative të Policisë e lidhnin me rrjete dhe figura të tjera të botës së krimit.

Në vitet që pasuan, emri i tij u përmend për lidhje me Emiljano Shullazin, si dhe në hetime për ngjarje të tjera të rënda. Në Vlorë, nofka “Il Padrino” u përdor nga mediat për të përshkruar ndikimin që dyshohej se kishte në mjedisin kriminal të qytetit.

Një nga çështjet më të rënda ku emri i Harizajt u përmend ishte atentati ndaj gjyqtarit Skerdilajd Konomi, i vrarë me eksploziv në Vlorë më 9 shtator 2011. Sipas materialeve të dosjes hetimore, Harizaj kishte qenë ndër personat e dyshuar dhe ishte mbajtur nën vëzhgim. Megjithatë gjatë periudhës së përgjimit nuk ishte gjetur një lidhje që ta implikonte në atë krim. Pra, emri i tij u përfshi në pistat e hetimit, por kjo nuk përbënte provë se ai ishte autor apo porositës i vrasjes.

Në vitin 2018, Edison Harizaj u përmend gjithashtu në raportimet për zhdukjen e Albano Xhaferrit dhe Elvis Troqes në Vlorë. Emri i tij doli nga dëshmia e një personi që bashkëpunonte me hetuesit dhe ai u pyet nga Prokuroria në kuadër të verifikimeve. Harizaj mohoi të kishte lidhje me personat e zhdukur. As në këtë rast nuk u arrit të provohej asgjë.

Historia e tij përfi më 6 nëntor 2018, në një atentat në lagjen nr. 13 të Durrësit. Edison Harizaj po udhëtonte me një automjet Audi A8, së bashku me Genci Çaçin, kur persona të paidentifikuar hapën zjarr ndaj tyre. Harizaj humbi jetën, ndërsa Çaçi u plagos rëndë dhe ndërroi jetë në spital. Pas ngjarjes, policia gjeti një automjet të djegur në zonën e Shën Vlashit, që dyshohej se ishte përdorur nga autorët për t’u larguar.

Atentati nuk solli vetëm fundin e një prej personazheve më të përfolur të Vlorës. Ai la pas edhe pyetje për motivin e vrasjes, për kundërshtarët që mund të kishte krijuar dhe për raportet mes grupeve kriminale. Pavarësisht shoqërimit të dhjetëra personave, nuk kishte ende të ndaluar për vrasjen e dyfishtë. Raportimet e mëvonshme kanë hedhur hipoteza të ndryshme mbi motivet dhe porositësit e mundshëm, por asgjë nuk u arrit të provohej as në vitet në vazhdim.

Vrasja e Edison Harizajt megjithatë nuk e mbylli kapitullin e konflikteve kriminale të lidhura me Vlorën. Në vitet që pasuan, emra të tjerë u përmendën në atentate, zhdukje dhe hetime për grupe të strukturuara kriminale. Në këtë kontekst, figura e Harizajt mbetet e rëndësishme jo vetëm për atë që u raportua për jetën e tij, por edhe se çfarë ndodh me rrjetet dhe lidhjet e një grupi kur personi që konsiderohet drejtues i tij largohet nga skena.

Siç u raportua në vijim, qoftë nga mediat, por edhe nga ato raporte konfidenciale që mbante vazhdimisht Policia e Vlorës, ai që “trashëgoi” jo vetëm “fronin” e “Il Padrinos”, por edhe hasmëritë e borxhet e tij, ishte Inez Hajrulla. Një personazh që deri një vit para se të ekzekutohej Harizaj, kishte qëndruar pranë tij, duke bërë herë pas here edhe ndonjë “punë” për llogari të tij, do të vazhdonte rrugën e tij. Rrugë që kishte jo pak pengesa dhe që sinjalet ishin dhënë edhe para se të vritej Edison Harizaj.

Inez Hajrulla, i njohur edhe me nofkën “Ini i Çones”, është një nga emrat që është shfaqur vazhdimisht në kronikën kriminale të Vlorës gjatë dekadës së fundit. Ndërkohë, vrasja e Edison Harizajt në Durrës, në nëntor 2018, shënoi një pikë kthese në kronikat për botën e krimit në Vlorë.

LOJËRAT E FATIT DHE HAKMARRJA

Në nëntor të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar informacion Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë: mbi lidhje shoqërore, miqësore, familjare, të shtetasve Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj, pseudonimet e tyre, nëse disponohen informacione apo të dhëna, se këta shtetas merren me lojëra fati, baste sportive, apo kishin qenë të dyshuar për ndonjë vepër penale.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në përgjigjen për SPAK ka pasqyruar të dhënat se Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj, kanë lidhje shoqërore të hershme që prej fëmijërisë. Hajrulla, njihet me pseudonimin “Ini i Çones” dhe së fundmi, pas ngjarjes së vitit 2017, ku mbeti i plagosur, njihet edhe me pseudonimin “Sakati”. Ndërsa Ervis Matodashaj, njihet me pseudonimin “Çoke qorri”. Nga të dhënat dhe informacionet e mara në rrugë operative, në periudhën e muajit Mars të vitit 2023, ka rezultuar se këta persona kanë filluar të kryejnë aktivitetin e jashtëligjshëm të organizimit të lojërave të fatit, konkretisht atë të basteve sportive, në qytetin e Vlorës. Ky fakt përputhet me deklarimin e Amarildo Nikollit, që ndër arsyet e vrasjes ishte marrja nën kontroll e lojërave të fatit.

Nga ana tjetër, në mars të vitit 2024, Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar Policisë së Vlorës, kopje të vendimit të pezullimit në lidhje me procedimin penal të vitit 2013 dhe vendimit të pushimit të hetimeve në ngarkim të shtetasve Altin Sejdiraj, Nadir Ferko dhe Ervis Matodashaj, të hetuar për vrasje.

Nga përgjigja e Policisë së Vlorës rezulton se, në datën 22 mars të vitit 2013, rreth orës 21:30, në lagjen “11 Janari”, në Vlorë, persona të pa identifikuar kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin Erigert Ferik Zejno, 24 vjeç, i cili ka mbetur i plagosur rëndë në mjetin e tij tip “Ford Focus” dhe më pas ka ndërruar jetë në spital.

Në lidhje me këtë ngjarje, në datën 17 gusht 2013, janë arrestuar Ervis Matodashaj, Nadir Ferko dhe Altin Sejdiraj. Por në datën 21 prill 2014, është vendosur pushimi i hetimeve për Ervis Matodashajn e dy të tjerët, për mungesë provash dhe procedimi është pezulluar për zbulim të autorëve në datën 4 dhjetor 2014.

Këto akte që i janë përcjellë SPAK nga Policia e Vlorës konfirmojnë deklarimet e bashkëpunëtorit të drejtësisë se krimi do të kryhej edhe për hakmarrje, pasi rezulton se shtetasi Erigert Zejno është vrarë dhe gjatë hetimeve njëri nga të dyshuarit ka qenë edhe shtetasi Ervis Mustafa Matodashaj.

Rezulton se Leonard Avdi Luzi, Zejno, është kushëri nga ana e babait me shtetasin Erigert Ferik Zejno, pasi babai i Leonardit, i cili ka vdekur vite më parë është kushëri me shtetasin Ferik Zejno, babai i viktimës. Ky fakt konfirmohet edhe nga i pandehuri Muharem Koroveshi, i cili ka deklaruar se Leonardi ka të atin e viktimës, djalë xhaxhai.

Nga Prokuroria e Posaçme, në nëntor të vitit 2023 i është kërkuar Zyrës Ndërlidhëse Interforza, informacion nëse Amarildo Nikolli dhe Leonard Luzi, kanë qenë në të njëjtin burg në Itali duke vuajtur dënimin dhe në cilën periudhë kohore. Kjo zyrë, në kthim përgjigje ndër të tjera sqaron se Amarildo Nikolli dhe Leonard Luzi kanë qenë në të njëjtin institucion vuajtje dënimi, atë të Pratos, në periudhën 2015-2018, fakt që përputhet me deklarimin e bashkëpunëtorit të drejtësisë për njohjen e tij me të pandehurin Leonard Luzi.

Bazuar në deklarimet e Amarildo Nikollit, si edhe provave shkresore, nga ana e Prokurorisë janë identifikuar objektivat e krimit, personat me nofkën ”Qorri” dhe ”Ini” ose “Sakati”, të cilët janë përkatësisht shtetasit: Ervis Matodashaj, 42 vjeç dhe Inez Hajrulla, 33 vjeç. Është kryer veprimi hetimor i paraqitjes për njohje me anë të fotografisë, me personin nën hetim Amarildo Nikolli dhe në të tri rastet e ndërrimit të vendeve të fotografive me secilin prej personave që iu paraqitën për njohje, ka identifikuar të dy personat që i ishte kërkuar të vriste, por edhe të pandehurin tjetër, Muharem Koroveshi.

Sipas asaj që ka deklaruar bashkëpunëtori i drejtësisë, të konfirmuara edhe me prova të tjera, rezulton se financuesi i vrasjeve në Vlorë, jeton në Dubai dhe ka banesë në Shëngjin të Lezhës. Hetimet e deritanishme nuk kanë bërë të mundur ta identifikojnë plotësisht atë dhe për këtë arsye ky procedim është ndarë dhe po vijojnë hetimet për këtë rast.

VRASJET E ZBARDHURA

Prokuroria e Posaçme ka zhvilluar një hetim të gjerë ndaj një grupi të strukturuar kriminal, me bazë në qytetin e Vlorës dhe me aktivitet të shtrirë në disa vende të Bashkimit Europian. Hetimet janë bazuar në komunikimet e koduara SKY ECC, si dhe veprimet e tjera hetimore. Përmes tyre është zbuluar se ky grup kriminal është përfshirë në krime kundër personit, trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Prokuroria e Posaçme

Në kuadër të procedimit penal 152 të vitit 2022, Prokuroria e Posaçme po heton veprat penale: “Trafikim i lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim në formë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Pas kërkesës së SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, me vendimin nr. 13, datë 5 mars 2026, ka caktuar masën e sigurimit personal “arrest në burg” për 8 shtetas shqiptarë. Byroja Kombëtare e Hetimit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar masat e sigurimit për 3 shtetas, një prej të cilëve ndodhet aktualisht i arrestuar në Zvicër. Vijon puna për kapjen dhe ekzekutimin e masave të sigurimit për 5 persona të tjerë. Gjatë hetimit të këtij procedimi janë dokumentuar faktet penale si, “Vrasja me paramendim”, në dëm të shtetasit Gentjan Qarri më datën 6 shkurt 2021 në qytetin e Vlorës, si dhe Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje në dëm të shtetasi Bledar Birçaj, i ekzekutuar më 10 maj 2021, në Vlorë.

Mbrëmjen e 6 janarit 2021, 40-vjeçari Gentian Qarri, mbetet i vrarë në një atentat në Vlorë. Ngjarja ndodhi kur Qarri sapo kishte dalë nga banesa e tij, që ndodhet në lagjen “29 Nëntori”. Policia tha në atë kohë se autorë të dyshuar të ngjarjes ishin dy persona të maskuar, të cilët u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Ata qëlluan 20 plumba në drejtim të Gentian Qarrit, nga një armë automatik, tip “Sharrs”. Vetëm pak minuta pas ngjarjes, një automjet tip “Toyota Yaris” me targa greke, u gjet e djegur në zonën e “Pyllit të Sodës”.

Në brendësi të automjetit u gjet edhe arma e krimit, që sipas Policisë ishte përdorur nga autorët në atentat. Pista kryesore ku Policia përqendroi hetimet në atë kohë lidhej me dënimin e 40 – vjeçarit Qarri në Itali. Ai ishte dënuar atje me 11 vjet burg për trafik të lëndëve narkotike dhe pas dënimit ishte kthyer në Vlorë. Gentian Qarri kishte më shumë se tre vjet që ishte kthyer në vendlindje, ishte martuar dhe punonte si hidraulik. Gjatë kësaj periudhe që ka qëndruar në Shqipëri, sipas Policisë ai nuk nuk rezultonte person me probleme. Përveç dënimit për drogë në Itali, Policia nuk përjashtonte edhe mundësinë e ndonjë konflikti që ai mund të kishte pasur kohët e fundit, që mund të kishin sjellë ndonjë hakmarrje të mundshme. Por edhe fakti që ai ishte kushëriri i Fatmir Hysenin, një personazh që ishte hetuar për disa ngjarje të rënda kriminale, një prej të cilave edhe atentati ndaj Inez Hajrullës, i ndodhur në vitin 2019, ngjarje për të cilën ai është shpallur në kërkim. Për këtë ngjarje janë dënuar nga Gjykata e Apelit 5 persona.

Më 6 tetor 2023, Prokuroria nisi hetimet për kanosje për shkak të detyrës të gjyqtareve Valdete Hoxha, Lutfie Celami dhe Edlira Petri, të cilat denoncuan sulmin dhe kërcënimet që u kishin ardhur në sallën e gjyqit, teksa po bëheshin gati të shpallnin vendimin.

Ato kërkuan ndihmën e Policisë së Tiranës menjëherë mbasi shpallën nga 35 vjet burg për shtetasit Daut Elmazi dhe Gentian Zoto, dënimin me 30 vjet burg për Igli Memaj dhe nga 25 vjet për Serxho Ademin dhe Albano Goxhaj. Gjyqtaret u kërcënuan në sallën e gjyqit nga të afërmit e këtyre të akuzuarve, të cilët u dënuar për “vrasje në rrethana cilësuese” të mbetur në tentativë. Vetë personat e akuzuar nuk ishin të pranishëm në seancë, por ndaj tyre po jepej vendimi për ngjarjen e ndodhur në maj të vitit 2019 në Vlorë, kur u qëllua në drejtim të një automjeti, në të cilin ndodhej Inez Hajrulla. Por të pandehurit pretendonin se provat në vendngjarje ishin manipuluar nga Policia e Vlorës dhe se gjykatat nuk i kishin konsideruar drejt provat ndaj tyre. Të njëjtin pretendim patën edhe familjarët që po ndiqnin në sallën e Gjykatës së Apelit seancën në ngarkim të tyre.

Por, 5 vite pas vrasjes së Gentian Qarrit në Vlorë, SPAK ka arritur të zbardhë pjesërisht këtë krim, në kuadër të procedimit penal 152 të vitit 2022, duke ngritur akuza ndaj Inez Hajrullës dhe Ervis Matodashajt.

Prokuroria e Posaçme

Gjatë hetimit të këtij procedimi janë dokumentuar faktet penale si më poshtë: “Vrasja me paramendim” në dëm të shtetasit Gentjan Qarri më datën 6 shkurt 2021 në qytetin e Vlorës, e kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”. Të hetuarit Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj, në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të grupit të strukturuar kriminal kanë organizuar, ndërvepruar dhe koordinuar në kohë reale me ekzekutorët, me qëllim realizimin e vrasjes dhe kanë dhënë udhëzime operative që kishin të bënin me monitorimin e viktimës, sigurimin e automjeteve dhe kryerjes së vrasjes, fshehjen e autorëve dhe djegien e automjetit me të cilin janë larguar autorët.

Në orën 12 e 59 të datës 10 maj 2021, në lagjen “Hajro Çakërri”, pranë një karburanti, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit “BMW X5”, me targë AB 797 CS. Nga verifikimet e menjëhershme rezultoi se ishte vrarë Bledar Birçaj, 38 vjeç. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes u gjetën 29 gëzhoja model 56, ndërsa në automjet kishte 24 vrima të shpimit me armë zjarri. Teksa ishte futur në sallën e operacionit, në Spitalin e Vlorë ku ndërroi jetë, viktimës iu gjet në brez një pistoletë “Bereta”.

Është bërë administrimi i pamjeve filmike të subjekteve të rrugët që ka ndjekur Bledar Birçaj, nga lokali në pronësi të tij “The Boss”, deri në vendin e ngjarjes dhe po ashtu edhe rrugët që kanë ndjekur autorët për të shkuar drejt vendit ku kryen vrasjen, si dhe rrugët që kanë ndjekur për t’u larguar. Nga verifikimi i pamjeve ka rezultuar se autorët kanë përdorur automjetin “Mercedez C Class” me ngjyrë gri, me xhama të zinj, i cili kishte targa që ishin vjedhur në Fier. Pas ngjarjes makina e autorëve ka lëvizur drejt fshatit Kaninë, nga aty është futur në bypass për të dalë tek varrezat e qytetit e më pas në fshatin Risili. Për herë të fundit është fiksuar nga kamerat e një subjekti në vendin e quajtur “Bishti i malit”, në fshatin Armen.

Ndërsa Bledar Birçaj ka lëvizur nga bar “The boss”, shëtitorja “Lungomare”, ka hyrë në rrugën “Pelivan Leskaj”, më pas në unazën e qytetit dhe afër karburantit në lagjen “Hajro Çakërri” është qëlluar me armë zjarri nga dy persona, të cilët i kanë bërë pritë dhe me pas janë larguar.

Viktima, Bledar Birçaj, ishte pronar i bar “The Boss”, i cili ndodhet në kompleksin “Oslo”, si dhe kishte rreth 2 vite që kishte nisur të ndërtonte një hotel 3-4 katësh në lagjen “Uji i Ftohtë”, në Vlorë. Bledar Birçaj kishte bashkëjetuar me një vajzë të quajtur Ornela, e cila është motra e bashkëshortes së Fatmir Hysenit, i njohur si “Doqja”. Bashkëshortja e Hysenit ishte larguar nga Shqipëria më 13 prill 2021 në drejtim të Turqisë e më pas në Spanjë. Megjithatë, pasi janë analizuar të gjitha variantet, pista kryesore e hetimit ishte se vrasja e Bledar Birçajt ishte kryer për shkak se ai, së bashku me Delon Troqen dhe persona të tjerë, kishin grabitur një sasi lënde narkotike në Spanjë.

Por duket se edhe në këtë rast, me eliminimin e Bledar Birçajt është synuar edhe goditja e Fatmir Hysenit, i njohur edhe si “Doqja”, që siç e thamë më herët ka synuar vrasjen e Inez Hajrullës, por ka qenë edhe i hetuar për ekzekutimin e Edison Harizajt në Durrës, në vitin 2018.

Prokuroria e Posaçme

Nga analiza e komunikimeve, rezulton se Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj, si dhe shtetas të paidentifikuar deri në këtë fazë të hetimit, në bashkëpunim me njeri- tjetrin, kanë ndërmarrë një seri veprimesh të qëllimshme, për të realizuar vrasjen e shtetasit Bledar Birçaj. Ata kanë siguruar të gjitha kushtet dhe kanë përdorur mjete teknike, si kamera survejimi dhe kanë vëzhguar lokalin “The boss” në pronësi të shtetasit Bledar Birçaj, për të monitoruar në mënyrë të vazhdueshme lëvizjet, oraret dhe personat, me të cilët shoqërohet. Gjithashtu rezulton se ata kanë hartuar një plan konkret për mënyrën dhe vendin e ekzekutimit. Shtetasi Bledar Birçaj është ekzekutuar më datë 10 maj 2021, në lagjen ‘Hajro Çakërri’, në Vlorë.

Tre vite pas kësaj ngjarje, nuk munguan sinjalet për hakmarrje nga të dy krahët.

Një sasi eksplozivi shpërtheu në orët e para të mëngjesit të datës 8 dhjetor 2024, në një lokal në zonën e Lungomares në Vlorë. Lokali ishte në pronësi të familjes së Bledar Birçajt, i cili u ekzekutua 10 maj të vitit 2021 në makinën e tij. Nga shpërthimi u shkaktuan vetëm dëme materiale. Restoranti “The Boss” nuk kishte funksionuar prej kohësh, por kishte vetëm pak ditë që ishte rihapur, pasi ishte marrë sërish nga vëllezërit e Bledari Birçajt. Kamerat e lokalit kanë filmuar autorin, i cili ka qenë me maskë. Ai ka ardhur nga ana e lokaleve dhe pasi ka vendosur tritolin me fitil e ka ndezur dhe ka shkaktuar shpërthimin. Më pas është larguar mes pallateve me biçikletë. Restoranti ku ndodhi shpërthimi rezulton në emër Resmie Birçajt, nëna e Bledar Birçajt.

Duke verifikuar kamerat e sigurisë, Policia e Vlorës arriti të identifikojë dhe të arrestojë autorin e dyshuar të ngjarjes. I dyshuari u arrestua pak ditë pas ngjarjes. Ai është 28-vjeçari Beqir Selamaj, i cili ishte fiksuar nga kamerat e sigurisë që në momentin kur ka dalë me biçikletë nga shtëpia e tij në Vlorë. Ai ka qenë i veshur me rroba të zeza. Pasi ka vendosur sasinë e tritolit është larguar sërish me biçikletë, duke u zhvendosur në një zonë tjetër të Vlorës. Gjatë rrugës ka hequr rrobat dhe më pas sërish me biçikletë ka shkuar në një lokal ku ka pirë kafe. Autori i dyshuar rezulton i skeduar nga Policia, kryesisht për vjedhje.

Beqir Selamaj, i njohur edhe me mbiemrin Murati, nuk ka pranuar të tregojë asgjë rreth emrave të personave që e kanë paguar për vendosjen e tritolit në lokalin e familjes Birçaj. Gjatë qëndrimin si i ndaluar në Drejtorinë e Policisë së Vlorës, 28-vjeçari është pyetur disa herë për ngjarjen, por përveçse ka pranuar autorësinë, ka refuzuar të tregojë emrat e personave që e kishin porositur. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe në seancën për caktimin e masës së sigurisë.

Rreth orës 21:30, të datës 18 dhjetor 2024, në lagjen “24 Maji”, në Vlorë, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri 30-vjeçari Kevin Hajrulla, i cili udhëtonte me një automjet tip “Benz”. Si pasojë e të shtënave, është plagosur me armë zjarri edhe shtetasi Armand Spahiu, 35 vjeç, i cili ndodhej në afërsi të vendit të ngjarjes dhe u gjend mes të shtënave.

Të dy personat janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal Vlorë. Personi që mbeti i plagosur rastësisht në ngjarje, nuk kishte rrezik për jetën, ndërsa Hajrulla u transportua për mjekim më të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, në gjendje kritike për jetën.

Sipas hetimeve të kryera dhe verifikimit të pamjeve filmike, Kevin Hajrulla ka qenë në lëvizje me mjetin e tij në momentin që është qëlluar. Ai po udhëtonte drejt lagjes “Çole” dhe sapo ka ulur pak shpejtësinë në një kthesë, ndaj tij është qëlluar me breshëri nga një automjet “Kia”. Sipas provave të grumbulluara në vendngjarje, dyshohet të jetë qëlluar të paktën 50 herë, nisur dhe nga gëzhojat e gjetura aty. Ndërsa mësohet se kanë qenë dy persona që kanë qëlluar me kallashnikov. Ndërsa personi i tretë drejtonte makinën. Pak momente pas krimit, makina është gjetur duke u djegur në fshatin Panaja dhe brenda saj janë gjetur edhe dy automatikët.

Kevin Hajrulla rezulton një person i pa skeduar më parë nga Policia. E megjithëse pa një të shkuar kriminale, emri i tij i ka drejtuar oficerët e grupit hetimor drejt një personazhi tjetër në Vlorë, i cili është i afërm i tij, Inez Hajrulla.

Ndërkohë, më 29 nëntor 2025, një sasi tritoli shpërthen në banesën e njërit prej personave të dënuar për atentatin e vitit 2019 ndaj Inez Hajrullës. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:40, në lagjen “Partizani” në Vlorë. Lënda plasëse ishte vendosur në derën e jashtme të banesës se Bakie Zotos, nënës së Gentjan Zotos, por fatmirësisht duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Burime nga grupi hetimor thanë se në hyrjen e pallatit nuk kishte kamera sigurie, por Policia ka sekuestruar pamje nga kamerat e bizneseve dhe ambienteve përreth, me qëllim identifikimin e autorit. Sipas hetimeve të kryera nga Policia dyshohej se shpërthimi mund të ketë qenë një mesazh për djalin e saj, Gentjan Zoton, i cili ndodhet në burg dhe është dënuar me 35 vite heqje lirie për atentatin e ndodhur në vitin 2019 në Lungomare të Vlorës ku shënjestër ishte Inez Hajrulla.

POLICI NË SHËRBIM TË KRIMIT

Një nga elementët më të rëndë të hetimit është përfshirja e një oficeri policie në këtë grup të strukturuar kriminal. Ky është Rezart Kuçi, i cili mbante detyrën e shefit të seksionit në Policinë Shkencore pranë Drejtorisë së Policisë Kukës. Ndërsa më herët ka shërbyer në pozicione të ndryshme në Polici, si zëvendës shef Komisariati dhe shef për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, apo edhe në Komisariatin nr.1, në Tiranë.

Në këtë dosje të SPAK ai akuzohet se ka siguruar informacione kofidenciale për llogari të grupit kriminal të Inez Hajrulla; fshinte të dhëna nga telefonat; ndihmonte logjistikën e trafikut. Për hetuesit kjo tregon një nivel të lartë infiltrimi të krimit në institucione.

Ai është arrestuar gjatë operacionit të 7 marsit 2026, në zbatim të masës “arrest me burg”, dhënë në mungesë nga Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK.

Prokuroria e Posaçme

Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Rezart Kuçi, me detyrë oficer policie, dyshohet se ka përdorur funksionin e tij për të ndihmuar aktivitetin kriminal, duke: siguruar logjistikë për transportin e lëndëve narkotike; nxjerrë informacione konfidenciale mbi kontrollet policore; ndërhyrë në pajisje celulare duke fshirë të dhëna me interes për hetimin; përdorur në mënyrë të paligjshme sistemin TIMS për interesa të personave të përfshirë në aktivitet kriminal; përdorur komunikim të koduar në aplikacionin SKY. Ky operacion është realizuar falë një bashkëpunimi të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar mes SPAK, Europol, Eurojust, DEA dhe agjencive ligjzbatuese të vendeve të Bashkimit Europian. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale si dhe për identifikimin e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Nga 8 masat e sigurisë që ka vendosur në mungesë Gjykata e Posaçme, vetëm 3 janë ekzekutuar gjatë operacionit që u zhvillua më 7 mars. Është arrestuar oficeri i Policisë Rezart Kuçi, i është komunikuar masa e arrestit në burg edhe Flodian Plakut dhe Hamëz Demushi, një ish-punonjës Policie që është arrestuar në Zvicer.

Demushi ishte arrestuar edhe më 20 shkurt të vitit 2015, i dyshuar si pjesë e një rrjeti të trafikut të drogës në drejtim të Kosovës. Në atë kohë ai ishte me gradën kryeinspektor, me shërbim në Patrullën e Përgjithshme të Komisariatit nr.3. Pas një hetimi të nisur ndaj tij prej afro 9 muajsh, ai u kap në flagrancë, pasi në banesën e tij, pranë Unazës së Madhe, u gjet rreth 3.6 kg lëndë narkotike kokainë dhe 0.5 kg heroinë. Burime zyrtare nga Ministria e Brendshme thanë në atë kohë se ky punonjës policie dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë në kohë dhe vende të ndryshme kanë trafikuar në drejtim të Kosovës lëndë narkotike të llojeve të ndryshme.

Në tetor të vitit 2016 Demushi përfitoi përgjysmimin e masës së dënimit nga Gjykata e Apelit. Ish-efektivi i Policisë, ishte dënuar me 8 vjet burg për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “prodhim dhe shitje të narkotikëve”. Në 7 tetor 2016, një trupe gjykuese e Apelit, la në fuqi deklarimin e fajshëm të Demushit, por ndryshoi masën e dënimit, duke e dënuar atë përfundimisht me 4 vjet heqje lirie. I pandehuri Hamëz Demushi ka punuar me korrektese pranë Sektorit të Hetimit në Mbulim të Drejtorisë Operacionale dhe ai ka rrezikuar dhe jetën”, shkruhej në vendimin e Gjykatës.

Ky hetim ka zbuluar vetëm një pjesë të aktivitetit të këtij grupi. Dosja përfshin: atentate, trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash dhe ka edhe shumë bashkëpunëtorë të paidentifikuar.

Por hetimet vazhdojnë. Sepse sipas SPAK, rrjetet kriminale që veprojnë në Europë janë gjithnjë më të sofistikuara. Ato komunikojnë në platforma të koduara. Lëvizin para në disa kontinente. Dhe shpesh arrijnë të depërtojnë edhe në institucione. Operacioni i SPAK dhe BKH është një përpjekje për të goditur një prej këtyre rrjeteve. Por beteja me krimin e organizuar mbetet ende e gjatë.

Kjo dosje flet për kodet e një rrjeti kriminal që vepronte mes Shqipërisë dhe Europës. Edhe pse personazhi kryesor, Inez Hajrulla, nuk u arrit të arrestohet. Siç i kishte shpëtuar atentateve, ai arriti t’u shpëtojë edhe prangave. Rastësi apo jo, kjo mbetet për t’u provuar. Bashkë me krahun e tij të djathtë, Ervis Matodashaj, ai nuk u arrestua gjatë operacionit të 7 marsit 2026. Ashtu sikurse edhe në një tjetër operacion për arrestimin e tij, që u zhvillua më 23 shkurt të vitit 2023.

Fati e shpëtoi 3 herë nga plumbat e eksplozivi, por pak kush e beson se fati mund ta ketë shpëtuar edhe nga arrestimi. Ashtu siç tashmë del edhe nga hetimet e SPAK, duket se Inez Hajrulla gjithmonë ka pasur lidhjet e duhura në Polici.

Prej datës 6 tetor 2026 emri i Inez Hajrullës është rikthyer në qendër të vëmendjes publike. Këtë herë, jo për një atentat apo një operacion policor, por për një pyetje që ende nuk ka marrë përgjigje. Ku ndodhet ai?

Raportimet për humbjen e kontakteve me një prej emrave të njohur të botës së krimit në Vlorë kanë ngritur dyshime për një zhdukje të mundshme, madje edhe për një rrëmbim. Por deri tani, asnjë prej këtyre skenarëve nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Ndërsa policia kryen verifikimet, një tjetër pikëpyetje lidhet me qëndrimin e familjes, e cila, sipas raportimeve, nuk ka depozituar ende një kallëzim për zhdukjen e tij.

Në këtë histori përmenden lëvizje të dyshuara, takime të mundshme dhe një kontroll policor që mund të jetë i rëndësishëm për rindërtimin e orëve të fundit. Por sa prej këtyre informacioneve mbështeten në prova dhe sa janë ende pretendime?

A kemi të bëjmë me një zhdukje të vërtetë, me një rrëmbim apo me rrethana krejt të tjera?

Dhe këtu qëndron paradoksi më i madh i kësaj historie. Si është e mundur që një person i shpallur në kërkim nga drejtësia, për të cilin janë zhvilluar operacione policore me qëllim arrestimin e tij, të mos gjendet nga autoritetet, ndërsa në momentin kur humbasin kontaktet me të, lindin pikëpyetje të tjera: ku është, çfarë ka ndodhur dhe a është ende gjallë? Për momentin, rasti i Inez Hajrullës nuk ka një përgjigje përfundimtare. Por kjo nuk është hera e parë që Shqipëria përballet me një mister të tillë. Edhe Ervis Martinaj ishte në kërkim nga SPAK-u kur familjarët denoncuan humbjen e kontakteve me të, në gusht të vitit 2022. Më shumë se katër vjet më vonë, fati i tij ende nuk është zbardhur publikisht me siguri dhe asnjë version nuk e ka mbyllur përfundimisht këtë histori.

Dy raste të ndryshme, por me një pikë të përbashkët: Persona të kërkuar nga drejtësia, të cilët zhduken nga vëmendja e autoriteteve, duke lënë pas më shumë pyetje sesa përgjigje.

A kemi të bëjmë me aftësinë për t’iu shmangur për vite me radhë strukturave të shtetit, me dështime në gjurmimin e tyre, apo me ngjarje që kanë ndodhur jashtë kontrollit të autoriteteve? Përgjigjet nuk mund të ndërtohen mbi hamendësime. Ato kërkojnë prova, hetime dhe transparencë. Sepse në fund, pyetja nuk është vetëm se ku përfunduan këta njerëz, por edhe si është e mundur që, në dy raste kaq të bujshme, paqartësia të vazhdojë të mbizotërojë. Dhe derisa të dalin faktet, misteri mbetet i hapur. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *Fokus*KryesoreAktualitetEmisioneGjerat tona Ervis MartinajGjerat Tonaleonard dukasantiago malko