Lajme Zone
Exclusive/ 11 elektricistë humbën jetën në 2026, vëllai i 33-vjeçarit Mark Prenga rrëfen me lot në sy telefonatën me lajmin e rëndë: Kur hipi në shtyllë…
Të tjeraTop Channel

Exclusive/ 11 elektricistë humbën jetën në 2026, vëllai i 33-vjeçarit Mark Prenga rrëfen me lot në sy telefonatën me lajmin e rëndë: Kur hipi në shtyllë…

Exclusive nga Marinela Lina

Exclusive nga Marinela Lina Ka ceremoni mortore ku dhimbja shprehet me lot. E ka edhe të tjera ku ajo merr formën e një gjame, një tradite të lashtë që mbart në vetvete historinë, nderimin dhe peshën e humbjes.

Në Dukagjin, burrat u mbledhën për të përcjellë në banesën e fundit një prej bijve të tyre. Vetëm 34 vjeç. Një moshë kur jeta duhet të ishte përpara, kur planet sapo marrin formë dhe familja pret që çdo ditë ai të kthehet në shtëpi. Por Angjelin Nika nuk u kthye më. Ai humbi jetën në krye të detyrës ndërsa punonte për rikthimin e energjisë elektrike në fshatin Bardhaj. Kishte dalë për t’u sjellë dritën banorëve që kishin mbetur në errësirë.

Sot në vend të tij është.. heshtja…

Një përcjellje që nuk është thjesht lamtumira për një 34-vjeçar. Është edhe një tjetër kujtesë e dhimbshme për njerëzit që çdo ditë ngjiten në shtyllat elektrike, përballen me rrezikun dhe mbajnë mbi supe një shërbim pa të cilin jeta e përditshme do të ndalej. Por sa të sigurt janë ata që kujdesen që të tjerët të kenë dritë? Dhe sa duhet të humbasin ende, përpara se siguria e tyre të bëhet një prioritet i vërtetë?

Angjelini nuk është i vetmi që nuk u kthye më nga puna.

Gjatë vitit 2026 në Shqipëri janë regjistruar njëri pas tjetrit raste të rënda të humbjes së jetës së elektricistëve. Nga Dukagjini, Vau Dejës, Lezhë, Belsh, Patos, Vlorë e deri në Himarë. Në shtylla, në nënstacione, në terrene të vështira dhe gjatë ndërhyrjeve për riparimin e rrjetit. 11 emra. 11 histori të ndryshme, privat, shtet, në orarin e punës apo jashtë saj. Dhe një profesion që duket se po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm.

Mark Prenga. Bashkim Boçi. Agim Beqiri. David Deda. Muhamet Sylisufaj. Ermal Dëbrova. Klajdi Zekthi. Lulzim Shehu. Altin Petanaj. Angjelin Nika janë emrat e punonjësve që kanë humbur jetën.

ELEKTRICISTËT QË KANË HUMBUR JETËN Mark Prenga Lezhë 19.02. 2026 OSHEE tension në linjën 10kV Lutfi Elezaj Tiranë 29.05.2026 OSHEE rënie lartësi

Bashkim Boci Himarë 22.07.2026 OSHEE tension në linjën 10kV Agim Beqiri Pogradec 26.07.2026 BASHKI kontakt me energjinë

David Deda Vau Dejës 29.08.2026 OSHEE kontakt me energjinë, jashtë orarit

Muhamet Sylisufaj Tropojë 8.09.2026 BASHKI kontakt me energjinë

Ermal Dëbrova Patos 11.09.2026 PRIVAT kontakt me energjinë

Klajdi Zekthi Belsh 12.09.2026 OSHEE tension në linjën 10kV Lulzim Sehu Dibër 05.11.2026 OSHEE rënie bashkë me shtyllën

Altin Petanaj Vlorë 06.11.2026 OSHEE tension në linjën 35 kV

Angjelin Nika Shkodër 09.11.2026 OSHEE kontakt me energjinë, jashtë orarit Në mëngjesin e 19 shkurtit 2026, në Rrilë të Lezhës, një ndërhyrje për rikthimin e energjisë elektrike do të kthehej në një aksident fatal.

Mark Prenga, 33 vjeç, prej tre vitesh punonjës pranë OSHEE-së, ishte njoftuar nga banorët për mungesën e energjisë elektrike në zonë. Së bashku me kolegun, ai shkoi për të riparuar defektin në një shtyllë elektrike, vetëm 50 metra larg nënstacionit të Rrilës. Por, sapo mbërriti në lartësi, ai ra në kontakt me rrymën.

Me dhimbje dhe lot në sy Gjevalin Prenga, vëllai i Markut rrëfen për Top Channel momentet kur mësoi se i vëllai kishte humbur jetën në krye të detyrës. Për familjen Prenga, lajmi ishte i papritur. Gjevalini rikthen momentet e para pas ngjarjes, telefonatën që ndryshoi gjithçka dhe atë që mësoi për rrethanat në të cilat humbi jetën vëllai i tij.

Por përtej humbjes së jetës, familja ngre pikëpyetje edhe mbi kushtet në të cilat punonte Marku. Sipas vëllait të tij, një pjesë e pajisjeve të nevojshme për punën elektrike i kishte siguruar vetë, duke i blerë me shpenzimet personale. Një detaj që rikthen vëmendjen te përgjegjësia e punëdhënësit për garantimin e mjeteve dhe kushteve të sigurisë në punë.

“Ka dalë nga shtëpia rreth orës 07:30 dhe ka shkuar për të riparuar një defekt në qendër të Rrilës. Më pas ka ardhur drejtpërdrejt këtu, te kjo shtyllë. Njëra prej linjave kishte pësuar defekt dhe, në momentin që ka hipur në shtyllë, ka rënë në kontakt me energjinë elektrike, e cila fatkeqësisht i ka marrë jetën.

Sipas asaj që më është komunikuar, inxhinieri e ka njoftuar për defektin në një vend të caktuar dhe ai ka shkuar menjëherë për të ndërhyrë. Në momentin që është ngjitur në shtyllë, sipas dëshmisë së kolegut të tij, ka rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe fatkeqësisht ka humbur jetën.

Mua më kanë njoftuar rreth 20-30 minuta pas ngjarjes. Kur mbërrita, nuk shkova në vendin ku kishte ndodhur aksidenti, sepse më thanë se e kishin nisur drejt Lezhës, në spital, te morgu. U ktheva dhe shkova atje për ta pritur.

Është një dhimbje shumë e madhe. E kam përjetuar jashtëzakonisht keq unë dhe familja ime. Kanë qenë momente shumë të vështira për familjen tonë.

Ai e kishte shumë pasion punën. E donte jashtëzakonisht shumë profesionin e tij. Kishte punuar edhe më parë privatisht, më pas kreu kursin, mori diplomën dhe filloi punë në këtë profesion.

Orar të përcaktuar nuk kishte absolutisht. Edhe kur kthehej në shtëpi në mbrëmje, mjaftonte një telefonatë për një defekt dhe ai nisej menjëherë. Edhe në orën 22:00 apo 23:00 të natës ka dalë për të ndërhyrë. Ishte pothuajse gjithmonë në gatishmëri.

Sa i përket pajisjeve mbrojtëse, me dijeninë time, rrobat që kishte veshur ditën e ngjarjes janë në Prokurori, pasi çështja është ende nën hetim. Kur kam shkuar në morg, kam parë dorezat e punës që përdorin elektriçistët për t’u mbrojtur nga rreziku, si dhe disa pajisje të tjera të vogla.

Për sa i përket mungesave në mjete dhe pajisje, ato kanë qenë të pranishme. Vëllai im, pjesën më të madhe të veglave të punës që kishte, i kishte blerë vetë me paratë e tij, pasi institucioni përkatës nuk ia siguronte”, tha ai.

Familja nuk është mjaftuar vetëm me kërkimin e përgjigjeve. Çështja është dërguar në gjykatë, ku kërkohet të përcaktohen përgjegjësitë për ngjarjen që i mori jetën 33-vjeçarit. Gjevalini tregon se çfarë kërkon familja përmes procesit gjyqësor dhe në çfarë faze ndodhet sot kjo çështje.

Sipas njoftimit të Policisë, njëra prej linjave paralele vijonte të ishte nën tension, pavarësisht ndërhyrjes për riparimin e defektit. Por Gjevalini na tregon se vetëm pas kësaj ngjarje tragjike institucionet morën masa të shkëpusin linjën paralele dhe të riparojnë pjesët e amortizura të këtij rrjeti në këtë shtyllë…

Por pas çdo ndërhyrjeje në rrjetin elektrik qëndron edhe një njeri, një familje dhe një jetë që mund të mos vazhdojë më njësoj. Për familjen e Bashkimit, 22 korriku 2026 ishte dita kur puna e tij 26-vjeçare në sektorin e energjisë elektrike mori fund në mënyrën më tragjike.

54-vjeçari nga Elbasani ishte dërguar me shërbim në Himarë, siç kishte ndodhur për rreth 15 vite gjatë sezoneve turistike. Ishte ora 03:00 e mëngjesit. Moti ishte i keq, me reshje të dendura shiu, bubullima dhe shkarkime atmosferike. Familjarët nuk dinë ende të tregojnë me saktësi se çfarë ndodhi atë natë. Dinë vetëm se Bashkimi nuk u kthye më. Lajmi mbërriti në Elbasan rreth orës pesë të mëngjesit.

“Ma tregoi duke qarë. Tha: Bashkimi, Bashkimi, korrenti, korrenti. Kaq. Kaq di.”

Ai kishte lënë pas bashkëshorten dhe dy fëmijë. Vajza ishte në muajin e tetë të shtatzënisë. Bashkimi nuk arriti ta njihte nipin që po priste me aq shumë dëshirë.

“Sa shumë po e priste! Bashkimi nuk pati fatin ta shihte.”

26 vite punë në shërbim të energjisë elektrike. Por për familjen e tij, ajo që mbeti pas ishte një telefonatë në agim dhe një mungesë që nuk zëvendësohet.

Dy histori që përfunduan me humbjen e jetës së dy punonjësve të energjisë elektrike. Por sa të izoluara janë këto ngjarje dhe çfarë tregojnë ato për sigurinë në punë në këtë sektor?

Përgjigjja vjen nga vetë të dhënat e administruara nga strukturat përgjegjëse. OSHEE I bën të ditur Top Channel se për periudhën 2021-2026, janë evidentuar gjithsej 14 aksidente në punë me pasojë humbjen e jetës dhe 26 raste të tjera ku punonjësit kanë mbetur të plagosur.

Por pas këtyre tragjedive fshihet një pyetje që shkon përtej rrethanave të çdo aksidenti: a po bëhet gjithçka që këta njerëz të jenë të sigurt në vendin e punës? Përgjigjet nuk gjenden vetëm në vendet ku ndodhën tragjeditë. Ato duhen kërkuar në mënyrën se si organizohet puna, në pajisjet që përdoren, në trajnimin e punonjësve dhe mbi të gjitha, në përgjegjësinë e institucioneve.

AZMER DULEVIÇ, EKSPERT ENERGJIE: “Kjo është një situatë alarmante, sepse vetëm nga shkurti deri në ditët aktuale që ne jemi, kanë humbur jetën 11 elektricistë. Këta janë punonjës të OSSH-së, operatorit të sistemit të shpërndarjes, por shpeshherë edhe punonjës të ndriçimit rrugor nëpër bashkitë e vendit. Kjo është e papranueshme. Në vitin 2026, të humbasësh jetën nga kontakti me rrymën elektrike dhe për ironi të fatit të jesh dhe specialist elektrik, pra kjo nuk qëndron dhe këtu duhet të bëhet identifikimi i problemeve pse jemi në këtë situatë, sepse nuk humbet jetën kot një elektricist.”

Për një elektricist kushtetuta e punës është rregullorja e sigurisë. Ajo përcakton kufijtë mes një ndërhyrjeje të zakonshme dhe një rreziku që mund t’i kushtojë jetën. Por çfarë parashikon konkretisht kjo rregullore dhe cilat janë detyrimet që duhet të zbatohen përpara se një elektricist të ndërhyjë në rrjetin elektrik?

VKM nr. 562, datë 3 korrik 2013, përcakton kërkesat minimale për sigurinë dhe shëndetin në përdorimin e pajisjeve të punës. Sipas saj punëdhënësi duhet të sigurojë pajisje të përshtatshme, të vlerësojë rreziqet dhe të marrë masa për mbrojtjen e punonjësve. Që prej asaj kohe, kuadri ligjor për sigurinë në punë ka pësuar ndryshime. Por sa janë përditësuar procedurat konkrete të sigurisë për punonjësit që ndërhyjnë në rrjetin elektrik?

Në një profesion ku një gabim mund të jetë fatal, këto nuk janë thjesht procedura administrative. Janë rregulla që duhet të garantojnë se punonjësi mund të kryejë detyrën dhe të kthehet i sigurt në shtëpi.

ILIR DIZDARI, EKSPERT ENERGJIE: “Rreth vitit 1936 është shkruar rregullorja e sigurimit teknik për herë të parë. Shumica e njerëzve e trajtojnë rregulloren e sigurimit teknik edhe e flas për specialistët të tjerë të njerëzve sepse ajo është një rregullore që vlen për specialistët, të cilët punojnë në këto fusha, në fushën e energjitikës. Tensioni e lartë apo tensioni e ulët. Kjo rregullore nuk trajtohet me seriozitetin e duhur. Kemi pasur disa rregulla strikte deri në vitet ’90, më saktë deri në vitet 2000, që ka qenë ajo pjesa e plejadës së vjetër të inxhinierëve të rritur në një sistem diktatorial, po që rregullat ishin strikte dhe ata i kërkonin. Dhe pastaj kemi me, domethënë do quaja jo formë liberalizimi, po një formë të lënies pas dore, e cila ka ardhur dhe për një arsye fare elementare që ka pasur të bëjë me pjesën manaxheriale, të cilët nuk i kanë kushtuar vëmendje kësaj gjëje. Rregullorja e sigurimit teknik e pasuruar, e fundit mban datën e 2000, vitit 2004, që është e përditësuara, është një temë të cilën nuk e trajtojnë siç duhet, ose nuk e kanë parasysh siç duhet specialistët, inxhinierët, por mbi të gjitha menaxherët që drejtojnë strukturat e prodhimit të energjisë elektrike, e menaxhimit edhe e furnizimit me energji elektrike, e transmetimit dhe furnizimit me energji elektrike. Kjo rregullore përcakton qartë se kush janë rregullat strikte që duhet të ndiqen për të mbajtur, ose më saktë, për të mbajtur stafin teknik në gjendje të mirë teknike, të përgatitur për punimet që kryen.” AZMER DULEVIÇ, EKSPERT ENERGJIE: “Unë po e nis nga baza. E para e punës, në rast të një remonti, të një defekti, do të shikohet ambienti i punës. Si është praktikë në të gjithë rregulloret dhe standardet europiane. Nëse të rrezikohet jeta për momentin ose kushtet janë të pafavorshme ditë me shi, ditë me erë që ti mund të mos biesh në kontakt me rrymën, por bie nga shtylla. Pse? Se mund të ketë ngrica dhe kemi raste që kanë rënë nga shtylla elektriçistë dhe kanë humbur jetën nga rënia nga lartësia. Ose nëse ti e shikon që një shtyllë është e vendosur në një bazament ku dheu nuk është i qëndrueshëm, pra, dhe shtylla batohet apo anohet, ti nuk duhet të hipësh në këtë shtyllë. Dhe e para, në këto raste, kur është mundësia që ti je në rrugë dhe nuk është i nevojshëm përdorimi i kamalecave tradicionalë që përdorin këtu te ne, ka makina urë, pra, që përdoren në të gjithë Europën. Pra, nuk është nevoja që ti të përdorësh kamalecat. Ato përdoren vetëm në rastet kur është e pamundur që të kalojë makina. Por, a i kemi ne këto makina, të lind pyetja? A, dhe unë kam dyshimet e mia që shpeshherë këto janë shumë të pakta, mos të them, mungojnë fare në vendin tonë. Dhe e dyta, përsa i përket veprimeve që duhen bërë në rastin e një defekti apo të një problematike. Duhet gjithmonë, pikësëpari, të jenë dy veta. Asnjëherë nuk duhet një elektriçist të shkojë vetëm për të zgjidhur problemin. Edhe pika tjetër që është e rëndësishme: asnjëherë nuk duhet të punohet në tension. Si procedurë, duhet të njoftohet dispeçeria, pra, hapin një regjistër urdhër pune dhe më pas dispeçeria njofton nënstacionin për stakimin e linjës. Por kjo nuk mjafton sepse shumica këtu humbasin jetën. Sepse edhe nga moskoordinimi me nënstacionin, operatorin e nënstacionit, sepse i thuhet në telefon që është stakuar linja, hipin në shtyllë, prekin përcjellësin dhe humbasin jetën. Nuk veprohet në këtë lloj forme. Edhe pasi ti e ke marrë konfirmimin që është stakuar linja, para se të hipësh në shtyllë, ka indikator stek, pra, që nga toka ti e shikon është shkëputur apo jo, le të themi, energjia elektrike. Nëse je i sigurt që është shkëputur, prapë nuk hipim në shtyllë. Sepse duhet të bëhet tokëzimi i linjës. Këtë shumë, shumë pak e bëjnë këtu te ne. Nëse bëhet tokëzimi i linjës, edhe nëse dikush, në mënyrë aksidentale, e rikthen energjinë në këtë linjë ku do punohet, funksionon mbrojtja, pra bie ai automati në thonjëza, dhe shpëton jetën ai elektriçisti. Këto veprime të thjeshta që unë thashë, në… nëse do ishin zbatuar, këta elektriçistë nuk do kishin humbur jetën.”

Por çfarë ndodh në praktikë? A zbatohen këto kërkesa dhe a pajisen elektricistët me mjetet e nevojshme për të kryer punën në siguri?

Në përgjigjen e saj, OSHEE bën me dije se strukturat përkatëse, nëpërmjet drejtorive rajonale, organizojnë shpërndarjen e mjeteve individuale mbrojtëse dhe pajisjeve të nevojshme të punës për elektricistët dhe grupet e ndërhyrjes. Sipas shoqërisë, në rastet kur evidentohen nevoja për plotësimin ose zëvendësimin e pajisjeve, ndiqen procedurat për sigurimin e tyre.

OSHEE: “Pajisja e punonjësve me mjetet e nevojshme mbrojtëse dhe përdorimi i tyre në përputhje me kërkesat e sigurimit teknik përbëjnë elemente të domosdoshme për kryerjen e punimeve në rrjetin elektrik. Në rastet e konstatimit të shkeljeve të procedurave të sigurimit teknik, janë marrë masa disiplinore ndaj punonjësve përgjegjës, të cilat përfshijnë vërejtje me shkrim, paralajmërime për largim nga puna dhe masa të tjera në përputhje me natyrën dhe rëndësinë e shkeljeve të konstatuara. Këto masa janë zbatuar sipas rastit edhe ndaj personelit përgjegjës për mbikëqyrjen dhe kontrollin e respektimit të kushteve të sigurisë në punë.”

Por mes asaj që parashikohet në rregulloret e sigurimit teknik dhe asaj që ndodh në terren, jo gjithmonë ka një përputhje. Në kushtet e presionit për të rikthyer energjinë elektrike sa më shpejt te abonentët, disa elektricistë ngjiten në shtylla duke u mbështetur te përvoja shumëvjeçare, por pa përdorur të gjitha mjetet mbrojtëse të nevojshme.

Kjo është ajo që tregon edhe pamja e Gëzim Gjonajt, në një zonë veriore të vendit. I veshur vetëm me kamaleca, pa rripin e sigurimit dhe pa pajisjet e tjera mbrojtëse, ai ngjitet në një shtyllë prej druri për të riparuar defektin dhe për të rikthyer energjinë elektrike. Një ndërhyrje që përfn me rikthimin e dritave për banorët, por që ngre një tjetër pyetje: a mund të konsiderohet e sigurt një punë e kryer pa të gjitha mjetet mbrojtëse që kërkon vetë rregullorja?

AZMER DULEVIÇ,E SKPERT ENERGJIE: “Ne kemi dhe zona rurale që janë akoma shtylla druri apo të improvizuara nga ana e qytetarëve. Normalisht kjo kërkon investim, kërkon buxhet. Por duhet të themi një fakt: niveli i arkëtimeve sipas të dhënave zyrtare të vetë ministrisë është mbi 98-99%. Pra qytetarët i paguajnë lekët për energjinë elektrike. Po çfarë marrin mbrapsht? A e marrin në cilësinë e duhur energjinë elektrike? Dhe a kompensohen shpeshherë, le të themi, qoftë edhe familjarët e elektriçistëve që kanë humbur jetën, nga ana e institucionit, apo qoftë edhe qytetarët që i digjen edhe elektroshtëpiaket? Pra, për shkak apo për faj, le të themi, të vetë OSSH-së. Pra duhet të ndryshojë totalisht kjo skemë.”

Jo vetëm kontakti me energjinë elektrike është ndër shkaqet kryesore të humbjeve të jetës renditen disa si njohuritë e pakta dhe formimi profesional, rënia nga lartësia, kushtet e rënduara atmosferike, terreni i vështirë dhe amortizimi i rrjetit.

Faktorë që në një profesion ku ndërhyrja në rrjetin elektrik është pjesë e përditshme e punës, e bëjnë sigurinë një çështje jetike. Megjithatë institucionet sqarojnë se përcaktimi i shkaqeve konkrete dhe përgjegjësive për çdo aksident i takon hetimeve dhe verifikimeve nga organet kompetente.

AZMER DULEVIÇ,E SKPERT ENERGJIE:

“Unë e kam ngritur shpeshherë si shqetësim: pjesa më e madhe e drejtuesve të OSSH-së në të gjithë Republikën e Shqipërisë nuk kanë formim inxhinierik, sepse nuk mjafton në këtë institucion të kesh vetëm njohuri juridike apo ekonomike. Ka shumë që janë marrë juristë të nderuar, avokatë të nderuar me divorce dhe më pas kanë përfunduar drejtues të OSSH-së në një rreth apo në një qark të nderuar. Dhe kjo duhet të ndryshojë. Duhet të ndryshojë për çfarë? Për sigurinë e punonjësve, sepse çfarë presim ne të merren, të ndodhin ndonjë vdekje tjetër që të merren masat? Dhe kjo, le të themi, është alarmante situata. Mos flasim pastaj për kushtet e vështira të punës, që ka të bëjë me pagën e punonjësve.”

“NGA SHTYLLA TE PËRGJEGJËSIA”

Pas rrëfimeve të familjarëve, pamjeve nga terreni dhe dëshmive për mënyrën si kryhet puna, mbetet një pyetje që shkon përtej rrethanave të çdo aksidenti: çfarë ndodh pasi një elektricist humb jetën në krye të detyrës? Në atë moment, përveç dhimbjes së familjes nis edhe procesi për të përcaktuar se si ndodhi aksidenti dhe nëse ai mund të ishte parandaluar.

Vdekja në vendin e punës nuk e mbyll çështjen. Ajo hap një proces për të zbardhur rrethanat, për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të kuptuar nëse tragjedia mund të ishte shmangur.

Ligji për sigurinë dhe shëndetin në punë ia ngarkon punëdhënësit detyrimin të parandalojë rreziqet, të vlerësojë kushtet e punës, të informojë dhe trajnojë punonjësit, si dhe të sigurojë masat e nevojshme mbrojtëse. Këto detyrime nuk mbarojnë me pajisjen e elektricistit me mjete pune; ato përfshijnë edhe organizimin dhe kontrollin e punës.

Në rastin e Mark Prengës, Policia bëri me dije se njëra prej linjave paralele vijonte të ishte nën tension. Kjo rrethanë e bën të rëndësishme të verifikohet jo vetëm çfarë ndodhi në shtyllë, por edhe si u organizua ndërhyrja dhe nëse u morën masat e kërkuara përpara nisjes së saj.

Por çfarë ndodh kur një punonjës humb jetën gjatë punës?

ILIR DIZDARI, INXHINIER ELEKTRIK: “Problemi është i kontrollit ligjor. Ne kemi një institucion që quhet Inspektoriati Shtetëror Teknik dhe Industrial, i cili ka një drejtori që quhet Drejtoria e Aksidenteve. Kjo drejtori… nxjerr përgjegjësit kryesorë ose të thamë, përgjegjësit kryesorë sepse për cilin shkak… për cilin shkak ligjor apo teknik apo njerëzor apo aksidental ka ndodhur… ka ndodhur problemi, ose ka ndodhur vdekja, apo ka ndodhur zjarri e të tjerë e të tjerë. Pra, ëh… në thelb kjo është ajo drejtori e cila e nxjerr se kush është dhe i takon përgjegjësia kësaj, sepse është sjellë nga pikëpamja institucionale. Pastaj se si operojnë, kjo është çështje për t’u parë, e kupton? Duhet parë rast pas rasti.”

Përgjegjësia nuk përcaktohet vetëm nga rrethanat e dukshme të aksidentit. Duhet të shqyrtohet nëse janë përmbushur detyrimet për vlerësimin e rrezikut, trajnimin, pajisjet dhe organizimin e sigurt të punës.

Në një aksident elektrik, hetimi nuk mund të ndalet vetëm te veprimi i fundit i punonjësit. Duhet të shqyrtohen edhe detyrimet e atyre që organizojnë dhe mbikëqyrin punën. A ishte vlerësuar rreziku përpara ndërhyrjes? A ishin përcaktuar masat e sigurisë? A kishte punonjësi pajisjet dhe kushtet e nevojshme për ta kryer detyrën?

ILIR DIZDARI, INXHINIER ELEKTRIK: “Çdo proces i cili ndërhyrje në sistemin e energjisë elektrike ka protokollet e veta. Protokollet nuk shkelën për asnjë lloj arsyeje. Protokollet nuk shkelën kur… domethënë e punimeve në rrjetet e energjisë elektrike nuk shkelën as në kohë lufte, kupton? Janë protokolle të rrepta, se kanë të bëjnë me sigurinë e njerëzve. Protokollet që ndiqen duhet të zbatohen me një herë. Shkelja e protokolleve sjell për pasojë… jetë njerëzish.”

Një pjesë e aksidenteve të fundit në sektorin elektrik janë ende nën hetim ndërsa përgjegjësia për secilin rast do të përcaktohet nga organet e drejtësisë.

Por vendimet e mëparshme gjyqësore tregojnë se përgjegjësia për aksidentet në punë nuk i është ngarkuar gjithmonë vetëm punonjësit. Në çështjen e elektricistit Sabri Vlinga, i cili humbi jetën në vitin 2017, Gjykata e Fierit konstatoi përgjegjësi të OSHEE-së dhe vendosi dëmshpërblim për familjarët e tij. Edhe në çështje të tjera gjykatat kanë detyruar kompaninë të dëmshpërblejë familjarë të punonjësve të dëmtuar në aksidente në punë.

Këto vendime nuk përcaktojnë përgjegjësinë për aksidentet e fundit, por tregojnë se detyrimet e institucionit për sigurinë në punë janë shqyrtuar edhe më parë nga drejtësia.

Përtej rrethanave të çdo aksidenti, një tjetër pyetje lidhet me gjendjen e infrastrukturës ku punojnë elektricistët. Sa i përgatitur është rrjeti elektrik për të përballuar kërkesën në rritje dhe sa investohet për ta modernizuar atë?

Të dhënat e publikuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e rrjetit të shpërndarjes është e vjetër. Në të dhënat teknike të publikuara nga institucioni, mosha mesatare e disa linjave dhe pajisjeve arrin rreth 35 deri në 40 vjet. Dokumenti evidenton gjithashtu se vjetërsia dhe mbingarkesa e një pjese të rrjetit kanë krijuar vështirësi në furnizim dhe në menaxhimin e tij.

Në të njëjtën kohë, operatori ka deklaruar investime për zgjerimin dhe rikonstruksionin e rrjetit. Për vitin 2025, OSHEE/OSSH njoftoi një buxhet investimesh prej 8.5 miliardë lekësh dhe raportoi punime në nënstacione, ndërtimin e 667 kilometrave linja të reja dhe 661 kabinave, si dhe ndërhyrje në 1,306 kilometra linja të tensionit të ulët.

Por këto shifra ngrenë një tjetër pyetje: sa nga investimet e planifikuara janë përfunduar dhe çfarë ndryshimi kanë sjellë në sigurinë dhe qëndrueshmërinë e rrjetit?

ILIR DIZDARI, INXHINIER ELEKTRIK: “Nuk them se nuk janë bërë investime, problemi është që dikur kemi pasur… flas para viteve ’90, kemi pasur ëh… institucione apo institute që merreshin me… rregullimin e… Unë mendoj që ministria respektive duhet të ndërtojë… një institucion ndoshta dhe mund ta ketë… që duhet të bëjë koordinimin dhe… llogaritjen… edhe preventivuese edhe parashikuese… dhe drejtuese të… investimeve se ku duhet të shkojnë. Për të bërë atë që… për të bërë atë që të kemi një furnizim të rregullt, normal dhe brenda kushteve teknike.”

AZMER DULEVIC, INXHINIER ELEKTRIK: “Ne kemi rreth 28.800 km përcjellësa të sistemit të shpërndarjes që nuk janë ndërruar sot e 35 vite. Pra, që janë… Ka një arsye, profesor? Patjetër që ka arsye, sepse sa më i amortizuar është rrjeti, aq më shumë janë problemet dhe defektet, se këputen përcjellësit. Dhe janë telat e arnuar. Duhet të jetë fokusi këtu. Pikërisht tek investimet në sistemin e shpërndarjes dhe te trajnimi i punonjësve. Pra, duhet të trajnohen për ta kryer veprimin. Unë besoj se pjesa më e madhe e teknikëve nuk i dinë fare këto rregullat apo procedurat përsa i përket pjesës së operimit në punë, sepse OSSH-ja mjaftohet apo justifikohet me provimin e sigurimit teknik që e japin një herë në vit elektriçistët, por nuk mjafton. Sepse ato janë pyetje standarte që janë çdo vit.”

Pas historive të jetëve të humbura, hetimeve dhe pyetjeve për sigurinë në punë, ka edhe një tjetër anë të këtij profesioni.

Ka të rinj që e zgjedhin elektricistin jo vetëm si një mënyrë për të siguruar jetesën, por si një zanat. Nikollaq Sukulli e ka zgjedhur që i ri. Fillimisht ndiqte të vëllanë në punë, në ditët e pushimit. Sot edhe pse e njeh rrezikun nga afër thotë se elektricisti është një profesion që e do.

NIKOLLAQ SUKULLI, ELEKTRICIST:“E kam nisur që 17-18 vjeç. Shkoja me vëllain kur ishte pushim. Më pëlqente kjo punë, sepse i jep ndriçim njerëzve.”

Por pasioni nuk i heq rreziqet. Nikollaqu flet për pajisjet që mungojnë, për punonjësit që nuk i përdorin gjithmonë mjetet e sigurisë dhe për nevojën që askush të mos vihet përpara zgjedhjes mes kryerjes së punës dhe ruajtjes së jetës.

NIKOLLAQ SUKULLI, ELEKTRICIST: “Siguria duhet të jetë e para, pastaj vjen puna.”

Por si cdo profesion tjetër edhe ai I elektricistit ka zgjedhur rurgën e emigrimit. Me arsye rkyesor pagat më të larta.

“E dua Shqipërinë dhe dua të ndërtojmë vendin tonë. Por pagat më të alrta jastë na shtyjnë të ikim.”

AZMER DULEVIC, INXHINIER ELEKTRIK: “Sot mesatarja e punonjësve, e moshës së punonjësve është mbi 50 e ca vjeç. Pra, nuk shkon një i ri, pra të punojë si elektricist. Pse? Sepse është paga qesharake, kushtet e punës të vështira, madje në shumë fshatra elektricistët nuk njohin turne. Pra, ai e ka turnin 7 me 3 apo 7 me 4, ndodh defekti në 10:00 të darkës, është i detyruar të shkojë ta zgjidhi dhe nuk i paguhen orët shtesë. Le të dalë një elektricist në Republikën e Shqipërisë le të më kundërshtojë për këtë që po them. Nëse bëjnë defekte dhe rimonte gjatë natës, a i paguan kush? Absolutisht jo. Madje në shumë raste janë të detyruar të shkojnë, të shkojnë me mjetet e tyre. Pra, me benzinën e tyre, me naftën e tyre, pasi dhe transporti nuk i sigurohet. Kjo është një situatë që zgjidhet shumë kollaj, pasi duhet të bëhet formalizimi i një strukture për zgjidhjen e rimonteve nga profesionistë, por normalisht ata që duhet t’i drejtojnë këto institucione duhet ta njohin fushën.”

PRANERA HYSENAJ, INXHINIERE ELEKTRIKE: Por dëshira e të rinjve për të qëndruar e për të ndërtuar të ardhmen në këtë profesion nuk mund të mbështetet vetëm te pasioni i tyre. Që elektricistët të mos përballen të vetëm me rrezikun, përgjegjësia duhet të jetë e përbashkët: nga punonjësit që e njohin këtë profesion nga afër, te institucionet dhe drejtuesit që duhet të garantojnë kushte të sigurta pune. Sepse asnjë afat, asnjë ndërprerje energjie dhe asnjë detyrë nuk mund të jetë më e rëndësishme se jeta e njeriut.

Elektricistët janë ata që rikthejnë dritën kur ajo mungon. Por historitë që kemi trajtuar tregojnë se pas kësaj pune qëndrojnë rreziqe që nuk mund të bëhen pjesë e zakonshme e profesionit. Për ata që humbën jetën, përgjegjësia duhet të përcaktohet dhe familjet të mos mbeten vetëm me dhimbjen. Për ata që vazhdojnë të punojnë, siguria duhet të jetë kusht, jo zgjedhje.

Dhe për të rinjtë si Nikollaqu, që e duan këtë profesion dhe duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu, duhet të ketë arsye për të qëndruar. Sepse drita duhet të vazhdojë të ndizet. Por jo me çmimin e jetës së atyre që e sjellin. Top Channel