Dy persona janë proceduar penalisht në Korçë, pas rastit të gjashtë fëmijëve nga i njëjti kopsht, të cilët janë paraqitur në spital me simptoma të njëjta gastrointestinale. Policia bën me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë kanë proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, një mjeke 57-vjeçare e Spitalit Rajonal Korçë, në pavijonin e Pediatrisë, si dhe drejtoreshën 60-vjeçare të kopshtit ku qëndronin fëmijët.
Sipas njoftimit zyrtar, procedimi penal nisi pasi gjatë pasdites së djeshme dhe ditës së sotme, gjashtë fëmijë nga i njëjti kopsht janë paraqitur në spital me simptoma të njëjta gastrointestinale.
Policia thotë se mjekja dyshohet se nuk ka njoftuar Policinë për rastet e paraqitura në spital.
Ndërkohë, drejtoresha e kopshtit dyshohet se nuk ka përmbushur detyrimin e saj funksional për kontrollin dhe verifikimin e ushqimit të konsumuar nga fëmijët.
Rasti është ende nën hetim dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse simptomat e fëmijëve kanë ardhur si pasojë e helmimit nga ushqimi apo një viroze.
Materialet procedurale pritet t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për vijimin e veprimeve të mëtejshme procedurale. Top Channel

