Një situatë shqetësuese është denoncuar në këndin e lojërave pranë Pediatrisë në QSUT, aty ku fëmijët duhet të kenë një hapësirë të sigurt për të kaluar disa momente jashtë ambienteve të spitalit.
Një prind i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania duke denoncuar praninë e një gjarpri në ambientet e këndit të lojërave. Sipas denoncuesit, ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme, ndërsa në atë hapësirë ndodheshin fëmijë dhe prindër.
Në videon e dërguar në redaksi shihet një qytetar që afrohet pranë gjarprit dhe, duke përdorur një shkop, përpiqet ta largojë nga ambienti ku luajnë fëmijët.
Prania e një gjarpri në një hapësirë të tillë ngre pikëpyetje serioze për sigurinë dhe mirëmbajtjen e ambienteve të Pediatrisë. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një kënd lojërash ku qëndrojnë fëmijë, të cilët mund të mos e kuptojnë rrezikun dhe mund t’i afrohen zvarranikut.
Një tjetër shqetësim që ngrihet është se përse, në një situatë të tillë, ndërhyrja për largimin e gjarprit është bërë nga një qytetar dhe jo nga personeli apo shërbimet përkatëse të institucionit.
Prindërit kërkojnë që institucionet përgjegjëse të marrin masa për kontrollin dhe pastrimin e ambienteve, si dhe për ndërhyrjen e specializuar në raste të pranisë së zvarranikëve, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten në hapësirat ku qëndrojnë fëmijët.
“Gjarpri traumatizon fëmijët te Pediatria!”, shkruan denoncuesi, i cili i bën thirrje institucioneve përgjegjëse të reagojnë për sigurinë e fëmijëve brenda dhe përreth ambienteve të Pediatrisë. View this post on Instagram A post shared by JOQ Albania (@joqalbania)

