Lajme Zone
Giorgia Meloni dhe normalizimi i autoritarizmit në Itali
BotëPamfleti

Giorgia Meloni dhe normalizimi i autoritarizmit në Itali

I mbrojtur nga një gardh pak më tutje, drejtori i sapoemëruar i një gazete financiare po drekonte me një ish-ministër, tashmë drejtues në industrinë e armatimeve. Drejtori i një qendre studimore për marrëdhëniet ndërkombëtare sapo kishte përshëndetur një përfaqësuese të sipërmarrësve të Piemontes, ndërsa një delegacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe ishte përzier, në prani të një kleriku, me drejtuesit e botës ekonomike të një prej rajoneve më të industrializuara të Evropës.

Pamje nga protestat në Itali / Organizatat që ndihmojnë emigrantët, gjykatësit, gazetarët dhe protestuesit po përballen me presionin në rritje të qeverisë italiane. Ndërsa zgjedhjet parlamentare të vitit 2027 afrojnë, përplasjet me institucionet dhe shoqërinë civile po thellojnë klimën e tensionit dhe po ngrenë pikëpyetje mbi drejtimin demokratik të vendit… Më 12 tetor, jeta në tarracën e restorantit “Quattro Mori”, pranë teatrit Dal Verme në Milano, vazhdonte si zakonisht. Assolombarda, shoqata e industrialistëve të Milanos, kishte marrë me qira sallën prestigjioze për një aktivitet paradite, ku ndër folësit e shumtë ishte edhe kryeministrja Giorgia Meloni.

I mbrojtur nga një gardh pak më tutje, drejtori i sapoemëruar i një gazete financiare po drekonte me një ish-ministër, tashmë drejtues në industrinë e armatimeve. Drejtori i një qendre studimore për marrëdhëniet ndërkombëtare sapo kishte përshëndetur një përfaqësuese të sipërmarrësve të Piemontes, ndërsa një delegacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe ishte përzier, në prani të një kleriku, me drejtuesit e botës ekonomike të një prej rajoneve më të industrializuara të Evropës.

Në përfundim të takimit, Alvise Biffi, presidenti i Assolombarda-s, u pyet se cila ishte reforma më e rëndësishme ekonomike e 4 viteve të qeverisjes së Melonit. Ai nuk dha një përgjigje konkrete.

Ashtu si kryeministrja, Biffi preferoi të vinte në pah “stabilitetin” dhe “peshën ndërkombëtare” të një qeverie që ka thyer rekordet e jetëgjatësisë politike në Itali. Bota e biznesit ka edhe arsye të tjera për të qenë e kënaqur.

Sipas të dhënave të OECD-së, në vitin 2025 Italia u bë eksportuesja e katërt më e madhe në botë, duke kaluar Japoninë, dhe i dyti në Evropë, pas Gjermanisë. Po atë vit, Roma arriti ta mbante nën kontroll financën publike, me një deficit prej 3.1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Pak rëndësi duket se ka fakti që problemet strukturore të vendit mbeten të pazgjidhura: PBB-ja që mbetet në vendnumëro, pagat në rënie që prej viteve 1990, tkurrja demografike, largimi i trurit dhe investimet e pamjaftueshme në kërkim e zhvillim.

Protestat dhe vala e masave ndëshkuese

“Ndonjëherë, ndihma më e mirë që shteti mund t’u japë atyre që prodhojnë është të mos u nxjerrë pengesa”, deklaroi Meloni, pasi Biffi kishte shpalosur nga podiumi ëndrrën e tij për ta shndërruar Lombardinë në një lloj Silicon Valley-je të robotikës, të cilën e quan “inteligjencë artificiale fizike”.

Një pjesëmarrës në takim, pohoi se në botën e biznesit “nuk ka alternativë” ndaj Melonit. Sipas tij, sulmet e qeverisë ndaj legjitimitetit të gjyqësorit, presioni mbi shoqërinë civile dhe retorika ksenofobe e represive, kanë shërbyer kryesisht për të kënaqur elektoratin tradicional të partisë Fratelli d’Italia.

Ndërkohë, ish-militantja neofashiste ka respektuar rregullat e lojës në Bashkimin Evropian dhe ka bërë gjithçka të nevojshme që Italia të përfitonte më shumë se 200 miliardë euro ndihma, të akorduara nga Brukseli në kuadër të planit të rimëkëmbjes pas pandemisë.

Pak ditë më vonë, sërish në Milano, u shfaq një tjetër fytyrë e Italisë. Kontrasti mes qendrës së qytetit, gjithnjë e më të shtrenjtë dhe tërheqëse për të pasurit që vijnë nga jashtë falë lehtësive fiskale, dhe periferive ku punëtorët e studentët detyrohen të zhvendosen, së bashku me protestat kundër rritjes së kostos së jetesës, nxori në pah tensionet sociale.

Më 17 tetor, protestuesit marshuan në sheshin “Duomo”, një nga simbolet e qytetit. Më pas, akte vandalizmi dhe plaçkitjeje çuan në përplasje mes policisë dhe manifestuesve të rinj.

Në emër të sigurisë, qeveria ka miratuar të paktën 57 vepra të reja penale që nga marrja e pushtetit dhe ka ashpërsuar dënimet me burg. Më 20 tetor, ajo dërgoi 500 ushtarë në Milano, duke paralajmëruar masa të tjera ndëshkuese.

Megjithatë, legjislacioni i miratuar deri tani është tashmë i konsiderueshëm. Që prej vitit 2023, çdo vit është miratuar një paketë e re masash sigurie, ndërsa e drejta për të protestuar është kufizuar ndjeshëm.

Sot, personat që bllokojnë rrugët apo akset e komunikacionit, lyejnë monumentet me bojë ose pengojnë ndërtimin e veprave infrastrukturore rrezikojnë ndëshkime penale, të cilat në disa raste mund të përfjnë edhe me burg.

Gjatë një pritjeje në korrik, një deputete e shumicës qeverisëse ironizonte: “Po nxjerrim kaq shumë dekrete sigurie, saqë tashmë kemi humbur edhe vetë numrin e tyre…”. Në atë periudhë, parlamenti po diskutonte një ligj të ri, të cilin një pjesë e së djathtës e cilësonte “anti-maranza”.

Ky term, me ngarkesë raciste, përdoret për të etiketuar të rinjtë me origjinë të huaj që jetojnë në periferi, pavarësisht nëse janë apo jo shtetas italianë. Masat më të fundit të sigurisë parashikojnë edhe mundësinë e ndalimit paraprak të të miturve deri në 12 orë, me rastin e manifestimeve ose aktiviteteve publike.

Normalizimi gradual i termit “maranza” në debatin publik, ka shënuar një kthesë politike. Ndërsa shtrëngimi i politikave migratore po pakësonte mbërritjet e emigrantëve në Itali, qeveria e zhvendoste debatin drejt çështjes së integrimit.

Meloni e nisi mandatin me miratimin e një sërë masash që penguan rëndë veprimtarinë e organizatave joqeveritare të angazhuara në shpëtimin e emigrantëve në rrugët detare të Mesdheut.

Zbulimi, në vitin 2025, i një programi spiunazhi izraelit në telefonat e disa personave të përfshirë në operacionet e shpëtimit, mes tyre edhe prifti Mattia Ferrari, e përkeqësoi më tej klimën e tensionit.

Por deri më sot, nuk dihet se kush qëndron pas përgjimeve. Edhe disa gazetarë që mbulojnë çështjet e emigracionit kanë zbuluar se janë vënë nën përgjim, në një kohë kur marrëdhëniet mes Melonit dhe medias po bëhen gjithnjë e më të acaruara.

Janë shtuar paditë dhe kallëzimet me karakter intimidues kundër gazetarëve që hetojnë veprimtarinë e qeverisë, veçanërisht ndaj atyre të gazetës Domani. Ndërkohë, shumica qeverisëse ka zgjeruar gradualisht kontrollin mbi RAI-n, transmetuesin publik italian, ndërsa kryeministrja vazhdon të mbajë një qëndrim përjashtues ndaj mediave.

“Nuk dua të flas kurrë me shtypin italian!”, bënte shaka Meloni në gusht të vitit 2025, gjatë një takimi në Uashington me Donald Trumpin, duke menduar se mikrofonat ishin të fikur.

Disa muaj më vonë, gazetarë italianë u sulmuan dhe u ndaluan nga forcat e rendit gjatë një proteste në Torino kundër mbylljes së qendrës sociale Askatasuna. Qeveria, e cila kishte ndërmarrë një fushatë kundër hapësirave të ngjashme të organizimit kulturor e politik në Romë dhe Milano, e kishte përshkallëzuar tensionin duke dislokuar mjete të ndërhyrjes së rëndë, përfshirë autobotë me ujë.

Ndërkohë, automjete të blinduara të ushtrisë u vendosën përpara stacioneve hekurudhore në Milano dhe Romë, zyrtarisht për të luftuar hajdutët e xhepave.

Deputeti i Vëllezërve të Italisë, Francesco Filini, ia atribuon përgjegjësinë për këtë polarizim të majtës, e cila sipas tij “për shumë kohë i ka akuzuar për fashizëm përfaqësuesit e partisë sime”.

Ai i konsideron militantët e përfshirë në përplasjet me policinë dhe të rinjtë e etiketuar si “maranza”, elementë “anti-italianë”, me të cilët qeveria duhet të luftojë.

Reforma e rrëzuar në referendum

Me afrimin e fundit të legjislaturës, Meloni dhe mbështetësit e saj kanë vijuar të ngrenë fantazmën e një armiku të brendshëm, i cili, sipas kryeministres, fshihet edhe brenda institucioneve, veçanërisht në gjyqësor.

Ajo ka denoncuar vazhdimisht praninë e të ashtuquajturave “togave të kuqe”, duke iu referuar gjykatësve që i konsideron të afërt me të majtën. Për këtë arsye, kryeministrja u përpoq të miratonte një reformë të sistemit të drejtësisë, e cila, sipas opozitës, rrezikonte të cenonte pavarësinë e gjyqësorit.

Por reforma u rrëzua në referendum. Në prag të votimit, Giusi Bartolozzi, shefja e kabinetit të ministrit të Drejtësisë, Carlo Nordio, u kishte bërë thirrje italianëve të votonin për t’u “çliruar” nga gjykatësit, të cilët i krahasoi me “skuadra pushkatimi”. Bartolozzi u detyrua të jepte dorëheqjen, por në debatin publik tashmë ishte përhapur ideja se një pjesë e gjyqësorit është e “ideologjizuar” dhe po pengon zbatimin e programit të qeverisë.

“Meloni duket se mendon se legjitimiteti që buron nga vota popullore, qëndron mbi çdo parim apo kufizim tjetër”, vëren juristja Vitalba Azzollini. Sipas saj, pengesat që gjykatat i kanë vënë ashpërsimit të politikave migratore i kanë dhënë kryeministres një sërë rastesh për të diskredituar gjyqtarët.

Valerio Valentini, gazetar i portalit Il Post dhe autor i biografisë politike të kryeministres, La marcia sul posto (Nottetempo, 2026), thotë se “si në çështjet e identitetit, ashtu edhe në marrëdhëniet me institucionet e kontrollit dhe garantimit, Meloni i mban institucionet nën një trysni të vazhdueshme, por di të ndalet një hap përpara se të shkaktojë një përplasje të pakthyeshme”.

Sipas tij, kjo vihet re edhe në marrëdhëniet me Presidentin e Republikës, Sergio Mattarella, demokristian i lindur në vitin 1941, i cili i bën një rezistencë të matur kryeministres, duke përdorur kompetencat e tij si garant i Kushtetutës për të zbutur dispozitat më radikale.

Në Romë qarkullon një metaforë për këtë situatë: Meloni është si bretkosa që po zien ngadalë në një tenxhere me ujë, pa e kuptuar se po i afrohet fundit. Një proces gradual, në të cilin presioni ndaj institucioneve dhe normalizimi i masave autoritare mund të bëhen aq të zakonshme, saqë rreziku të mos vihet re deri në momentin kur pasojat bëhen të pakthyeshme./Pamfleti nga “Le Monde”georgia meloni normalizimi i autoritarizmit italia Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Rusia sulmon Kievin tre ditë para negociatave të paqes 7 Nëntor 2026, 13:1413:14Rajoni dhe Bota Shpërthen revolta në Paraguai, turma merr zvarrë politikanin (Video) 7 Nëntor 2026, 12:5712:57Rajoni dhe Bota SHBA ofron 20 milionë dollarë për informacione lidhur me programin bërthamor të Iranit 7 Nëntor 2026, 12:4912:49Rajoni dhe Bota Putini dhe lufta e padukshme, a po e destabilizon Rusia-Evropën pa qëlluar asnjë plumb? 7 Nëntor 2026, 12:3312:33Rajoni dhe Bota "Kush mund të të rrëmbejë nga shpirti im, o Kosovë?"/ Pas humbjes në zgjedhje, Vuçiç i futet këngës (Video) 7 Nëntor 2026, 08:5608:56Rajoni dhe Bota Skandal financiar trondit Paraguain, arrestohet presidenti 7 Nëntor 2026, 08:5308:53Rajoni dhe Bota