Lajme Zone
Gati 100 ditë në shesh: Çfarë ndryshoi ‘Revolucioni i Flamingove’
PolitikëPolitiko
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Gati 100 ditë në shesh: Çfarë ndryshoi ‘Revolucioni i Flamingove’

Bulevardi kryesor i Tiranës u përket çdo mbrëmje “flamingove”. Janë orët e pasdites së vonë, kur dhjetëra qytetarë me banderola, postera dhe flamuj nisin të mblidhen në sheshin “Skënderbej”. Mes tyre është kthyer në ritual edhe një poster i ri çdo natë, me numrin e ditës së protestës. Të hënën, numri do të jetë 100. Rreth orës 20:00, protestuesit e parë nisin ecjen në drejtim të Kryeministrisë, ku

Bulevardi kryesor i Tiranës u përket çdo mbrëmje “flamingove”. Janë orët e pasdites së vonë, kur dhjetëra qytetarë me banderola, postera dhe flamuj nisin të mblidhen në sheshin “Skënderbej”. Mes tyre është kthyer në ritual edhe një poster i ri çdo natë, me numrin e ditës së protestës. Të hënën, numri do të jetë 100. Rreth orës 20:00, protestuesit e parë nisin ecjen në drejtim të Kryeministrisë, ku një podium i improvizuar dhe një mikrofon presin folësit e radhës. Për më shumë se një orë, dhjetëra të tjerë zbresin në shesh. Disa janë aty çdo mbrëmje, të tjerë i bashkohen protestës në mënyrë sporadike.

Prej më shumë se tre muajsh, Tirana jeton me thirrjet “Shqipëria nuk është në shitje”, “Rama, jep dorëheqjen” dhe “Rama n’burg, Berisha n’burg”, sloganet e ditëve të para të saj.

Por në 100 ditë, repertori i saj është zgjeruar. Çdo mbrëmje lindin thirrje të reja, ndërsa rimat dhe sarkazma ndaj kryeministrit Edi Rama, ministrave dhe mazhorancës janë pjesë e ritualit të protestës.

Në bilancin e këtyre 100 ditëve, aktivistë dhe analistë të politikës e shohin arritjen më të madhe të saj në rikthimin e qytetarit në shesh dhe ekspozimin e një qeverisje autoritare.

Shkrimtari dhe aktivisti Fatos Lubonja, një ish i burgosur politik gjatë regjimin komunist në Shqipëri, e përkufizon protestën si përpjekje të shqiptarëve kundër një regjimi politik autoritar.

“Protesta ka hedhur poshtë narrativën se Shqipëria ka ecur përpara në rrugën drejt BE, siç pretendon klasa politike shqiptare, vetë BE dhe veçanërisht Rama, duke provuar se vendi është nën një regjim autoritar i bazuar ekonomikisht në pastrimin e parave të drogës,” tha Lubonja për BIRN.

“Ajo është një përpjekje e shqiptarëve, të çuar në ekstrem nga abuzimet e këtij regjimi në të gjitha aspektet e jetës së tyre, për ta rrëzuar atë,” theksoi ai.

Për arkitektin dhe aktivistin Andi Tepelena, një prej organizatorëve të protestës, arritja e vërtetë është “thyerja e frikës”.

“Kishim shumë kohë, që pas shembjes së Teatrit Kombëtar që po përpiqeshim të rigjallëronim nervin qytetar, por kjo protestë tregoi që ky nerv ekzistonte dhe Zvërneci sa derdhi kupën,” thotë Tepelena.

“Gjëja më e bukur ishte që u derdh rinia në protestë, një rini e jashtëzakonshme që ka kuptuar që ky sistem ekonomik e politik nuk ecën më,” shtoi ai.

Qytetari si aktor politik

Zemërata nisi në një plazh pothuajse të virgjër në Zvërnec, një fshat i Vlorës, ku një gardh telash me gjemba ndalonte aksesin e publikut dhe fadromat e një kompanie private kishin shkatërruar dunat e rërës për t’i hapur rrugë një projekti masiv turistik që parashikohet të shtrihet në këtë zonë të mbrojtur natyrore, e njohur si Laguana Vjosë-Nartë.

Goditja dhe marrja zvarrë nga rojet e kompanisë private të një protestuesi paqësor nxiti një revoltë më të gjerë qyterare, që u zhvendos në bulevardin e kryeqytetit, duke u shndërruar në një protestë kundër korrupsionit qeverisës, shpopullimit, mungesës së meritokracisë dhe gjithë klasës politike të 35 viteve të fundit.

E organizuar nga aktivistë të shoqërisë civile, protesta arriti të ruante profilin e saj si organizim qytetar gjithpërfshirës pa dallime politike apo kulturore.

Për Adri Nurellarin, analist i politikës, kjo konsiderohet si arritja kryesore e saj.

“Protesta ka arritur diçka që dukej pothuajse e pamundur; ka thyer monopolin e partive mbi pakënaqësinë dhe ka rikthyer qytetarin si aktor politik,” tha Nurellari për BIRN, duke shtuar se që të ajo ka treguar gjithashtu se “frika nuk mposhtet duke pritur të largohet, por duke dalë bashkë në shesh”.

Nurellari konsideron disa rezultate të protestës, të tilla si vendosja në qendër e debatit të mbrojtjes së natyrës, pronës publike dhe vendimmarrjes pa qytetarët, tërheqja e vëmendjes ndërkombëtare, frymëzimi dhe aktivizimi i diasporës, deri tek ndikimi axhendës politike. “Krijoi një gjuhë, simbolikë dhe identitet të dallueshëm,” thotë ai, duke shtuar se “flamingoja u kthye nga një shpend i kërcënuar në simbol të rezistencës qytetare, gjë që, për komunikimin politik shqiptar, është më shumë krijimtari sesa kanë prodhuar disa seli në tri dekada”.

Pavarësisht se qeveria nuk ka bërë asnjë hap konkret për të plotësuar kërkesat e protestës, për Nurellarin, ajo po reagon e ndikuar prej saj.Duke krahasuar qëndrimet nga nisja deri tani të qeverisë, ai argumenton se “protesta e ka ndryshuar raportin politik, edhe pa marrë ende gjithçka që kërkon, pra pa marrë ende dorëheqjen”.

Edhe vetë qëndrueshmëria aq e gjatë konsiderohet një arritje politike. Në një vend, ku sipas Nurellarit entuziazmi publik shpesh zgjat sa një cikël lajmesh, protestuesit kanë treguar një stoicizëm qytetar të rrallë, mu në mes të vapës, lodhjeve, sulmeve, etiketimeve dhe presioneve. “Kjo është për t’iu hequr kapelen,” thekson ai.

Për aktivistin Tepelena, kërkesat e protestës vijojnë të jenë të njëjta; dorëheqje e kryeministrit, shfuqizim i ligjeve klienteliste dhe miratimi i një sistemi të ri zgjedhor që do të krijonte kushtet për përfaqësim më të drejtë politik.

Por ai konsideron se protesta ka pasur disa pika kulmore; që nga mbështja e mediave ndërkombëtare që e kthyen në një ‘brand’ “Revolucionin Flamingo” dhe që tani është një nga revolucionet paqësore më të gjata në botë dhe deri tek zbritja në shesh e eurodeputetëve.

“Por mbi të gjitha, shqiptarët kuptuan që duhet t’i marrin vetë fatet e tyre në dorë pa pritur ndihmë që i vjen nga ndonjë fuqi ndërkombëtare,” thotë Tepelena.

E ardhmja e protestës

Pas gati 100 ditëve në shesh, “Revolucioni i Flamingove” përballet me provën e vjeshtës: si të ruajë mobilizimin qytetar dhe ta kthejë atë në një ndryshim politik.

“Shtatori do të jetë një moment i ri mobilizimi, veçanërisht për të rinjtë, dhe synohet që protesta të përshkallëzohet deri në mosbindje civile, me qëllim dorëheqjen e kryeministrit dhe kalimin në një qeveri kujdestare,” parashikon Tepelena.

Për Lubonjën, megjithatë, suksesi i protestës nuk varet vetëm nga aftësia e saj për të qëndruar në shesh, nëse synon të shndërrohet në një aktor real ndryshimi.

“Si aktor ndryshimi që të ketë sukses, ajo ka nevojë për ndihmën e aktorëve të tjerë të ndryshimit ku do të veçoja drejtësinë dhe qëndrimet e atyre që i quajmë partnerët tanë ndërkombëtarë, që deri më sot i shoh pasivë,” tha ai.

Ndërsa për Adri Nurellarin, sfida e protestës është aftësia për të kaluar nga reagimi qytetar tek ndërtimi i një lëvizje qytetare.

“Protesta është reagim ndaj asaj që ka ndodhur; lëvizja është projekt për atë që duhet të ndodhë,” thotë Nurellari, duke shtuar se që të shndërrohet në një lëvizje, protesta duhet të ofrojë shpresë për të ardhmen.

Ndërsa njerëzit kanë dalë në shesh për arsye të ndryshme, por kjo nuk do të thotë se janë bërë automatikisht pjesë e një organizimi të përbashkët, ndaj dhe pyetja vendimtare sipas Nurellarit është: “nëse kjo do të mbetet një protestë, apo do të shndërrohet në lëvizje?!”./ BIRN Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm