Nga një jaht që qëllohet me armë zjarri në kulmin e sezonit turistik, në mes të pushuesve në Palasë, nuk është thjesht një shkelje rendi... është një akt gangsterizmi i hapur.
Por ajo që ndodhi pas kësaj skene të transmetuar ekskluzivisht nga JOQ është goditja më e rëndë që i jepet autoritetit të shtetit prej muajsh.
Sipas vetë njoftimit zyrtar, mjeti lundrues refuzoi të ndalonte, duke sfiduar hapur strukturat e rendit për rreth dy orë rresht. Në një vend ku policia mburret me operacionet brenda pak minutash, në det u vu në lëvizje një armada e tërë me Polici Kufitare, Njësi Policore Detare, forcat speciale Delta Force, Komisariatin e Himarës dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë. Dy orë ndjekje detare për një mjet që sillet sikur deti është çiflig personal, ndërkohë që shteti dëshmon tejet paaftësi ose hezitim për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve të tij.
Kur jahti u bllokua përfundimisht, në bord u gjetën katër persona. Mes tyre, Bruno Çela djali i pronarit të "Brunes" njëkohësisht dhëndri i Tom Doshit, Nard Hasa, Afrim Kastrati dhe Pashk Rrapi.
U shoqëruan, u morën në pyetje, u kontrolluan dhe u lanë të lirë. Sot ata janë sërish në rrugë, ndërkohë që ngjarja kalon si një incident i zakonshëm. Këtu nuk bëhet më fjalë për armën apo për atë se kush qëlloi, por për kufirin e poshtërimit të një shteti.
A duhet që herës tjetër plumbat të mos fluturojnë në ajër, por të marrin jetën e një fëmije apo një pushuesi të pafajshëm që ka ardhur për të pushuar në bregdetin shqiptar? A duhet një viktimë e sigurt që institucionet tuaja të kuptojnë se ligji nuk negociohet dhe se nuk ka mbiemër që e shfajëson shkeljen e tij?
Sot mesazhi i dhënë për opinionin publik është skandaloz! Nëse ke para, lidhje dhe mbiemrin e duhur, mund të qëllosh me armë në plazh, mund t'i ikësh policisë për dy orë, dhe në fund do të largohesh i qetë nga dyert e komisariatit. Ky nuk është thjesht dështim i radhës i Policisë së Shtetit, por turpi i një sistemi që përkul kokën përpara kujt ka fuqi dhe pasuri.

