Është ndarë nga jeta në moshën 63-vjeçare ish-futbollisti i njohur i Flamurtarit të Vlorës, Agim Bubeqi. Ai është gjetur pa shenja jete në apartamentin e tij, ndërsa dyshohet se kishte ndërruar jetë disa ditë më parë. Sipas informacioneve paraprake, kanë qenë fqinjët ata që kanë vënë re mungesën e tij dhe kanë njoftuar autoritetet. Pas ndërhyrjes, ai është gjetur i pajetë në banesë.
Agim Bubeqi ishte pjesë e brezit të artë të Flamurtarit në vitet ’80-’90, një periudhë e rëndësishme në historinë e klubit vlonjat. Me fanellën e Flamurtarit ai la gjurmë në futbollin shqiptar dhe kujtohet si një prej lojtarëve të atij brezi të suksesshëm.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka sjellë trishtim te komuniteti sportiv dhe tifozët e Flamurtarit, të cilët kanë humbur një nga figurat e njohura të historisë së klubit. Top Channel

