Një video intime e publikuar pa pëlqim mund të kthehet në një dramë me pasoja të rënda për viktimën. Bullizmi online, ekspozimi i jetës private dhe abuzimi me të miturit po marrin përmasa shqetësuese, ndërsa shifrat ngrenë alarmin. Në studion e emisionit “Ftesë në 5”, nën moderimin e Bieta Sulo, u diskutua mbi publikimin e videove intime pa pëlqimin e individëve, pasojat e rënda që sjell publikimi i tyre dhe fenomenin gjithnjë e më shqetësues të bullizmit online.
I ftuar në studio, Mirgit Vataj nga Urdhri i Punonjësve Socialë deklaroi se vetëm gjatë vitit të shkuar, shifrat e rasteve të abuzimit seksual me të mitur, të denoncuara në Policinë e Shtetit, kanë arritur në 5707 materiale të abuzimit seksual të fëmijëve.
“Ne duam të jemi gjyqtarë të moralit. Ne nuk kemi një njësi emergjencash sociale. Në raste të tilla, jemi përballë një emergjence. Shërbimet duhet të shkojnë tek rastet. Shqipëria ka raste fatkeqe të këtyre situatave. Njerëz që nuk jetojnë më, sepse niveli i rastit është i një niveli të lartë.
Policia, institucionalisht, duhet të niste hetimet, edhe psikologët, edhe rrethi familjar. Po a i kemi ne mekanizmat për t’u qëndruar pranë?
Vitin e kaluar, Policia e Shtetit ka raportuar që në platformat e përdorura nga përdorues shqiptarë kanë qarkulluar 5707 materiale të abuzimit seksual të fëmijëve. Raste të cilat janë kapur nga sistemi. Janë materiale që janë shumë për një vit. Materiale me fëmijë shqiptarë, nga përdorues shqiptarë, të kapura nga sistemi në SHBA”, u shpreh Mirgit Vataj.
Ndër të tjera, aktivistja Belioza Çoku ngriti alarmin për rritjen e rasteve të vetëvrasjeve dhe mendimeve suicidale te viktimat e bullizmit online, duke vënë në dukje pasojat e rënda që mund të sjellë ekspozimi publik dhe dhuna online.
“Sipas raportimeve në BE, në moshat 13-16-17 vjeç, po vërejmë që ka një rritje të jashtëzakonshme të numrit të komunikimeve dhe të nevojës, kërkesës për ndihmë për bullizmin online. Dhe te të rinjtë e të rejat është shtuar mosha 18-25 vjeç, 25-35vjeç. Gjithashtu, po rritet numri i mendimeve të vetëvrasjeve. Mendojeni këtë, që në tavolinën e çdokujt të gjendet jeta private.
Këto përpjekjet e shëmtuara të çdokujt nga media, të cilët nxisin akoma edhe më shumë që, në emër të lirisë së fjalës, liria e fjalës ka lidhje me një mision tjetër të mediave, të cilin e kanë harruar, i cili është informimi publik, ndërgjegjësimi dhe interesi publik për çështje që kanë të bëjnë me zhvillim dhe jo regres të shoqërisë.
Ne jemi konkretisht përballë një gjyqi popullor. Nëse media bëhet palë, është po aq fajtore dhe po viktimizon 100 herë më shumë.
Telegrami është një platformë alarmi”, tha Belioza Çoku. Top Channel

