Presioni siguroi miratimin e reformës territoriale, ndërsa policia dhe Garda goditën protestuesit e bllokuan opozitën. Demonstrimi i forcës ishte mesazh për të vetët, SPAK-un dhe gjermanët... Në dy protestat që u zhvilluan dje përpara Kuvendit u shfaq një fenomen që, së paku deri tani, nuk ishte vënë re.
Në protestën e militantëve të Partisë Demokratike, policia u tregua agresive që në fillim. Një efektiv i forcave speciale largoi me forcë kryetarin e Bashkisë së Memaliajt, ndërsa më pas një drejtues i Policisë së Tiranës urdhëroi vartësit ta nxirrnin nga zona.
Forcat policore reaguan edhe më ashpër ndaj protestuesve më të zëshëm dhe atyre që tentuan të përplaseshin me kordonin.
Rëndimi i dorës nuk u kufizua vetëm te militantët e PD-së. Policia përdori të njëjtën sjellje edhe ndaj flamingove, megjithëse protesta e tyre nuk shfaq agresivitetin e aksioneve të njohura guerile të opozitës.
Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë përdorën vazhdimisht sprej dhe shkëputën nga turma disa prej protestuesve më aktivë. Efektivët i futën mes kordonëve policorë, i goditën me shkopinj gome dhe më pas i shoqëruan në komisariat.
Sipas informacioneve, urdhri nuk parashikonte vetëm shoqërimin, por edhe procedimin penal në prokurori për kundërshtim të punonjësit të policisë, një akuzë me pasoja të rënda ligjore.
Brenda Kuvendit, Garda bllokoi deputetët e Partisë Demokratike dhe nuk i lejoi të pushtonin foltoren, siç kishin bërë në seancat e mëparshme.
Kjo sjellje e re e shkopit të shtetit nuk përbën rastësi. Ajo përçon një sinjal të qartë politik nga Edi Rama.
Pas kërcënimit që u bëri deputetëve të tij në mbledhjen e grupit parlamentar, Rama urdhëroi kalimin nga karota te shkopi. Presioni funksionoi. Reforma territoriale u miratua me 85 vota, një më shumë se shumica e cilësuar që kreu i mazhorancës kërkonte të demonstronte.
Rama e përdori të njëjtin mesazh në tri drejtime: ndaj protestuesve në rrugë, ndaj opozitës në Kuvend dhe ndaj deputetëve të vet. Ai kërkoi të tregonte se kontrollon policinë, Parlamentin dhe çdo votë të mazhorancës.
Këtë demonstrim force nuk ua drejtoi vetëm të vetëve, opozitarëve dhe flamingove. Rama kërkoi t’ua përcillte edhe faktorëve që i janë qepur me bukë në trastë, përkatësisht SPAK-ut dhe gjermanëve.
A dëshmon ky agresivitet se Edi Rama është i fuqishëm?
Një udhëheqës që zotëron fuqi të qëndrueshme politike nuk ka nevojë ta ekspozojë atë me policë, sprej dhe shkopinj gome. Ai i lejon kundërshtarët të shfryjnë dhe e përdor vetëpërmbajtjen si provë sigurie.
Nevoja për të treguar forcën zbulon frikën se ajo mund të mos jetë më e mjaftueshme.
Sjellja e djeshme përbën edhe një sinjal për gjermanët, pikërisht në një moment kur zhvillimet në Berlin nuk duken të qarta për Edi Ramën. Zërat thonë se këshillat për këtë reagim të ashpër kanë ardhur nga aktorë të huaj që i qëndrojnë pranë.
Rama mund të përpiqet ta shesë agresivitetin si fuqi, por aktorët që vendosin realisht e njohin deri në rrënjë. Ata nuk kanë vetëm radiografinë e pushtetit të tij, por edhe kolonoskopinë.
Miratimi i reformës territoriale me 85 vota provoi se presioni mbi mazhorancën funksionoi. Dhuna policore tregoi se i njëjti presion po zhvendoset nga brenda grupit parlamentar drejt rrugës.
Këto nuk janë domosdoshmërisht shenjat e fuqisë së Edi Ramës. Mund të jenë shenjat e para të fazës finale të rënies së tij./Pamfletifrika e ramës 85 vota fillimi i fundit Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike “Votë kundër”/ Marjana Koçeku publikon pamjet nga votimi i Reformës Territoriale në Kuvend 9 Tetor 2026, 09:0309:03Politike Miratimi i Reformës Territoriale, Rama thumbon kundërshtarët: Mos bëni hesape pa hanxhinë 9 Tetor 2026, 08:5808:58Politike Reforma Territoriale: 'rebelët e rremë' të PS-së që dirigjohen nga Edi Rama 9 Tetor 2026, 07:5007:50Politike Shkrirja e Bashkisë së Selenicës, Berisha shigjeton Vullnet Sinajn:Brenda 3 ditësh u ktheve në eunuk 9 Tetor 2026, 07:3307:33Politike Reforma territoriale, Salianji akuza Ramës: Po masakron territorin, Berisha po i bëhet krah! 9 Tetor 2026, 07:3307:33Politike Nga buzëqeshja e Ramës te reagimi i Braçes, momentet pikante që nuk u panë pas votimit të Reformës Territoriale (Foto) 9 Tetor 2026, 07:2007:20Politike

