Lajme Zone
Frika e Edi Ramës për të lëvizur: Është ‘shah’ nga të gjitha anët!
PolitikëPamfleti
Ky artikull është pjesë e një historie me 7 burime — Krahaso mbulimin →

Frika e Edi Ramës për të lëvizur: Është ‘shah’ nga të gjitha anët!

Protestat kundër shkrirjes së bashkive dhe paraliza e strukturave socialiste në Tiranë tregojnë se revolta nuk po vjen nga opozita. Ajo po zhvillohet brenda territorit politik që Edi Rama e konsideronte oborrin e tij.

Reforma territoriale zbuloi çarjen e PS-së, Rama po humbet kontrollin mbi oborrin e tij Protestat kundër shkrirjes së bashkive dhe paraliza e strukturave socialiste në Tiranë tregojnë se revolta nuk po vjen nga opozita. Ajo po zhvillohet brenda territorit politik që Edi Rama e konsideronte oborrin e tij. Publikimi i një varianti të reformës territoriale shërbeu si test për kontrollin e Edi Ramës mbi Partinë Socialiste. Reagimet në bashkitë e drejtuara nga socialistët dhe paraliza e organizatave të PS-së në Tiranë zbuluan një gërryerje që kryeministri nuk po arrin ta ndalë. “Revolucioni i flamingove” u tërhoq nga skena, por zemërimi që e prodhoi vazhdon të veprojë brenda mazhorancës. Drafti i mazhorancës për reformën territoriale duket se u hodh në publik nga Edi Rama pikërisht për të testuar situatën brenda oborrit të tij politik.

Mjaftoi publikimi i një varianti paraprak që të shpërthenin protesta në thuajse të gjitha bashkitë që drafti parashikon të shkrijë dhe që drejtohen nga njerëz të Partisë Socialiste.

Po të shohësh hartën e reagimeve, nuk pati kundërshtime masive as në Memaliaj dhe as në Fushë-Arrëz, bashki që drejtohen nga përfaqësues të Partisë Demokratike. Protestat më të forta shpërthyen në njësitë vendore që kontrollojnë socialistët.

Deputeti socialist i qarkut të Vlorës, Vullnet Sinaj, me të cilin Rama ka marrëdhënie të afërta politike, shpalli përkrahjen e tij për kauzën e qytetarëve të Selenicës, të cilët kundërshtojnë shkrirjen e bashkisë.

Rreshtimi i Sinajt ka gjasa të jetë koordinuar me shefin e tij politik, jo vetëm për të përfaqësuar pakënaqësinë e qytetarëve, por edhe për të mbajtur nën vëzhgim një lëvizje që Edi Rama nuk e kontrollon dot plotësisht.

Eksperimenti me publikimin e njërit prej varianteve të reformës territoriale kishte një qëllim politik. Sipas informacioneve që qarkullojnë brenda mazhorancës, socialistët kanë hartuar edhe dy variante të tjera më të plota.

Problemi më i madh për Ramën nuk lidhet vetëm me numrin e bashkive që mund të shkrihen. Ai lidhet me gërryerjen e territorit politik mbi të cilin ka mbështetur pushtetin dhe që tani nuk po arrin ta kontrollojë.

Rebelimi i disa qyteteve të vogla, me peshë të kufizuar elektorale në rang kombëtar, nuk krijon vetvetiu një krizë politike brenda mazhorancës. Por nëse terreni është i rrëshqitshëm edhe në qytete të tjera, kjo kryengritje lokale mund të shërbejë si katalizator i një revolte më të gjerë.

“Revolucioni i flamingove” e trembi Edi Ramën që në ditët e para. Masivitetin dhe forcën e asaj proteste nuk e prodhuan strukturat tradicionale të opozitës. Në të morën pjesë qytetarë me lidhje të mëparshme ose të vazhdueshme me Partinë Socialiste.

Largimin e “flamingove” nga protesta Rama përpiqet ta paraqesë si zhvillim pozitiv për pushtetin e tij. Në realitet, pikërisht largimi i tyre përbën ankthin e tij më të madh.

Kur manovrat e Ramës, të kombinuara me hyrjen në protestë të Sali Berishës dhe të faktorëve pranë tij, e ndryshuan përbërjen e lëvizjes, pjesëmarrja u reduktua si me magji.

Brenda protestës mbetën, si nga ana sasiore, ashtu edhe nga ajo cilësore, personazhe pa peshë të konsiderueshme në opinionin publik dhe në politikë.

Intimidimi i protestës me njerëz që publiku i ka parë gjatë gjithë këtyre viteve në shfaqje të stisura nga politika, i dha mazhorancës dhe qarqeve pranë saj materialin që kërkonin për ta analizuar dhe goditur fenomenin nga A-ja deri te Zh-ja.

Por pikërisht këtu fle lepuri.

Protesta e mbetur me personazhet e konsumuar nuk përfaqëson “revolucionin e vërtetë të flamingove”. Pjesa kryesore e tij u tërhoq taktikisht për të shmangur një përplasje civile, të cilën pushteti dukej i gatshëm ta përdorte në favorin e vet.

Një trazirë e madhe do t’i krijonte Ramës mundësinë të përdorte forcën dhe represionin, duke i paraqitur ato si masa për “shpëtimin e vendit nga ndikimet e huaja”.

Frika e Ramës nuk lidhet as me djegien e teserave socialiste në Poliçan, të cilën synon ta përdorë për viktimizim, dhe as me protestat e veçuara në bashki të tjera të vogla.

Shqetësimi real i kreut të mazhorancës është Tirana, ku Partia Socialiste ndodhet përballë një ngërçi të thellë politik dhe organizativ.

Në njësitë e Bashkisë së Tiranës, organizatat e mëdha socialiste nuk po arrijnë të mblidhen normalisht prej muajsh. Deputetët e zgjedhur në vitin 2025 përmes listës së mbyllur nuk kanë qasje reale në organizatat e partisë. Ndërkohë, figurat e vjetra që morën mandat përmes listës së hapur trajtohen si kundërshtarë nga Edi Rama.

Pak javë më parë, kryeministri sulmoi edhe një drejtues të lartë të PS-së, duke e akuzuar se po përgatit një puç përmes organizimit paralel në Tiranë.

Pas festës së socialistëve të kryeqytetit për 35-vjetorin e themelimit të PS-së, Rama nuk ka zhvilluar takime të tjera të dukshme publike me strukturat e partisë në Tiranë.

Ogerta Manastirliu mban drejtimin politik të PS-së në Bashkinë e Tiranës dhe, së bashku me Taulant Ballën, një rol drejtues në qark. Rama e ka vendosur Manastirliun në këtë pozicion për të matur situatën, për të identifikuar grupet që kundërshtojnë kontrollin e tij dhe për të vendosur më pas si do të veprojë ndaj tyre.

Në realitet, organizatat në disa nga njësitë më të mëdha të Tiranës janë thuajse të shkrira. Drejtues të organizatave nuk u përgjigjen në telefon deputetëve, ndërsa deputetë të tjerë zhvillojnë mbledhje paralele me grupime të përziera që nuk përfaqësojnë strukturat e plota.

Kjo situatë krijon panoramën e një organizimi paralel brenda Partisë Socialiste. Ajo nuk përfaqëson qetësi politike, por heshtje përpara furtunës.

Duket se mungon vetëm një shkak, një ‘thëngjill’ që mund të ndezë një zjarr të madh brenda mazhorancës.

Shpallja e ndryshimeve në qeveri, ku pritet edhe një fushatë shkarkimesh ndaj drejtuesve të administratës, mund ta prodhojë shkëndijën e re.

Rama e di mirë këtë. Prandaj po e vonon shpalljen e listës së ndryshimeve, me synimin për të kuptuar sa e thellë është gërryerja brenda Partisë Socialiste dhe deri në çfarë mase mund ta kontrollojë atë.

Kjo gërryerje duket më e madhe në qytetet kryesore, veçanërisht në Tiranë dhe Durrës, sesa në bashkitë e vogla.

Mjafton të shohësh postimet publike të deputetëve të kryeqytetit. Pothuajse askush nuk publikon takime me organizatat socialiste brenda Tiranës qytet. Taulant Balla dhe ndonjë drejtues tjetër shfaqen në takime në Kamzë, Vorë, Kavajë ose në zonat periferike të qarkut, por jo mbledhje të rregullta në 11 njësitë urbane të kryeqytetit.

Njësia nr. 7, e treta për nga numri i zgjedhësve, përbën një nga rastet më problematike. Organizatat atje janë ndarë në dy ose tri grupime dhe asnjëri nuk arrin të vendosë autoritet mbi të tjerët.

Situata shfaqet e tensionuar edhe në njësitë nr. 2, nr. 5 dhe nr. 13. Këto zona i sigurojnë PS-së një pjesë të madhe të votave dhe mandateve parlamentare në kryeqytet.

Drejtuesit socialistë kanë njoftuar publikisht një riorganizim të Tiranës në 34 zona politike dhe shpërndarjen e disa drejtuesve në secilën njësi. Por ky riorganizim, të cilin PS-ja e paraqet si “rienergjizim”, dëshmon se struktura e mëparshme nuk po funksionon siç duhet.

Sipas informacioneve nga brenda PS-së, Rama ka tentuar ta menaxhojë situatën përmes taktikës “përça e s”, por nuk ia ka dalë.

Në shtator mund të përdorë shkrirjen e organizatave dhe rindërtimin e tyre me njerëz të ardhur nga ish-seksionet e Partisë Demokratike, si dhe me individë pa lidhje të mëparshme me partitë politike.

Rama mund ta përdorë këtë ndërhyrje edhe për të ndëshkuar ata që i ka konsideruar tradhtarë në Njësinë nr. 7. Por as aty nuk e ka më komoditetin të sillet si sundimtar absolut. Një goditje e fortë mund të shkaktojë një rebelim që do ta nxirrte situatën nga kontrolli.

Sipas një materiali të hartuar nga ekspertë të huaj mbi përbërjen e protestës së “flamingove”, më shumë se 60 për qind e pjesëmarrësve rezultonin anëtarë, ish-anëtarë ose votues të Partisë Socialiste.

Ky vlerësim kërkon publikimin e metodologjisë dhe të të dhënave që e mbështesin. Megjithatë, prania e socialistëve në fazën e parë të protestës shpjegon përse ajo e alarmoi pushtetin më shumë se protestat e zakonshme të opozitës.

Këta qytetarë nuk synojnë domosdoshmërisht të krijojnë një parti të re. Objektivi i tyre politik lidhet me largimin e Edi Ramës dhe marrjen e kontrollit mbi Partinë Socialiste.

Pikërisht ky objektiv i “flamingove socialistë” ka tërhequr edhe vëmendjen e faktorëve ndërkombëtarë. Sipas burimeve politike, një pjesë e tyre nuk mbështet krijimin artificial të një opozite tjetër, por një ndryshim real të ekuilibrave brenda mazhorancës. Për ta kthyer Edi Ramën nga lojtari që kontrollon të gjithë tabelën në figurën që rrezikon të marrë shah-mat.

Këtë situatë kreu i mazhorancës e njeh po aq mirë, ndoshta edhe më mirë, se kundërshtarët e tij. Prandaj nuk lëviz. Çdo emërim mund të hapë një konflikt. Çdo shkarkim mund të prodhojë një rebel. Çdo shkrirje organizate mund të krijojë një strukturë paralele.

Drafti i reformës territoriale nuk testoi vetëm reagimin e qytetarëve ndaj zhdukjes së bashkive. Ai testoi kontrollin e Edi Ramës mbi territorin politik të Partisë Socialiste.

Rezultati nuk ishte ai që priste.

Rama vazhdon të kontrollojë qeverinë, administratën dhe shumicën parlamentare. Por poshtë kësaj fasade, territori po i rrëshqet nën këmbë. Protestat në bashkitë socialiste, paraliza e organizatave në Tiranë dhe tërheqja taktike e “flamingove” përbëjnë pjesë të së njëjtës tablo.

Revolta nuk ka përfunduar. Ajo vetëm është tërhequr nga rruga dhe ka hyrë brenda Partisë Socialiste./Pamfleti frika e edi ramës rama është \'shah\' nga të gjitha anët Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Braçe denoncon shtrenjtimin e produkteve ushqimore: Çmimet janë çmendur, po zhvasin konsumatorët 4 Gusht 2026, 10:0010:00Politike DASH: SHBA miraton kredinë ushtarake 302 milionë dollarë për Shqipërinë 4 Gusht 2026, 09:1009:10Politike Eurodeputetja franceze: Revolta popullore, hapi logjik kur qeveria u shtron tapetin e kuq oligarkëve 3 Gusht 2026, 14:1814:18Politike Gara për kryeprokuror, Berisha: Nuk marrim pjesë në përzgjedhjen e emrave, PS ka prishur çdo bashkëpunim 3 Gusht 2026, 11:3011:30Politike Arrestimi i Ermal Beqirit në Francë, Berisha: SPAK të zbulojë nëse kështjella është e tij apo e Edi dhe Olsi Ramës 3 Gusht 2026, 10:3510:35Politike "Po ndërtohet mini-maternitet", Berisha ironizon nga SPAK: Përdorin mëmësinë për t'iu shmangur drejtësisë 3 Gusht 2026, 10:2210:22Politike