Veprimtari i diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shpend Gjocaj, ka njoftuar se më 7 shtator në Times Square të New Yorkut pritet të shfaqet grafiku me mesazhin “Freedom for the Liberators”.Gjocaj ka publikuar në Facebook një konfirmim nga “Welcome to Times Square”, sipas të cilit materiali do të transmetohet gjatë ditës për 15 deri në 30 sekonda në çdo orë. Ky aktivitet vjen në kuadër të një serie organizimesh të paralajmëruara në Kosovë dhe jashtë saj, në prag të leximit të verdiktit në Hagë.Në Kosovë, aktiviteti kryesor është “Marshi për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator, në orën 14:00, duke nisur nga sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë.Platforma “Liria ka Emër” ka nisur nismën mbarëkombëtare “Kosova po pret”, përmes së cilës janë paralajmëruar një varg aktivitetesh ndërgjegjësuese dhe përkujtimore.Përfaqësuesit e platformës kanë bërë të ditur se “Marshi për Liri” do të jetë një manifestim masiv paqedashës, i cili do të mbahet vetëm pak ditë para shpalljes së verdiktit në Holandë.Kalendari i aktiviteteve përfshin edhe “Netët e Lirisë”, tubime përkujtimore rreth zjarreve simbolike në shtatë zonat operative të dikurshme të UÇK-së, si dhe ngritjen e flamujve kombëtarë dhe të emblemës së UÇK-së në vende të ndryshme të Kosovës.Aktivitetet tashmë kanë nisur në disa prej zonave të dikurshme të rezistencës. Mbrëmjen e 5 shtatorit, në Llap është ndezur “Zjarri i Lirisë”, në prani të ish-komandantëve dhe veteranëve.Ndërkaq, për mbrëmjen e 6 shtatorit, në orën 19:00, është paralajmëruar tubimi i radhës në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan.Aktivitete mbështetëse janë planifikuar edhe në Hagë, ku mbështetësit pritet të mblidhen një natë para shpalljes së vendimit.Sipas planit të bërë publik, grumbullimi në Hagë do të nisë në orën 22:00 të 15 shtatorit dhe do të vazhdojë deri në fillimin e seancës së 16 shtatorit./Telegrafi/

