Lajme Zone
Franca e Vjetër, e lodhur nga kaosi: Trazirat mund t’ia dorëzojnë presidencën Marine Le Pen!
BotëPamfleti

Franca e Vjetër, e lodhur nga kaosi: Trazirat mund t’ia dorëzojnë presidencën Marine Le Pen!

Policia, e pajisur me mjete të rënda kundër trazirave dhe mburoja, është përplasur me turmat e të rinjve. Forcat e rendit kanë përdorur jo vetëm gaz lotsjellës, por edhe plumba gome, të cilët konsiderohen armë “më pak se vdekjeprurëse”, por që gjithsesi mund të shkaktojnë dëmtime të rënda.

“Publiku francez tashmë është mësuar me pamje që në çdo vend tjetër do të dukeshin si fotografi nga një zonë lufte.” Foto: Ed JONES / AFP përmes Getty Images. / Dhuna që ka përfshirë rrugët dhe shkollat franceze po trondit një shoqëri të lodhur nga vite protestash dhe përplasjesh. Ndërsa Jean-Luc Mélenchon dhe e majta radikale kërkojnë një “revolucion qytetar” dhe një “Francë të Re”, frika nga kaosi po shtyn një pjesë të francezëve drejt kërkesës për rend dhe disiplinë. Ironia politike është se strategjia e përplasjes së LFI-së mund të forcojë pikërisht Marine Le Pen dhe Rassemblement National, kundërshtarët e saj më të mëdhenj. Për pjesën më të madhe të javës së kaluar, kanalet kryesore franceze të lajmeve kanë hapur edicionet me pamje tashmë të njohura, por që vazhdojnë të jenë tronditëse për publikun francez: kazanë plehrash që digjen, makina të përmbysura, grupe të rinjsh me fytyra të mbuluara që provokojnë policinë dhe u hedhin mjete shpërthyese, nga fishekzjarret te koktejet molotov, ndërsa sulmojnë edhe zjarrfikësit.

Policia, e pajisur me mjete të rënda kundër trazirave dhe mburoja, është përplasur me turmat e të rinjve. Forcat e rendit kanë përdorur jo vetëm gaz lotsjellës, por edhe plumba gome, të cilët konsiderohen armë “më pak se vdekjeprurëse”, por që gjithsesi mund të shkaktojnë dëmtime të rënda.

Po ashtu, policia ka përdorur shkopinj gome, duke goditur në mënyrë të pakontrolluar. Në pamje të parë, në këtë situate nuk ka shumë gjëra të reja. Pas rreth një dekade dhune në rrugë, nga protestat e “Jelekëve të Verdhë” te demonstratat e fundit kundër reformës së pensioneve, duke përfshirë edhe trazirat e vitit 2023 pas vrasjes nga policia të një të riu me origjinë afrikano-veriore në një periferi të Parisit, publiku francez tashmë është mësuar me skena që në çdo vend tjetër do të dukeshin si pamje të ngrira nga një zonë lufte.

Megjithatë, ajo që ka tronditur vërtet është egërsia e dhunës së ushtruar nga të rinjtë. Në Paris, një police e re ende në trajnim u ndoq, u rrëzua dhe më pas u rrah nga një grup të rinjsh. Në Belfort, në verilindje të Francës, një efektiv policie me rroba civile për pak sa nuk u vra nga një “turmë linçuese”, siç e përshkroi shtypi, e përbërë nga adoleshentë me kapuçë, të cilët e rrëzuan përtokë dhe e goditën vazhdimisht në kokë.

Ndërsa në Marsejë, një grua e re që qëndronte në një stacion autobusi u spërkat në fytyrë me një flakëhedhës të improvizuar, të përdorur nga një i ri që qeshte. Po aq shqetësuese është mënyra e çuditshme dhe pothuajse e pakuptueshme se si dhuna, e cila është përhapur jashtë shkollave në të gjithë Francën, nga Lille në Marsejë, duket se shpërtheu papritur.

Deri tani, më shumë se 1 mijë shkolla të mesme janë “mobilizuar”, një term që përfshin greva nxënësish, barrikada dhe zjarre brenda godinave shkollore. Dëmet do të kushtojnë miliona euro për t’u riparuar. Më shumë se 3 mijë persona janë arrestuar, kryesisht të rinj.

Trazirat nisën në fund të shtatorit, fillimisht si një seri protestash të arsyeshme nga nxënësit në rajonin e Parisit. Ata denonconin gjendjen e degraduar të sistemit arsimor francez dhe ngrinin ankesa legjitime për oraret e papërshtatshme, mungesën e mësuesve dhe godinat e amortizuara, me një gjendje që të kujtonte ndërtesat e epokës sovjetike: të akullta në dimër dhe të padurueshme gjatë valëve të të nxehtit në verë.

Nuk janë vetëm nxënësit që janë ankuar për këto kushte, por edhe mësuesit. Mikja ime, Laurence, ka dhënë mësim shkencash në disa shkolla të Parisit gjatë 10 viteve të fundit dhe thotë se nuk ka parë kurrë kushte kaq të këqija dhe nxënës kaq të zemëruar. “Duket sikur qeveria do që të na përçmojë qëllimisht!”, u shpreh ajo.

Zemërimi i nxënësve është përqendruar gjithashtu te “Parcoursup”, sistemi online që në vitin 2018 zëvendësoi sistemin e vjetër të aplikimit për universitet. “Parcoursup” u jep studentëve mundësinë të aplikojnë në shumë më tepër universitete se më parë dhe u lejon universiteteve t’i rendisin aplikimet sipas meritës së perceptuar, në vend që vendet të ndahen me short, siç ndodhte më parë.

Por baza mbi të cilën bëhet renditja është e paqartë. E majta argumenton se sistemi favorizon studentët nga familjet më të pasura dhe se Franca nuk është një shoqëri vërtet meritokratike. Sipas saj, kjo përbën edhe një sulm ndaj një prej parimeve themelore të republikës franceze: “égalité”, barazisë.

Kjo ka qenë një prej parullave mobilizuese të partisë së majtë radikale “La France Insoumise” (LFI), e drejtuar nga Jean-Luc Mélenchon. Partia është sfiduesja kryesore e “Rassemblement National” (RN), të drejtuar nga Marine Le Pen, e cila aktualisht kryeson sondazhet për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

LFI u është drejtuar prej vitesh nxënësve dhe mësuesve, duke kërkuar më shumë investime në arsim dhe ndryshime në politikat universitare, përfshirë hapjen e kolegjeve elitare ndaj studentëve me më pak mundësi ekonomike. Por kjo është hera e parë që qeveria e Macron e ka akuzuar hapur LFI-në se po nxit qëllimisht trazirat.

Ky të paktën ishte qëndrimi i kryeministrit Sébastien Lecornu, i cili, gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme të kabinetit të premten e kaluar, drejtoi gishtin nga Mélenchoni, duke deklaruar se “LFI dhe përfaqësuesit e saj ultra të majtë, janë në origjinën e kësaj lëvizjeje”.

Akuzat e tij janë përforcuar nga pamjet e kryebashkiakut të Saint-Denis, Bally Bagayoko, i cili është pjesë e LFI-së dhe u pa duke festuar e kërcyer përpara godinës së djegur të liceut Paul Eluard. Ndërkohë, aktivisti i LFI-së Ritchy Thibault ka bërë thirrje “për të marshuar drejt Pallatit Élysée dhe për ta djegur atë”.

Agjencitë e inteligjencës që punojnë për policinë, kanë ndjekur prej fillimit të shtatorit përgatitjet për trazirat në rrjetet sociale. Ato kanë evidentuar, mes thirrjeve për “aksion të armatosur”, edhe gjuhën tipike të së majtës radikale: “fundin e demokracisë neoliberale”, “prishjen e rendit shoqëror” dhe “sfidimin e dhunës së shtetit”.

Synimi i përgjithshëm i Mélenchon është revolucionar: të krijojë një Francë për shekullin XXI, të ndërtuar mbi gjeneratat e reja, të dyta dhe të treta, të emigrantëve. Si gjithmonë, ai ka luajtur me dy porta. Pra ka bërë thirrje për një “marshim paqeje”, ku nxënësit, mësuesit dhe prindërit do të bashkohen, të veshur me kapele ose kasketa të bardha, për të shprehur zemërimin ndaj qeverisë.

Por në të njëjtën kohë, retorika e LFI-së argumenton se, në të gjitha format e saj, nga arsimi i dobët te dhuna policore, “dhuna e shtetit nuk është legjitime”. Sipas Mélenchon, nxënësit kanë të drejtë, madje edhe detyrë, “të hakmerren”.

Ai ka sulmuar publikisht Lecornun dhe Valérie Pécresse, presidente qendrore e rajonit Île-de-France, e cila kërkoi që administrata e Bagayako-s të paguante 100 mijë euro për dëmet e shkaktuara. Të dy i ka akuzuar për “racizëm”, duke përdorur të njëjtën akuzë edhe ndaj kanalit televiziv BFMTV, i cili ka transmetuar disa prej pamjeve më të rënda të trazirave.

Sipas Mélenchon, struktura aktuale demokratike e Francës, është e ndërtuar mbi “privilegjin e të bardhëve” dhe i përket një “të tashmeje tashmë të vjetëruar”. Ai bën thirrje për një “revolucion qytetar”, të drejtuar nga “forca e numrave” dhe nga gjeneratat e reja postkoloniale.

Franca tashmë ka 7.6 milionë emigrantë të gjeneratës së dytë, 30 vjeç ose më pak. Protestat e nxënësve tashmë janë ndërthurur me çështjen e Gazës. Flamujt palestinezë janë shfaqur kudo, ndërsa ka edhe thirrje për një “Republikë të Gjashtë”, që në praktikë do të nënkuptonte rishkrimin e Kushtetutës aktuale, si dhe për një “Francë të Re”.

Synimi i përgjithshëm i Mélenchon është revolucionar: të krijojë një Francë për shekullin XXI, të ndërtuar mbi gjeneratat e reja të dyta dhe të treta të emigrantëve. Qëllimi nuk është asimilimi i tyre në rendin e vjetër, por shkatërrimi i vetë këtij rendi.

Por e gjithë kjo mund të kthehet në një bumerang për të. Dy vjet më parë, Ministri i Drejtësisë, Gérald Darmanin, e përshkroi strategjinë e përgjithshme të LFI-së me termin “bordelisation” - një fjalë e vështirë për t’u përkthyer, por që në gjuhën e përditshme nënkupton afërsisht “krijimin e qëllimshëm të kaosit”.

Më vonë, Bruno Retailleau, ish-Ministër i Brendshëm dhe kandidat presidencial për vitin 2027, e përshkroi LFI-në si “një parti absolutisht kryengritëse, e magjepsur nga dhuna” dhe kërkoi një debat mbi ndalimin e saj.

Përgjigjja sarkastike e Mélenchonit ishte se kjo ishte “absurde” dhe se asnjë dokument i LFI-së nuk mund të lidhej me trazirat e fundit, përveçse nëse ai i kishte nxitur ato “me telepati”.

Mélenchoni është i zgjuar, por duket se nënvlerëson shkallën në të cilën konservatorizmi, në kuptimin politik, por edhe thjesht shoqëror, vazhdon të jetë një forcë me të cilën duhet llogaritur në “Francën e Vjetër” - dhe e cila përbën ende shumicën e francezëve.

Me strategjinë e tij të destabilizimit të organizuar, ai po i shërben qartësisht edhe një herë interesave të Le Penit, axhenda e së cilës është diametralisht e kundërt me të tijën. Një sondazh i fundit i publikuar nga gazeta Le Figaro, tregoi se 78 për qind e francezëve e konsiderojnë LFI-në “agresive”, ndërsa 70 për qind e shohin si një forcë “aktivisht të rrezikshme”.

Precedenti historik për gjithë këtë dhunë dhe rebelim është thuajse-revolucioni i vitit 1968, i cili ende mbetet një simbol nostalgjik për të majtët e moshuar. Studentët dhe nxënësit që u rebeluan në atë kohë, i zemëruan aq shumë brezat më të vjetër, saqë i dhanë pushtetin qeverive të djathta deri në vitin 1982.

Por peizazhi politik i Francës në shekullin XXI është krejtësisht tjetër. Ai është formësuar nga tensionet rreth racës, fesë dhe identitetit etnik, po aq sa edhe nga ëndrrat neo-marksiste për revolucion që ushqejnë LFI-në.

Pikërisht për këtë arsye, edhe Le Pen ka një mbështetje të konsiderueshme te të rinjtë, e cila mund të rivalizojë, madje edhe të tejkalojë atë të LFI-së. Një pjesë e rinisë franceze, duket se kërkon rend dhe disiplinë në vend të anarkisë.

Unë kam marrë pjesë në mjaft tubime të RN-së gjatë viteve për të parë se si Jordan Bardella, i riu karizmatik dhe protezhi politik i Le Pen, pritet me entuziazëm si një yll i muzikës pop kur flet përpara një audience të re, shpesh moderne dhe të mirëinformuar.

Franca është shumë larg figurave brutale fashiste të epokës së vjetër të “Front National”, paraardhësit të RN-së së sotme. Le Pen ka dalë tashmë në televizionet kombëtare, duke akuzuar Mélenchonin se po nxit trazira në shkolla.

Zgjidhja që ajo propozon, duke shmangur çështjen e emigrantëve, është miratimi i ligjeve të reja dhe më të ashpra për ndëshkimin e të ashtuquajturve “casseurs”, protestuesve që shkaktojnë dëmet më të mëdha.

Por asgjë nga kjo nuk e pengon Mélenchon të përdorë vazhdimisht hijen e “fashizmit” kur flet për kundërshtarët e tij, veçanërisht për Le Penin dhe RN-në. Por sa më shumë që ai e përdor këtë retorikë, aq më shumë edhe centristët dhe njerëzit e së djathtës, të cilët normalisht janë kundër Le Penit, fillojnë të shohin logjikë në analizën e saj mbi situatën.

Thënë thjesht, sa më fort që Mélenchon promovon strategjinë e kaosit, aq më shumë edhe konservatorët e moderuar tërhiqen drejt pozicioneve më të forta, të frikësuar nga forcat që mund të çlirohen dhe nga ajo se si mund të duket vendi i tyre nëse Mélenchon do të ngjitet ndonjëherë në pushtet.

Do të ishte një ironi e hidhur nëse LFI-ja, partia e sfidave kryengritëse ndaj “rendit borgjez”, do të rezultonte në fund si forca që i hapi rrugën një presidence të Marine Le Penit./Pamfleti nga “Unherd”franca e vjetër e lodhur nga kaosi marine le pen Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Forum Një bordello gjigande 6 Tetor 2026, 18:2418:24Forum Lojë luftërash për pushtet në Tiranë e Prishtinë 6 Tetor 2026, 18:1618:16Forum Zgjerimi i BE-së po ngadalësohet: Çfarë po ndodh pas dyerve të Brukselit? 6 Tetor 2026, 15:2515:25Forum Ballkani nën ethet e armatimit: Nga Serbia te trekëndëshi Shqipëri-Kroaci-Kosovë 6 Tetor 2026, 12:0612:06Forum Zgjimi i vonë i PD-së për balotazhin, pse e prishi vetë? 5 Tetor 2026, 18:5418:54Forum Banka e Shqipërisë, “streha” e familjarëve të politikës; emrat dhe lidhjet 5 Tetor 2026, 17:4317:43Forum