Partneret e yjeve të futbollit tërhoqën vëmendjen me paraqitjet e tyre elegante në tapetin e kuq të ceremonisë së “Topit të Artë”, të mbajtur në teatrin Palladium në Londër.
Nga fustanet e zinj klasikë te ngjyrat e guximshme dhe modelet që spikatën për detajet e tyre, zgjedhjet e mbrëmjes sollën një larmi stilesh, duke e kthyer ceremoninë edhe në një paradë mode.
Mes femrave që morën vëmendjen ishte Laura Iglesias, partnerja e Rodrit, e cila u shfaq me një fustan të gjatë saten në ngjyrë ciklaminë. Ngjyra e fortë dhe prerja elegante e bënë paraqitjen e saj një nga ato që spikatën në tapetin e kuq.
Katie Goodland, bashkëshortja e Harry Kane, zgjodhi një fustan të zi me supe të zbuluara, duke iu përmbajtur elegancës klasike. Ndërsa Gabrielle Figueiredo, partnerja e Gabriel Magalhães, tërhoqi vëmendjen me një fustan të zi transparent, të zbukuruar me detaje dantelle.
Edhe Lorena Bernal, bashkëshortja e trajnerit të Arsenalit, Mikel Arteta, si dhe Tatiana Trouboul, partnerja e portierit David Raya, ishin mes të pranishmeve që shoqëruan yjet e futbollit në këtë mbrëmje.
Në tapetin e kuq u shfaqën gjithashtu Geraldine Ponce, partnerja e Luis Díaz, dhe bashkëshorte të legjendave të futbollit, të cilat plotësuan atmosferën elegante të ceremonisë.
Ndërsa futbollistët zgjodhën kryesisht kostume klasike, partneret e tyre sollën më shumë larmi përmes ngjyrave, materialeve dhe prerjeve të fustaneve.
Paraqitjet e tyre i dhanë ceremonisë një dimension të veçantë mode, duke dëshmuar se tapeti i kuq i “Topit të Artë” nuk është vetëm një skenë për yjet e futbollit, por edhe një mundësi për të spikatur me stil.

