Lajme Zone
FMN dhe Banka Botërore vlerësojnë sektorin financiar shqiptar, Sejko takohet me misionin e përbashkët
PolitikëEuronews Albania

FMN dhe Banka Botërore vlerësojnë sektorin financiar shqiptar, Sejko takohet me misionin e përbashkët

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi të hënën një takim me përfaqësuesit e misionit të përbashkët të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, në kuadër të përmbylljes së Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP) për Shqipërinë.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi të hënën një takim me përfaqësuesit e misionit të përbashkët të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, në kuadër të përmbylljes së Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP) për Shqipërinë. Në takim morën pjesë edhe drejtues të lartë të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe Ministrisë së Financave. Vlerësimi, i kërkuar nga autoritetet shqiptare dhe i koordinuar nga Banka e Shqipërisë, ka analizuar qëndrueshmërinë e sistemit financiar, aftësinë e tij për të përballuar rreziqet dhe goditjet e mundshme, si dhe efektivitetin e kuadrit rregullator dhe mbikëqyrës. Gjatë procesit janë shqyrtuar ndër të tjera administrimi i krizave financiare, rreziku sistemik, mbikëqyrja mikro dhe makroprudenciale, mbrojtja kibernetike, financimi në epokën digjitale, mbështetja për bizneset e vogla dhe të mesme dhe zhvillimi i tregjeve të kapitalit. Përfaqësuesit e FSAP kanë vlerësuar progresin e bërë nga Shqipëria që prej vlerësimit të mëparshëm, të zhvilluar në vitet 2013–2014. Sipas vlerësimit të fundit, sistemi financiar shqiptar karakterizohet tashmë nga institucione më të shëndetshme, një sektor më i diversifikuar, infrastrukturë pagesash të modernizuar, zgjerim të ndërmjetësimit financiar dhe përdorim më të madh të teknologjisë në ofrimin e shërbimeve financiare. Në fokus kanë qenë gjithashtu ndryshimet ligjore dhe rregullatore, të cilat sipas FSAP janë përafruar ndjeshëm me standardet e Bashkimit Evropian. Megjithatë, misioni ka theksuar se sistemi financiar përballet me sfida të reja, ndaj rekomandimet e vlerësimit synojnë forcimin e qëndrueshmërisë së tij, përmirësimin e administrimit të rreziqeve dhe rritjen e rolit të sektorit financiar në financimin e ekonomisë reale. Guvernatori Sejko falënderoi ekspertët e FMN-së dhe Bankës Botërore për punën e kryer, duke e cilësuar të rëndësishëm një vlerësim të tillë profesional dhe të pavarur në këtë fazë të zhvillimit të sistemit financiar shqiptar. Sejko deklaroi gjithashtu angazhimin e autoriteteve shqiptare për të analizuar rekomandimet e FSAP-it dhe për t’i përdorur ato në procesin e reformave të mëtejshme të sistemit financiar. Në përfundim, palët e vlerësuan procesin si të suksesshëm dhe shprehën gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin dhe asistencën teknike në disa prej fushave të përfshira në vlerësim.