Elbasani po përballet me trafik të rënduar dhe radhë kilometrike, veçanërisht në aksin Elbasan-Tiranë dhe në hyrje-daljet e qytetit. Policia Rrugore ka shtuar kontrollet, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë ndëshkuar rreth një mijë e tetëqind drejtues mjetesh për shkelje të rregullave të qarkullimit. Elbasani po përballet prej ditësh me një fluks të shtuar automjetesh, veçanërisht në hyrje-daljet e qytetit. Situata bëhet edhe më e rënduar gjatë fundjavës, kur në autostradën Elbasan-Tiranë krijohen radhë kilometrike, kryesisht në zonën e Hinkës, rrethrrotullimit të Shijonit dhe Bradasheshit. Fluksi i lartë lidhet edhe me lëvizjet e automjeteve që përshkojnë Elbasanin në drejtim të juglindjes dhe jugut të vendit. Për të shmangur bllokimet dhe për të garantuar vijueshmërinë e qarkullimit, Policia Rrugore ka shtuar prezencën në terren dhe monitorimin në akset që konsiderohen problematike. Tiranë-Elbasan, Elbasan-Qafë Thanë dhe Tiranë-Rrogozhinë janë ndër akset ku policia thotë se monitorimi është i vazhdueshëm. Por trafiku nuk është e vetmja problematikë. Në rrugët e Elbasanit vijojnë të konstatohen edhe shkelje të rregullave të qarkullimit, ndërsa parakalimet e gabuara mbeten ndër shkeljet më të rrezikshme të evidentuara nga efektivët. Pavarësisht ndryshimeve në Kodin Rrugor dhe forcimit të masave ndëshkuese, numri i drejtuesve që vijojnë të rrezikojnë veten dhe përdoruesit e tjerë të rrugës mbetet i lartë. Vetëm gjatë javës së fundit, rreth 1800 drejtues mjetesh janë ndëshkuar me masa administrative, ndërsa 3 prej tyre kanë humbur lejen e drejtimit. Me fluksin e automjeteve që pritet të vijojë të jetë i lartë, Policia Rrugore u bën apel drejtuesve të tregojnë kujdes të shtuar në rrugë, të respektojnë sinjalistikën dhe të shmangin manovrat e rrezikshme. Monitorimi i akseve kryesore do të vijojë 24 orë, me synim parandalimin e aksidenteve dhe mbajtjen nën kontroll të qarkullimit.
