Në vitin 1911, sociologu dhe politologu gjermano-italian Robert Michels botoi një nga librat themelorë të shkencës politike, “Partitë politike”, ku formuloi atë që sot njihet si “ligji i hekurt i oligarkisë”. Sipas tij, çdo organizatë politike, sado revolucionare të lindë, përfn në duart e një grupi të vogël drejtuesish, të cilët me kalimin e kohës kujdesen më shumë për mbijetesën e organizatës së tyre dhe për pozitën e tyre brenda saj sesa për kauzën që thonë se përfaqësojnë. “Kush thotë organizatë, thotë oligarki”, shkruante Michels. Ai e shkroi këtë për partitë e mëdha socialiste të Evropës së fillimit të shekullit të kaluar, por duket sikur e kishte shkruar dje pasdite, pranë Ministrisë së Arsimit. Sepse sot në bulevard pamë një skenë që asnjë skenarist i qeverisë nuk do ta kishte guxuar ta shkruante. Deputetët e Partisë Demokratike dhe militantët e Arlind Qorit, që prej javësh thonë se luftojnë për të njëjtin qëllim, ta rrëzojnë Ramën, u përplasën me njëri-tjetrin, me thirrje “Berisha në burg” nga njëra anë dhe me akuza për “qorrët e Ramës” nga ana tjetër. Pra, në një shesh ku duhej të ishte bashkuar opozita kundër pushtetit, opozita gjeti më në fund armikun e saj të vërtetë: veten. LEXO EDHE:Protestat në Tiranë/ Avokati i Popullit: Intervistimi i të miturve s’regjistrohet Ironia është e plotë. Prej muajsh këta njerëz i thonë vendit se Rama është problemi i vetëm i Shqipërisë, por kur u gjendën në të njëjtin trotuar, treguan se e urrejnë njëri-tjetrin shumë më tepër se atë. Ramën e kërkojnë me slogane, ndërsa njëri-tjetrin e përzënë me të shtyra. Dhe kryeministri, që sipas tyre duhej të ishte në panik, nuk u desh as të dalë nga zyra. Ia bënë punën falas, me ngut dhe para kamerave. Michels do të ishte i kënaqur, sepse dje u konfirmua teoria e tij në versionin shqiptar, edhe më të vogël dhe më të egër. Te ne nuk kemi as oligarki të mëdha, kemi partiçka, ku secili drejtues është mbret i mbretërisë së vet prej disa qindra ndjekësish dhe ku mbrojtja e asaj mbretërie të vogël ka më shumë rëndësi se fitorja e përbashkët. Ky është ligji i hekurt i partiçkave: më mirë humbës i parë në fshatin tënd, sesa fitues i dytë në një aleancë të madhe. Abraham Lincoln-i e tha në vitin 1858, duke marrë një varg nga Ungjilli, se “një shtëpi e përçarë kundër vetes nuk mund të qëndrojë”. Opozita jonë e ka çuar këtë mësim një hap më tej: nuk ka nevojë as të ndërtojë shtëpinë, mjafton të grindet se kush do ta ketë çelësin. Por ajo që më bën më shumë përshtypje nuk është përplasja, janë ata që mungonin. Studiuesja gjermane e komunikimit Elisabeth Noelle-Neumann e quajti “spiralja e heshtjes” mekanizmin me të cilin njerëzit tërhiqen dhe heshtin kur ndiejnë se zëri i tyre nuk përfaqësohet më në hapësirën publike. Kjo është pikërisht ajo që ndodhi me mijëra qytetarë që në verë mbushnin sheshet në mënyrë paqësore, studentë, prindër, aktivistë, njerëz pa parti. Nuk ikën sepse u pajtuan me pushtetin. Ikën sepse panë që në shesh nuk flitej më për ta, por vetëm për ata që grindeshin se kush do të flasë në emër të tyre. Dhe këtu qëndron tallja më e madhe me protestuesit e heshtur. Ata që i braktisën, sepse nuk deshën të bashkoheshin, nuk deshën të ndanin skenën dhe nuk deshën t’i lënë kurorat e vogla, vazhdojnë sot të flasin në emër të tyre, sikur sheshi të ishte ende plot. I humbën me grindjet e tyre dhe tani i përdorin si numër në deklaratat e tyre. Michels besonte se ligji i hekurt i oligarkisë ishte i pashmangshëm. Ndoshta kishte të drejtë për partitë e mëdha. Por te ne ka një dallim të vogël: oligarkitë e tij të paktën e mbanin pushtetin, ndërsa partiçkat tona po luftojnë mes tyre për të drejtën që ta humbasin. U.D A.Hl Shqiptarja.com TAG: protestat kunder qeverise edi rama PD arlind qori sali berisha Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 5.0 / 5 (2 vlerësime) Faleminderit! OPINIONET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
29 Tetor, 18:29
A besoni se TVSH-ja 6 përqind për ushqimet do të reflektohet si duhet në uljen e çmimeve? Po 50.3% Jo 41.6% Nuk e di 8.2% Vota total: 575 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 29 Tetor, 18:29 A besoni se TVSH-ja 6 përqind për ushqimet do të reflektohet si duhet në uljen e çmimeve?

