Ka një prirje të çuditshme sot për ta ngatërruar zhurmën me ndryshimin. Frank Zappa e kishte kuptuar me kohë këtë kur thoshte me ironinë e tij pikante se mendja e njeriut funksionon si parashuta: duhet të jetë e hapur, ndryshe thjesht bie! LEXO edhe...Dita e 60 e protestës para Kryeministrisë, thirrje kundër Ramës: SPAK-u ta arrestojë! Anulo ligjin për zonat e mbrojtura Në kulturën tonë të reagimit, në një shoqëri shpesh megafoni nuk përdoret si mjet për të zgjuar ndërgjegje, por si një stoli egoje për ata që duan të duken se po bëjnë diçka, duke u rënë me shkop atyre që nuk po bërtasin në të njëjtin shesh dhe ton me ta. Ndodh jo rëndom në hapësirën tonë publike që fryma e gjykimit të ngutet më shpejt se mirëkuptimi. Së fundmi, pashë se si imazhi im ishte vendosur krah disa prej emrave më të denjë e përfaqësues të kulturës sonë, artistë të muzikës klasike (soprano, violinist etj.) në skenat botërore, (nuk po publikoj screenshot´et e postimit me fotot e emrat tanë, për të mos i bërë jehonë e riciklim të njëjtës fletrrufe). Janë vendusur në fletrrufe - njerëz që dinjitetin, emrin dhe vlerat e Shqipërisë i kanë ngjitur në majat më të larta, duke mos e fshehur kurrë prej nga vijnë, por duke insistuar me krenari te rrënjët e tyre. Njerëz që karrierën dhe emrin nuk ua dhuroi askush, por e ndërtuan me talent, disiplinë e punë të fortë e të pavarur. Ajo që me lë një shije të hidhur nuk është krahasimi me ta - përkundrazi, është nder të jesh në një rresht me këta koleg. Hidhësia qëndron te mënyra se si këto figura e imazhe përdoren si "sfond" apo si target në fletrrufe dixhitale (shpesh madje nga profile anonime e false), me qëllim për të ushqyer gjyqe morale mbi formën apo reagimin e artistit. Mirëpo, kjo mendësi e - gjyqit publik - nuk është e re. Ajo është thjesht një rudiment i pashëruar që sot ka ndërruar formë dhe është dixhitalizuar. Në vitin 1972, në muret e diktaturës u shfaq një fletërrufe tragjikomike e cila vinte në shënjestër askënd tjetër veçse Lasgush Poradecin — poetin e yjeve, njeriun që librin e kishte trup dhe fjalën e kishte gjak. E dini cili qe "krimi" tij? Kishte mbajtur një libër të bibliotekës kombëtare përtej afatit. Dhe për këtë e kryqëzonin publikisht për - shkelje të disiplinës proletare - dhe e kërcënonin me Kodin Penal. Ata që nuk kishin lexuar e kuptuar asnjë rresht të thellë në jetën e tyre, merrnin guximin t'i bënin gjyq moral gjeniut. Sot, fjalët - disiplinë proletare - janë zëvendësuar me "detyrim qytetar" sipas kutit të sofatit personal, dhe "muri i fshatit tonë" është zëvendësuar me murin e Facebook´ut, Insta & CO. Vij tek fletrrufetë e sotme ... Fakti që një artist, shkencëtar apo akademik nuk marshon në një shesh dhe hap me “ty”, nuk të pajis aspak me licencën e “sekretarit të këshillit” për t'i ngjitur fletrrufenë askujt. Kjo nuk dëshmon vigjilencën “tënde” për atdheun, por thjesht bën një bazoreliev të kufijve të padijes “sate”. Çapi yt nuk është çapi im, ashtu si megafoni yt nuk mund të jetë instrumenti im. Angazhimi ndaj natyrës dhe halleve të kësaj shoqërie nuk është një kolonë ushtarake që marrshonte në paradën e 1 majit, ku të gjithë duhet të bërtasin “… jemi gati kurdoherë”. Për fat të mirë, liria e vërtetë e reagimit refuzon hapin e brigadës, ajo ka kacafiu shtigje e modele rezistence - dhe asnjëri prej tyre nuk kalon nga gjyqi i divanit “tënd”. Kur një shoqëri fillon e detyron dikë për të shkarkuar frustrimin e vet, ose pret që akademiku, shkencëtari apo artisti të bëhet "hero" me urdhër, është e udhës të kujtojmë dialogun e famshëm nga drama "Jeta e Galileut" e Bertolt Brechtit. Te "Jeta e Galileut", Brechti nuk bën thjesht teatër idesh por b´za një nga patologjitë më me përvojë të shoqërisë njerëzore. Kur Andrea - me atë mllefin e djaloshit që kërkon martirë për t’iu rregulluar bota - i ulëret Galileut: "Fatkeq është ai vend që nuk ka heronj!", shkencëtari i plakur, i lodhur nga inkuizicioni e nga patetizmi i turmës, i kthen përgjigjen që therr si brisk: "Jo. Fatkeq është ai vend që ka nevojë për heronj." Këtu nis e zbërthehet e gjithë enigma. Pse na qenka fatkeq një vend që ka nevojë për heronj? Sepse kërkesa për heronj është, në thelb, një dëshmi e falimentimit të punëve të përditshme. Kur një shoqëri nuk i ka ujdisur hallet as përpunuar gjithë traumat e totalitarizmit si duhet - kur ligji bëhet llastik belevrekësh, kur e vërteta shitet në pazar e kur puna e ndershme e çdo dite nuk bën fajde - atëherë shoqëria nis e kërkon "shpëtonjës". Kërkon dikë që të bëhet kurban në vend të saj. Kërkon një figurë që të ngjitet te foltorja apo te sheshi, të mbajë megafonin e të marrë goditjet e të gjithëve, ndërsa të tjerët rrinë te pragu i shtëpisë e bëjnë sehir me duar në xhepa ose shkojnë tek stadiumi me atë globin në mejdan! Qysh prej vitit 2013 e deri sot, sëbashku me aristë si Elina Duni, Linda Rukaj, Vlashent Sata, Ilir Bajri, Erjon Zaloshnja, ASLV, Klejdi Eski, e shumë kolege të vyer nga fusha të ndryshme të shkencave, aktivistë vendas e nga diaspora, historian, krijues të artit pamor etj, kemi qenë ndër të parët që organizuam koncerte e nisma sensibilizuese plotësisht paqësore, me këllqet tona, pa asnjë interes politik, pa asnjë parti apo fond partiak pas krahëve, por vetëm me thirrjen e ndërgjegjes. Kur nisëm aksionin (këngën "Lum lumi i lirë") për mbrojtjen e Vjosës dhe Valbonës, nuk pamë “lumenj njerëzish” të ngriheshin e të rreshtoheshin në shesh. Nuk kishte as turma masive që të insistonin për të mbrojtur Teatrin Kombëtar, e as kur duhej të sensibilizonim urgjentisht publikun kundër mbetjeve të armëve kimike. Atëbotë, e njohëm mirë se si funksionon - lehtësia e gjykimit mediatik e shoqëror na etiketoi me ironi e qesëndi nëpër pseudodebate televizive se "vijnë këta të diasporës, i këpusin një tralala dhe ikin të pinë kafe në Paris". Ne e dinim se realiteti ishte tërësisht ndryshe - ishin vite të tëra rezistence, përpjekjesh brenda e jashtë vendit, përbaltur me shantazhe, përbuzje thjesht për të mbrojtur të drejtën e tokës, lumenjve - Vjosës, Valbonës, ajrit, tokës dhe dinjitetit tonë. Por a e dini se çfarë ka qenë më e rëndësishmja në të gjithë këtë rrugëtim dekadash? Etika e komunikimit. Kur shumë nga kolegët tanë nuk iu përgjigjën thirrjes sonë për t'u bërë bashkë në ato koncerte, askush nga ne nuk doli me "fletrrufe" për t'i akuzuar. Askush nuk ua bëri fotot - "tag" në Facebook e nuk doli t'u thotë: "Pse heshtni? Pse s´na bashkoheni?" Pse nuk e bëmë? Sepse e mirëkuptuam hallin, presionin e përditshëm, frikën e ndoshta edhe zgjedhjen e secilit. Sepse e dinim që përplasja mes artistëve nuk lind nga mungesa e dashurisë për vendin, por nga format e ndryshme se si zgjedhim ta shprehim atë. Ne nuk e ndërtuam kurrë aktivizmin tonë duke krijuar hasmëri mes atyre që janë "këtu" e atyre që janë "atje", mes atyre që mbajnë megafon e atyre që këndojnë për tokën në heshtje. E megjithatë, ka një ironi të thellë e të hidhur sot te ata që dalin e kërkojnë llogari me foto e me parulla nëpër rrjetet sociale. Sepse një pjesë e mirë e atyre që sot presin që artistët t'u lajnë ndërgjegjen, u ngjajnë pikërisht asaj poeme të Martin Niemöller´it pas luftës së dytë botërore: "Kur erdhën për komunistët, unë heshta - sepse nuk isha komunist. Kur erdhën për sindikalistët, unë heshta - sepse nuk isha sindikalist. Kur kapën çifutët, unë heshta - sepse nuk isha çifut. Kur erdhën për mua, nuk kishte më asnjeri që të protestonte." Sot, kjo protestë e kjo lëvizje qytetare që shohim ka një rrjedhë me degëzime të shumta hallesh e formash - që nga flamingot e pelikanët, te kartonët e këpucëve të shkruar me dorë, e deri te artikulimi analitik e filozofik. Dhe kjo është një pasuri e jashtëzakonshme. Këtu nuk ka dhe nuk duhet të ketë monopol apo model uniform reagimi. George Steiner na kujton se - njeru artist - e dëshmon kohën e vet jo duke u pozicionuar në fronte ditore nga presioni i turmës, por duke krijuar vepra dhe aksione që ruajnë dinjitetin e njeriut dhe të natyrës. Le të japë pra secili formën e vet të reagimit. Le të b´zahet për hallet që mbart pragu dhe komuniteti i tij - aty ku di dhe si di më mirë. Por një gjë duhet ta kemi të qartë: Ne nuk kemi nevojë për heronj me urdhër nga patronazhistët e rrjeteve sociale. Ne kemi nevojë për qytetarë që e kuptojnë se liria e tjetrit për të reaguar në formën e vet është thelbi i vetë lirisë. Dinjiteti i çdo kauze nuk matet me sa lehtë e vendos foton e kolegut në shënjestër, por me etikën, empatinë dhe respektin me të cilin ndërton bashkëjetesën në këtë pyllin tonë të madh që ka nevojë për çdo pemë, për çdo rrënjë, e për çdo zë. Dhe po, Artisti do të ngrihet e do t'ia thotë këngës për të rizgjuar ndërgjegjen e për të ringritur shpirtin e rezistencës atëherë kur atij t'i flasë e vërteta, jo kur i vjen porosia me fletrrufe. Artisti do jap - Za - atëherë kur të mos trajtohet më si një "borgjez i lajthitur" nga një shoqëri që refuzon të kuptojë se natyra, toka, uji, ajri dhe dinjiteti janë po aq jetike sa vetë 'buka e gojës' dhe karrigia e punës. Post Scriptum: Dhe për ta bërë edhe më absurde akuzën mbi "heshtjen", po u kujtoj atyre që presin me gërshërë në dorë për të prerë fletrrufenë e radhës, se çfarë kam publikuar në këtë rrjet qysh më 9 qershor 2026, kur kjo frymë proteste po merrte hov: "Krenari e re o njerëzit e mi! Pra ta dimë tanimë se kjo protestë nuk ka më nevojë për fushata ndërgjegjësimi, as për moralizimat tona. Sepse do kishte diçka artificiale te poezitë e recituara me porosi, te këngët e rreshtuara mirë, te mikrofonat, altoparlantët apo podiumet e ngritura nxitimthi. Domosdo, e vërteta nuk ka nevojë për skenografi. Në fakt, protesta e vërtetë është e bukur pikërisht sepse është organike - ashtu siç ishin Vjosa dhe Valbona dikur, me degë e delta që zgjidhnin vetë ku të rridhnin. A mundet dikush t'i vendosë rregulla rrjedhës së një lumi? Atëherë, hiç mos mendojmë se revolta e një populli ka nevojë për një regjisor!" E kam thënë me zemër: Proud of your voice my Albania! Jo vetëm që nuk kam heshtur (në këtë blog gjeni dhe shkrime aktuale për fuqinë dhe "Flamingo Revolution"), por kam parashikuar e refuzuar qysh atëherë ekzaktsisht atë që po përpiqen të bëjnë sot me këto fletrrufe: imponimin e "podiumeve me detyrim" dhe moralizmin! Sepse ashtu si lumi që zgjedh vetë shtratin ku do të rrjedhë, ashtu edhe çdo qytetar e çdo artist zgjedh vetë formën, zërin dhe mënyrën e vet të qëndresës, pa pasur nevojë të bëjë askush apelin e protestës në mbrëmje. SI.E./ReportTv.al protestat kunder qeverise eda zari Komento Komente Sondazhi i ditës: Epoka e re e kërkesave, mendoni se reagimi i Ramës për protestat është i duhuri? Po 63.7% Jo 29.8% Nuk e di 6.5% Vota total: 9156 Sondazhi i ditës: Epoka e re e kërkesave, mendoni se reagimi i Ramës për protestat është i duhuri?

