Në temperaturat përvëluese të këtij mesi gushti në Shqipëri, për shkak edhe të thatësirës dhe më së shumti të pakujdesisë së njerëzve, në 24 orët e fundit janë aktivizuar 23 vatra zjarri, nga të cilat 6 vijojnë të jenë aktive dhe të sfidojnë shërbimin zjarrfikës dhe emergjencat civile. Vatër mjaft e rrezikshme ishte ajo e shënuar në Krujë, e cila rrezikoi seriozisht qytetin, ku u angazhuan për orë të tëra 250 forca dhe u shkrumbuan rreth 60 hektarë pyje dhe kullota.
Drejtor i Përgjithshëm i Zjarrfikësve, Arben Cara thotë: “U ruajtën banesat, u dogj veç një magazinë, heronjtë janë pilotët”.
Rezulton se në pjesën dërrmuese të këtyre vatrave të zjarrit shkaktare është dora e njeriut, kryesisht mosha e tretë, që përdor zjarrin për të pastruar mbetje bujqësore.
Policia e Tiranës prangosi këtë të hënë një 70-vjeçar, pasi dyshohet se është autor i 2 zjarrvënieve në Shkozë dhe në Lundër. Top Channel

