Fitorja e AfD-se Në të njëjtën kohë, zhvillimet politike në Gjermani po ndiqen me interes edhe nga Moska, pasi Berlini është donatori më i madh individual i ndihmës ushtarake për Ukrainën. Në të kundërt, AfD mbështet ndërprerjen e ndihmës ushtarake për Kievin, heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe rifillimin e importeve të energjisë së lirë ruse. BBC ka bërë një analizë për ditën pas zgjedhjeve dhe tronditjet që shkakton në skenën politike globale fitorja dërrmuese e partisë “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) në landin e Saksoni-Anhaltit.
Analiza, e cila lidhet me Gjermaninë, SHBA-në, Rusinë, luftën në Ukrainë, por edhe me Bashkimin Evropian, nis me cilësimet “ngjarje sizmike”, “tërmet social-politik” dhe “pikë kthese për Gjermaninë”, të përdorura nga analistë politikë për të përshkruar rezultatin e zgjedhjeve në një prej landeve më të vogla gjermane.
Saksoni-Anhalti mund të ketë vetëm 1,7 milionë votues nga gjithsej 59 milionë persona me të drejtë vote në nivel kombëtar në Gjermani, por, siç thekson BBC, tendencat politike që shfaqen atje kanë “pasoja shumë të rëndësishme, veçanërisht pasi AfD nuk arriti të siguronte shumicën absolute”.
“Para së gjithash, për vetë Gjermaninë. Përballja zgjedhore ishte rajonale, por pasojat e saj arrijnë deri në nivel kombëtar. Fitorja dërrmuese e AfD-së rrit edhe më shumë presionin ndaj koalicionit qeverisës të qendrës në Berlin, i cili tashmë po përballet me vështirësi. Madje, ajo mund të rezultojë goditja përfundimtare për kancelarin konservator Friedrich Merz, jashtëzakonisht jopopullor, i cili kishte premtuar se do të kufizonte mbështetjen për AfD-në”, vijon analiza e medias britanike.
Siç theksohet, “këto vështirësi politike pritet ta dobësojnë më tej dhe t’ia shpërqendrojnë vëmendjen Gjermanisë, lojtarit më të fuqishëm të Bashkimit Evropian, në një periudhë kur Evropa po përballet me kriza të shumta: përpjekjen për të frenuar agresionin rus, tarifat e Donald Trumpit dhe sfidën ekonomike që paraqet Kina”.
Rezultati në Saksoni-Anhalt shkakton gjithashtu shqetësim të thellë në të gjithë Gjermaninë, ku e kaluara naziste vazhdon të rëndojë në kujtesën kolektive. Bëhet fjalë për fitoren e parë kaq mbresëlënëse zgjedhore të një partie nacionaliste të së djathtës së fortë, tashmë me perspektivë reale për të ushtruar pushtet – qoftë edhe në nivel rajonal – që nga rënia e Rajhut të Tretë në vitin 1945.
Veçanërisht për AfD-në theksohet se “dihet që ka një bazë veçanërisht të fuqishme në Gjermaninë Lindore, por tashmë shfaqet në sondazhe si partia më e madhe politike në nivel kombëtar”, me vërejtjen se “duket se sistemi tradicional politik i Gjermanisë ka dështuar t’u përgjigjet pritshmërive të shumë votuesve”.
Jashtë Gjermanisë
Megjithatë, Saksoni-Anhalti i vogël po shkakton tronditje edhe jashtë Gjermanisë, vijon analiza e BBC-së, duke vënë në dukje postimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, me rezultatet e exit poll-eve në këtë rajon.
“Mesazhi kundër emigracionit dhe kundër ‘woke’ i AfD-së, me sloganin ‘Gjermania për gjermanët’, paraqet ngjashmëri të rëndësishme me narrativën politike të lëvizjes MAGA të Donald Trumpit. Ashtu si parti të tjera nacionaliste në Evropë, AfD përvetëson elemente të strategjisë së Trumpit, duke vënë në dyshim mediat tradicionale, paanshmërinë e drejtësisë dhe duke premtuar se do ta ‘bëjë Gjermaninë sërish të madhe’”, vëren autorja e analizës.
Megjithatë, ajo thekson gjithashtu se “emri i presidentit amerikan përdoret rrallë në fushatat zgjedhore evropiane, pasi politikanët e dinë se sa jopopullor mbetet ai mes shumë votuesve evropianë”.
Në të njëjtën kohë, zhvillimet politike në Gjermani po ndiqen me interes edhe nga Moska, pasi Berlini është donatori më i madh individual i ndihmës ushtarake për Ukrainën. Në të kundërt, AfD mbështet ndërprerjen e ndihmës ushtarake për Kievin, heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe rifillimin e importeve të energjisë së lirë ruse.
Roli i Gjermanisë Lindore
Qëndrimi më i butë i AfD-së ndaj Rusisë gjen mbështetje edhe në Gjermaninë Lindore, e cila vazhdon të jetë ekonomikisht më e dobët se pjesa perëndimore, pavarësisht shumave të mëdha të shpenzuara pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989 për ribashkimin e vendit, raporton media britanike.
Madje, siç theksohet, “Saksoni-Anhalti mbetet rajoni më i varfër i Gjermanisë dhe atje haset shpesh fenomeni i të ashtuquajturës Ostalgie – një nostalgji për stabilitetin e jetës së përditshme që, sipas disa banorëve, karakterizonte periudhën e Gjermanisë Lindore”.
Evropa
Zhvillimet po ndiqen nga afër edhe nga Bashkimi Evropian. Dymbëdhjetë muajt e ardhshëm konsiderohen një periudhë me përballje të forta zgjedhore, me zgjedhje vendimtare në vende si Franca, Italia, Spanja dhe Polonia.
Në Bruksel ekziston shqetësimi se më shumë parti që konsiderohen politikisht ekstreme, kryesisht nga krahu i djathtë i spektrit politik, mund të forcohen.
Domethënës është komenti i udhëheqësit të partisë nacionaliste spanjolle Vox, Santiago Abascal, i cili e cilësoi fitoren e AfD-së si “një shpresë të madhe për Gjermaninë dhe Evropën”. Në të kundërt, ministri francez për Çështjet Evropiane, Benjamin Haddad, paralajmëroi se “ky është një moment serioz për Evropën, kur shohim të djathtën ekstreme të fitojë zgjedhje rajonale në Gjermani”.
AfD, ashtu si edhe parti të tjera që cilësohen si e djathtë “e fortë” ose “ekstreme”, i kundërshtojnë këto përcaktime. Megjithëse ndryshojnë mes tyre për shumë çështje, ato zakonisht ndajnë dy elemente bazë: qëndrimin e ashpër ndaj emigracionit dhe retorikën e fortë nacionaliste. Rritja e partive të tilla shkakton shqetësim në BE, pasi ekziston frika se mund ta vështirësojë kohezionin evropian në një periudhë sfidash ndërkombëtare.
Në të njëjtën kohë, shumë votues evropianë shqetësohen për ndikimin e luftërave në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, për përkeqësimin e shërbimeve publike shëndetësore, për pasigurinë ekonomike, por edhe për emigracionin dhe sigurinë në rrugë.
“Dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e votës në Saksoni-Anhalt: ajo përbën një mesazh të fortë paralajmërues për partitë tradicionale politike, por edhe për institucionet. Shumë votues ndiejnë se janë braktisur nga partitë që kanë mbështetur për dekada. Fakti që tani kërkojnë alternativa, qoftë në të djathtë apo në të majtë, nuk do të thotë domosdoshmërisht se kanë përqafuar ideologji ekstreme. Slogani elektoral i AfD-së në Saksoni-Anhalt ishte optimisti ‘Gjithçka është e mundur!’, i shoqëruar nga premtimi për t’i bërë gjermanët të ndihen sërish krenarë për vendin e tyre. Dhe duket se gjithnjë e më shumë votues janë të gatshëm t’i japin mundësinë ta dëshmojë këtë në praktikë”, përfn BBC në analizën e saj.fitorja e afd-se ne gjermani Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Putin “luan” me Trump për luftën me Ukrainë, Zelensky përgatitet për dimrin e 5-të të luftës 7 Shtator 2026, 09:5109:51Rajoni dhe Bota Tensionet SHBA-Iran “paralizojnë” Hormuzin! 7 Shtator 2026, 09:5209:52Rajoni dhe Bota Orban përgëzon AfD-në pas fitores në Gjermani: Ky është vetëm fillimi 7 Shtator 2026, 09:3509:35Rajoni dhe Bota Fitorja kundër kancelarit Merz; kush është lideri i AfD-së që tronditi skenën politike në Gjermani? 7 Shtator 2026, 08:3008:30Rajoni dhe Bota Jared Kushner paralajmëron Kievin: Kemi dëgjuar ide të reja në Moskë 7 Shtator 2026, 08:1608:16Rajoni dhe Bota Nga lavdet për veten, te sulmet kundër Iranit, Trump shkakton polemika në rrjet me postimet e fundit 7 Shtator 2026, 08:0008:00Rajoni dhe Bota

