Shqipëria ka pësuar një humbje 2-1 ndaj Finlandës në Helsinki, në një ndeshje që nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për kuqezinjtë, por që ndryshoi plotësisht pas kartonit të kuq të Etrit Berishës.
Kuqezinjtë kaluan në avantazh që në minutën e 4-t. Pas një goditjeje këndi të ekzekutuar nga Asllani, Rey Manaj u shkëput bukur dhe me kokë dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë Shqipërisë avantazhin.
Por vetëm pak minuta më vonë, situata u përmbys. Në minutën e 22-të, Etrit Berisha ndërhyri jashtë zone dhe u ndëshkua direkt me karton të kuq. Shqipëria mbeti me 10 lojtarë dhe trajneri u detyrua të bëjë një zëvendësim të detyruar, duke aktivizuar Sherrin në portë në vend të Hoxhës.
Finlanda nuk vonoi të shfrytëzonte epërsinë numerike. Në minutën e 26-të, Walta ekzekutoi një goditje dënimi rrafsh me tokën dhe mposhti Sherrin, duke barazuar shifrat në 1-1.
Pjesa e parë u mbyll në barazim, ndërsa në fraksionin e dytë Shqipëria u përpoq të rezistonte dhe të gjente hapësirat për të rikthyer avantazhin.
Finlanda, megjithatë, e gjeti golin e përmbysjes në minutën e 71-të. Sërish Walta mori përsipër ekzekutimin e një goditjeje dënimi dhe me një goditje të saktë me të djathtën dërgoi topin në rrjetë për 2-1.
Kuqezinjtë tentuan të reagonin deri në fund. Pilo pati një mundësi të mirë, por goditja e tij përfi jashtë, ndërsa në minutën e 80-të Uzuni u rrëzua në zonë dhe kërkoi penallti. Pas ndërhyrjes së VAR-it, arbitri vendosi të mos akordojë 11-metërsh.
Në fund, Finlanda mori tre pikët dhe ngjitet për momentin në krye të grupit C1 me 7 pikë, ndërsa Shqipëria mbetet në vendin e dytë me 6 pikë.

