Një 37-vjeçar është arrestuar në Bulqizë, pasi u kap në flagrancë nga Policia në një zonë ku dyshohet se kishte kultivuar bimë narkotike. Operacioni i koduar “Indicia” u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, pas kontrolleve intensive në terren dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative. Në fshatin Okshtun i Vogël, në njësinë administrative Ostren, efektivët zbuluan dy parcela ku ishin kultivuar gjithsej 215 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Gjatë ndërhyrjes, Policia kapi në flagrancë shtetasin S. K., 37 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë. Në vijim të veprimeve të para hetimore, ai u arrestua si autor i dyshuar i kultivimit të bimëve narkotike. Bimët narkotike u asgjësuan, ndërsa vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
