Melisa Raouf shkroi historinë e konkursit Miss England në vitin 2022, duke u bërë finalistja e parë që zgjodhi të konkurronte pa grim.
20-vjeçarja nga jugu i Londrës arriti deri në finalen e konkursit pasi u shfaq me fytyrën natyrale, duke sfiduar një prej pritshmërive më të zakonshme në konkurset e bukurisë.
Raouf, studente universiteti në atë kohë, tha për The Independent se vendimi i saj lidhej me presionin që vajzat dhe gratë ndiejnë për t’iu përshtatur një standardi të caktuar pamjeje.
“Shumë vajza të moshave të ndryshme përdorin grim sepse ndihen nën presion për ta bërë këtë”, tha ajo.
Sipas saj, nuk duhet të ndihemi të detyruar të mbulojmë fytyrën nëse ndihemi mirë me pamjen tonë natyrale.
“Papërsosmëritë tona janë pjesë e asaj që na bën unikë”, u shpreh Raouf.
Ajo tregoi se kishte nisur të përdorte grim që në moshë të vogël dhe për një kohë të gjatë kishte ndier se nuk i përmbushte standardet e bukurisë. Me kalimin e kohës, tha se kishte mësuar ta pranonte veten pa pasur nevojë të fshihte tiparet e saj natyrale.
Konkursi Miss England kishte prezantuar kategorinë “Bare Face Top Model” në vitin 2019, me synimin për t’i parë konkurrentet pa grim dhe pa filtrat e përdorur zakonisht në fotografitë e aplikimeve.
Vendimi i Raouf u vlerësua edhe nga organizatorët. Drejtoresha e Miss England, Angie Beasley, e cilësoi zgjedhjen e saj si një mesazh të rëndësishëm për vajzat dhe gratë e reja.
Raouf e mbajti të njëjtën qasje edhe në finalen kombëtare të vitit 2022, ku konkurroi pa grim. Ajo përfi si third runner-up, ndërsa historia e saj u raportua nga media ndërkombëtare si The Independent, The Washington Post, Glamour UK dhe ITV News.
Historia e saj rikthehet herë pas here në media si një nga rastet më të veçanta të konkurseve të bukurisë, pikërisht sepse Raouf zgjodhi të konkurronte duke hequr dorë nga një prej elementeve më të zakonshme të këtij lloj spektakli: grimi.

