Ish-ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, mbështet qëndrimin e liderit të partisë, Maksim Dimitrievski, se provimi i jurisprudencës duhet të jepet ekskluzivisht në gjuhën maqedonase. Filkov thotë se aktualisht nuk ekziston mundësia që provimi të jepet në një gjuhë tjetër, duke iu referuar Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Ai theksoi se qëndrimi i tij për këtë çështje ka qenë i njëjtë edhe gjatë kohës kur drejtonte Ministrinë e Drejtësisë. “Ne, si ZNAM jemi konsekuentë dhe parimorë në qëndrimin të cilin unë e kam përfaqësuar që kur isha ministër dhe qëndroj prapa të njëjtit. Për momentin nuk ka mundësi për dhënien e provimit në një gjuhë tjetër, sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Maqedonisë. Të presim që të gjendet një zgjidhje, ta shohim dhe pastaj do të bisedojmë... Nuk bëhet fjalë për atë nëse unë jam kundër apo pro. Së pari, për atë zgjidhje hibride, le ta quajmë kështu, unë kam mësuar nga ju, mediat. Unë nuk kundërshtoj që dikush ta japë provimin në atë gjuhë që është e mundësuar në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën, por ajo që më shqetëson mua është se një zgjidhje e tillë hibride u refuzua nga ata të cilët protestojnë dhe kundërshtojnë që ta japin provimin në gjuhën që duhet të përdoret në të gjitha ato institucione ku planifikojnë të punojnë, si gjyqtarë, avokatë, prokurorë dhe të ngjashëm. Kjo është më shumë se shqetësuese.”, u shpreh ish-ministri i Drejtësisë Filkov.

