Policia Rrugore e Fierit ka shtuar kontrollet në akset rrugore të qarkut Fier, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut përmes monitorimit me pajisje inteligjente në rrugët urbane, interurbane dhe në pikat hyrëse-dalëse. Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat policia bëri me dije se gjatë kësaj jave janë proceduar penalisht 5 shtetas për shkelje të ndryshme të dispozitave të Kodit Rrugor. Sipas Policisë, 1 shtetas është arrestuar për drejtim automjeti në gjendje të dehur, ndërsa 3 të tjerë janë proceduar për drejtim të mjetit pa leje drejtimi. Nga këta, 1 është arrestuar, ndërsa 2 janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, është proceduar penalisht 1 shtetas për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë aksidentin. Gjatë kontrolleve parandaluese janë vendosur gjithsej: 989 masa administrative për tejkalim të shpejtësisë në rrugët interurbane dhe në autostradën A2; 40 masa për mospërdorimin e rripit të sigurimit; 4 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit; 35 masa për parakalim të gabuar; 6 masa për drejtim automjeti nën efektin e alkoolit; 112 masa për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor, të cilat përbëjnë burim potencial për aksidente. Ndërkohë, vijojnë kontrollet edhe ndaj mjeteve që kryejnë transportin e nxënësve, me qëllim garantimin e sigurisë së tyre gjatë lëvizjes. Gjatë kësaj jave janë vendosur 3 masa administrative, pasi janë konstatuar mjete të transportit publik që nuk dispononin dokumentacionin përkatës.
