Parku i Madh i Tiranës dhe Liqeni Artificial kanë qenë prej dekadash midis hapësirave më të rëndësishme publike të kryeqytetit. Për mijëra qytetarë, ky mjedis urban nuk është thjesht një sipërfaqe e gjelbër, por një pjesë e kujtesës së qytetit, një vend shëtitjeje, sporti, çlodhjeje dhe, mbi të gjitha, një nga mushkëritë kryesore të Tiranës. Pikërisht për këtë arsye, çdo ndryshim në këtë hapësirë duhet të shihet me dy sy: me syrin e qytetarit që kërkon një park më të bukur, më të pastër dhe më funksional, por edhe me syrin kritik të publikut që vëren problemet e krijuara. LEXO edhe...Veliaj në qeli/ Rama: Shembull absurd, duket si ekspertiment social! Kryeqyteti po vuan mungesën e drejtimit, bashkia s'ka kokë Sot, Parku i Tiranës duket sikur ka mbetur midis dy realiteteve. Nga njëra anë është transformimi i dukshëm, përgjatë gjithë kohës që Erjon Veliaj ka qenë “de facto” në krye të Bashkisë Tiranë, i disa prej hapësirave të tij: rrugët për këmbësorë dhe biçikleta, këndi i lojërave, fushat sportive, hapësirat rekreative, ndërhyrjet peizazhistike dhe mbjellja e mijëra pemëve. Nga ana tjetër, qytetari vëren, sidomos këtë vitin e fundit, edhe probleme serioze: pemë të thara, zona që kërkojnë mirëmbajtje, mbetje, degradim të disa hapësirave dhe, sidomos, probleme me kanalizimet dhe ndotjen e ujërave në zonat pranë liqenit. Këtu lind pyetja themelore: a mjafton të ndërtohet një park, apo duhet edhe të garantohet mirëmbajtja e tij? Dhe kjo pyetje bëhet edhe më me zë të lartë kur ky debat zhvillohet në një kohë që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet në qendër të një procesi të rëndësishëm penal dhe institucional. Kur Erion Veliaj mori drejtimin e Bashkisë së Tiranës në vitin 2015, Parku i Liqenit u vendos ndër projektet më të dukshme të administratës së re. Ndërhyrja nuk ishte thjesht një projekt gjelbërimi. U synua që parku të kthehej në një hapësirë shumëfunksionale: për fëmijët, sportistët, çiklistët, vrapuesit, familjet dhe aktivitetet kulturore. Një nga investimet më të njohura ishte këndi i lojërave për fëmijë. Sipas të dhënave të publikuara për projektin, sipërfaqja e tij ishte rreth 4 mijë metra katrorë. Projekti u përfundua në vitin 2016 dhe përfshinte disa zona të ndara sipas grupmoshave. Ky projekt pati edhe një aspekt tjetër: kundërshtime të forta publike. Në vitin 2016, aktivistë dhe qytetarë opozitarë protestuan për mënyrën e ndërhyrjes në park, duke ngritur shqetësime të padrejta për prerjen e pemëve, betonizimin, procedurat mjedisore dhe konsultimin publik. Çështja u bë dhe objekt gjyqsor. Ky episod është i rëndësishëm edhe sot, sepse tregon që Parku i Liqenit nuk ka qenë kurrë vetëm një çështje teknike. Ai ka qenë dhe mbetet një çështje publike. Në vitet pasuese, ndërhyrjet vazhduan. U ndërtuan dhe rehabilituan hapësira sportive, rrugë për ecje e vrapim, korsi biçikletash dhe struktura të tjera rekreative. Vetë Bashkia ka dokumentuar rehabilitimin e fushave të futbollit, basketbollit dhe volejbollit në park. Në një fazë tjetër u investua edhe në rikthimin e hapësirave të tenisit. Bashkia ka deklaruar se dy fusha tenisi u rikthyen në përdorim pas një periudhe të gjatë uzurpimi. Një tjetër simbol i ndërhyrjeve ishte “Moli i Dashurisë”, i realizuar me mbështetjen e Bashkisë dhe ABI Bank, duke rikthyer edhe shëtitjet me varka në liqen, etj. Por ndoshta shifra më e madhe e përdorur për të përshkruar transformimin e gjelbër të Tiranës është ajo e pemëve. Bashkia e Tiranës ka deklaruar se në kuadër të politikës së mbjelljes së pemëve, në Parkun e Liqenit janë mbjellë rreth 126 mijë pemë në fazat e para të këtij programi, ndërsa në vitin 2023 Bashkia njoftoi mbjelljen e pemës së një miliontë në Parkun e Tiranës dhe synimin për të arritur në 2 milionë pemë deri në vitin 2030. Këto janë shifra të rëndësishme. Por pikërisht këtu fillon edhe një përgjegjësi tjetër e bashkisë. Një pemë e mbjellë nuk është domosdoshmërisht një pemë e rritur. Një park i inauguruar nuk është domosdoshmërisht një park i mirëmbajtur. Dhe një investim i përfunduar nuk është domosdoshmërisht një investim i suksesshëm nëse pas disa vitesh infrastruktura amortizohet e degradon. Nëse sot qytetari hyn në Parkun e Liqenit dhe sheh pemë të thara, zona të dëmtuara, mbetje apo probleme me ujërat e ndotura, pyetja nuk duhet të jetë vetëm se; kush e ndërtoi parkun? Pyetja duhet të jetë: kush e mirëmban atë? Ky është ndryshimi midis një projekti urban dhe një politike publike. Një bashki nuk gjykohet vetëm nga numri i projekteve që inauguron. Ajo gjykohet edhe nga aftësia për t’i mbajtur ato funksionale pas pesë, dhjetë apo pesëmbëdhjetë vitesh. Në këtë pikë, Parku i Liqenit duhet të shihet si një sistem i tërë ekologjik dhe urban. Pemët kanë nevojë për ujitje, krasitje dhe kujdes fitosanitar. Sheshet kanë nevojë për mirëmbajtje. Rrugët e rrugicat kanë nevojë për ndërhyrje. Kanalizimet duhet të funksionojnë. Ujërat që derdhen pranë liqenit duhet të kontrollohen. Mbetjet duhet të largohen. Hapësirat sportive duhet të mirëmbahen. Nëse një prej këtyre hallkave dështon, atëherë edhe investimi fillestar humbet një pjesë të vlerës së tij. Prandaj shqetësimi për gjendjen aktuale të parkut nuk duhet të interpretohet automatikisht si mohim i investimeve të bëra në të kaluarën. Përkundrazi, ai duhet të shihet si kërkesë që investimi të mos mbetet vetëm në fazën e inagurimit. Në këtë kuptim, Parku i Liqenit është edhe një test për administrimin publik të Tiranës. Nëse një administratë arrin të transformojë një hapësirë të degraduar në një park të frekuentuar, kjo është një arritje. Por nëse pas transformimit nuk arrin ta ruajë atë cilësi, atëherë suksesi fillestar nuk mund të jetë justifikim për mosveprimin e mëvonshëm. Sot, pra, Parku ka nevojë për dy gjëra njëkohësisht: investim e përgjegjësi. Dhe përgjegjësia institucionale nuk mund të varet nga fakti nëse kryetari i bashkisë është në detyrë, në paraburgim apo jashtë politikës. Këtu debati bëhet më i ndërlikuar. Erion Veliaj ndodhet në paraburgim që prej shkurtit 2025 dhe ndaj tij SPAK ka përfunduar hetimet dhe e ka dërguar çështjen për gjykim. Në njoftimin zyrtar të 10 shtatorit 2025, SPAK deklaroi se Veliaj akuzohet për disa episode të korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë dhe për vepra të tjera të lidhura me pastrimin e produkteve të veprës penale. Këto janë akuza të ngritura nga prokuroria dhe jo një vendim përfundimtar fajësie. Kjo pikë duhet të jetë e qartë për të gjithë. Në një shtet të së drejtës, një person i akuzuar nuk duhet të trajtohet si i dënuar përpara një vendimi përfundimtar. Por po aq e rëndësishme është edhe e kundërta: fakti që një person ka qenë i zgjedhur me votë nuk e përjashton atë nga hetimi penal. Pra, as paraburgimi nuk është provë fajësie, por as mandati politik nuk është imunitet ndaj drejtësisë. Këtu qëndron ekuilibri që duhet ruajtur. Dhe pikërisht në këtë pikë bëhet shumë i rëndësishëm vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2026, kur shqyrtoi ankimin e Veliajt dhe gjeti probleme kushtetuese në mënyrën se si Gjykata e Lartë kishte arsyetuar disa nga pretendimet e saj. Në mënyrë të veçantë, Kushtetuesja pranoi se Gjykata e Lartë nuk kishte dhënë arsyetim të mjaftueshëm lidhur me pretendimin për cënimin e dinjitetit dhe prezumimit të pafajësisë, si edhe lidhur me proporcionalitetin e masës së arrestit në raport me të drejtën për t’u zgjedhur. Çështja merr një dimension edhe më interesant kur lidhet me mandatin e kryetarit të bashkisë. Erion Veliaj është një funksionar i zgjedhur drejtpërdrejt nga votuesit e Tiranës. Kjo nuk e bën të paprekshëm nga drejtësia. Por do të ishte po aq e gabuar që fakti i një akuze penale të shndërrohej automatikisht në humbje të mandatit. Kushtetuta shqiptare ka vendosur një procedurë të posaçme për shkarkimin e kryetarit të bashkisë. Pikërisht këtë çështje Gjykata Kushtetuese e trajtoi në nëntor 2025 dhe shfuqizoi vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25 shtator 2025, për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra, duke e konsideruar atë të papajtueshëm me Kushtetutën. Për pasojë, shfuqizoi edhe dekretin presidencial që kishte caktuar zgjedhje të pjesshme për Bashkinë Tiranë. Pa dashur të qëndrojmë më gjatë në terrenin e gjykimit juridik, le të hyjmë në terrenin e interesit publik, aty ku qytetari i zakonshëm e përjeton çdo ditë pasojën e vendimeve institucionale. Pyetja që shtrohet nuk është nëse Erion Veliaj duhet apo nuk duhet të përballet me drejtësinë. Kjo është çështje e organeve të drejtësisë dhe duhet të mbetet e tillë. Pyetja jonë është tjetër: çfarë ndodh me administrimin e qytetit dhe, në veçanti, me Parkun e Liqenit, kur drejtuesi i zgjedhur i Bashkisë mungon për një periudhë të gjatë nga ushtrimi real i funksioneve të tij? Në periudhën kur Veliaj ishte në krye të Bashkisë dhe ushtronte normalisht funksionet e tij, Parku i Liqenit u shndërrua në një prej hapësirave ku u përqendruan investime të rëndësishme të Bashkisë së Tiranës. Këtu nuk kemi nevojë të hyjmë në vlerësime politike. Mjafton të shohim me paanësi atë që është bërë. Pra, në atë periudhë, Parku nuk ishte thjesht një hapësirë që ekzistonte. Ai ishte kthyer në një projekt të vazhdueshëm të administrimit urban. Dhe kjo është një diferencë shumë e rëndësishme. Një kryetar bashkie nuk e administron qytetin vetëm duke firmosur kontrata. Në rastin e një hapësire kaq të madhe sa Parku i Liqenit, nevojitet një zinxhir i tërë vendimmarrjeje: evidentim i problemeve, përcaktim prioritetesh, planifikim, financim, zbatim, kontroll dhe më pas mirëmbajtje. Nëse një hallkë e këtij zinxhiri dobësohet, pasojat fillojnë të shfaqen. Dhe këtu lind pyetja që sot duhet t’ia bëjmë vetes: a po ndodh kjo me Parkun e Liqenit? Administrata nuk është vetëm ndërtesa e Bashkisë. Ka një keqkuptim të madh në mënyrën se si flasim për administratën publike. Shpesh mendojmë se, nëse kryetari mungon, gjithçka duhet të vazhdojë normalisht, sepse ekzistojnë drejtorët, specialistët, sektorët dhe punonjësit e administratës. Formalisht, kjo është e vërtetë. Por praktikisht, administrimi i një qyteti nuk funksionon gjithmonë si një makinë automatike. Drejtimi politik përcakton ritmin. Ai përcakton prioritetet, kërkon llogari, kontrollon zbatimin e tyre, mbledh drejtuesit e departamenteve dhe u kërkon informacion, ndërhyn kur një problem nuk zgjidhet, etj. Dhe, mbi të gjitha, ai krijon një kulturë pune ku punonjësi i administratës e di se dikush do ta pyesë e t’i kërkojë llogari: “Çfarë bëre sot për këtë problem?” Kur ky presion pozitiv i përgjegjshmërisë mungon, administrata mund të vazhdojë të ekzistojë formalisht, por të humbasë gradualisht ritmin e veprimit. Kjo mund të jetë pikërisht një prej shpjegimeve që duhet shqyrtuar për ndryshimin e perceptueshëm midis Parkut në periudhën e investimeve intensive dhe gjendjes që qytetari konstaton sot. Natyrisht s’mund të themi, se të gjithë punonjësit e Bashkisë nuk punojnë. As nuk kemi të drejtë të akuzojmë individë pa prova. Por është legjitime të shtrojmë pyetjen: Pse mekanizmi i kontrollit dhe i përgjegjësisë brenda administratës është dobësuar gjatë këtyre muajve që Veliaj ndodhet në paraburgim? Sepse një pemë nuk thahet vetëm për shkak të mungesës së shiut. Mund të thahet edhe sepse nuk është ujitur në kohë. Një hapësirë nuk degradohet vetëm sepse është e vjetër. Mund të degradohet sepse nuk është mirëmbajtur. Një kanalizim nuk bllokohet vetëm nga moti. Mund të bllokohet edhe sepse nuk është kontrolluar. Dhe për secilin prej këtyre problemeve ekziston një hallkë administrative që duhet të reagojë. Këtu kemi një paradoks që meriton vëmendje. Sa më shumë të investosh në një vepër publike, aq më e madhe bëhet përgjegjësia për ta mirëmbajtur atë. Nëse në Parkun e Liqenit janë investuar miliona lekë në infrastrukturë, ambiente sportive, kënde lojërash, rrugë dhe gjelbërim, atëherë çdo vit i mirëmbajtjes së dobët është humbje e një pjese të atij investimi. Nëse mbillet një pemë dhe ajo thahet, nuk humbet vetëm pema. Humbet fidani, puna e mbjelljes, transporti, ujitja e mëparshme, investimi i kryer dhe, mbi të gjitha, koha e nevojshme që ajo pemë të rritet. Kjo është arsyeja pse mirëmbajtja e Parkut duhet parë si investim, jo si shpenzim dytësor. Në fakt, për një park urban, mirëmbajtja është pjesë e vetë investimit. Çfarë ndodh kur përgjegjësia mbetet pezull? Këtu rikthehemi te mungesa e drejtimit. Në një administratë të madhe si Bashkia e Tiranës, përgjegjësitë janë të shpërndara. Por shpërndarja e përgjegjësive nuk duhet të çojë në shpërndarjen e përgjegjësisë deri në pikën ku askush nuk mban më përgjegjësi. Ky është një nga rreziqet klasike të administratës publike. Evidentohet një problem e shkresa kalon dorë më dorë. Përveçse një firmë ajo pret edhe një vendim, pastaj ndjekjen e zbatimit të tij… Ndërkohë, pema thahet. Kjo mund të duket si një tablo e ekzagjeruar, por në çdo administratë të madhe ekziston rreziku i burokratizimit dhe i humbjes së përgjegjësisë individuale. Drejtuesi politik, në këtë rast, ka një rol të pazëvendësueshëm: ta këpusë atë hallkë të zinxhirit kur ai bëhet pengesë për interesin publik. Kjo është një prej arsyeve pse prania e një drejtuesi aktiv mund të ketë ndikim edhe përtej firmës së tij. Ai vendos ritëm e rezultate, dhe e nxjerr problemin nga dosja administrative, duke e vendosur në terrenin konkret për t’i dhënë zgjidhje. Dhe pikërisht këtu qytetari ka të drejtë të kërkojë llogari. A ishte Veliaj “motori” i investimeve? Pa dashur të bëjmë propagandë për asnjë individ, është e vështirë të mohohet se periudha e drejtimit të Erion Veliajt përkoi me një numër të madh ndërhyrjesh urbane në Tiranë dhe, në mënyrë të veçantë, me investime të rëndësishme në Parkun e Liqenit. Dhe këtë e arriti duke bërë, së pari, funksional dhe efiçient institucionin e bashkisë. Me sa duket sot po vuajmë çmimin e mungesës së drejtimit. Ndoshta kjo është pasoja më pak e diskutuar e një situate të tillë. Kur drejtuesi kryesor i një institucioni mungon për një periudhë të gjatë, nuk është vetëm individi që humbet mundësinë për të ushtruar detyrën. Ekziston rreziku që të humbasë ritmi i institucionit. Dhe një qytet i madh nuk mund të vendosë në “pending” problematikat e tij. Tirana vazhdon të rritet. Numri i banorëve dhe përdoruesve të hapësirave publike vazhdon të jetë i lartë. Nevojat për gjelbërim, pastrim, transport, ujëra, kanalizime dhe mirëmbajtje vazhdojnë çdo ditë. Prandaj, nëse drejtimi politik dobësohet, administrata duhet të gjejë mënyra për ta kompensuar këtë boshllëk me më shumë disiplinë institucionale. Në të kundërt, krijohet ajo që mund ta quajmë administratë në pritje: zyrat janë hapur, punonjësit janë aty, dokumentet qarkullojnë, por vendimmarrja dhe përgjegjësia humbin shpejtësinë e zgjidhjes. Dhe qytetari e kupton këtë jo nga organigrama e Bashkisë. E kupton kur kalon në Park, tek sheh pemën e tharë, mbeturinat apo ujin e ndotur të Liqenit nga derdhjet e ujërave të zeza në të. Dhe në këtë rast, ai nuk pyet, se cili drejtor e ka kompetencë, por: “Ku është Bashkia”? Prandaj Parku nuk duhet të bëhet viktimë e një beteje politike. Kjo është ndoshta pika më e rëndësishme që duhet kuptuar drejt. Parku i Liqenit Artificial të Tiranës nuk është i Veliajt. Nuk është i mazhorancës, dhe as i opozitës. Është i qytetarëve... R.Xh/ReportTv.al Feti Zeneli bashkia tirane Tirane parku i liqenit erion veliaj mbjellja e pemeve Komento Komente Sondazhi i ditës: Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë? Qeverisë 77.7% Magjistratëve 16.3% Nuk e di 6% Vota total: 5136 Sondazhi i ditës: Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë?
