Një video e pazakontë nga Indonezia është bërë virale në rrjetet sociale, pasi tregon një fermer që kthehet nga puna në arë duke përdorur një dron gjigant si mjet transporti.
Pamjet, të publikuara fillimisht në TikTok, tregojnë fermerin nga rajoni i Jombangut në provincën Java Lindore, i cili shihet i varur poshtë një droni të modifikuar, ndërsa fluturon mbi fushat bujqësore dhe përshëndet me dorë.
Sipas pretendimit të vetë fermerit, ai përshkon rreth 1.5 kilometra nga plantacioni i tij i bananeve deri në destinacion duke përdorur këtë dron të madh, të përshtatur për ta transportuar.
Videoja ka marrë miliona shikime dhe ka nxitur reagime të shumta në rrjet. Disa përdorues e kanë cilësuar idenë si tepër kreative dhe inovative, ndërsa të tjerë kanë ngritur shqetësime serioze për sigurinë dhe ligjshmërinë e përdorimit të një droni për transportimin e njerëzve.
Deri më tani nuk janë bërë publike specifikat teknike të dronit, si kapaciteti i tij mbajtës apo mënyra se si është modifikuar. Po ashtu, nuk ka një konfirmim zyrtar nëse mjeti disponon lejet e nevojshme për një përdorim të tillë.
Ekspertët kujtojnë se dronët nuk janë projektuar për transport njerëzor në kushte të zakonshme dhe përdorimi i tyre në këtë mënyrë mund të paraqesë rreziqe serioze për jetën. Për këtë arsye, qytetarëve u bëhet thirrje të mos tentojnë të imitojnë veprime të ngjashme. View this post on Instagram A post shared by JOQ Albania (@joqalbania)

