Dyshimet për rastet e helmimit në kopshtin numër 10 në Vlorë janë përqendruar te uji i pijshëm. Sipas burimeve, kjo është pista që po shqyrtohet nga autoritetet, ndërsa përgjigjet e analizave laboratorike ende nuk kanë dalë për të konfirmuar shkakun.
Rastet e para u evidentuan të premten, kur shtatë fëmijë të kopshtit u paraqitën në spital me shqetësime në traktin tretës. Gjashtë prej tyre vijojnë të jenë nën mbikëqyrjen e mjekëve, ndërsa njëri është larguar në banesë pasi ka marrë mjekim.
Por simptomat nuk janë shfaqur vetëm te fëmijët. Sipas burimeve, edhe dy punonjës të kopshtit u paraqitën në spital me shqetësime të ngjashme, ndërsa gjatë ditës së djeshme janë raportuar edhe tre të rritur të tjerë me simptoma të njëjta. Fillimisht u ngritën dyshime për ushqimin e konsumuar në kopsht. Specialistët e shëndetit publik kanë marrë mostra për analiza laboratorike, ndërsa Ministria e Shëndetësisë thotë se po vijon edhe hetimi epidemiologjik.
Shkaku përfundimtar pritet të përcaktohet nga rezultatet e analizave. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *KryesoreAktualitet helmimkopshtivlore
