Një qytetar nga Belshi i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar faturimin, sipas tij të padrejtë, nga ujësjellësi i qytetit.
Qytetari tregon se prindërit e tij i kanë paguar rregullisht faturat e ujit deri në muajin shkurt të këtij viti. Pas kësaj periudhe, ata janë zhvendosur nga vendi dhe, për rrjedhojë, nuk kanë konsumuar ujë dhe nuk kanë kryer pagesa që prej muajit mars.
Megjithatë, sipas qytetarit, ujësjellësi ka vijuar t’u dërgojë fatura çdo muaj, duke u kërkuar pagesën e detyrimeve nga marsi deri në muajin aktual.
Por ai thotë se vlerat e faturave janë të larta, duke arritur në rreth 20-25 mijë lekë, pavarësisht faktit që prindërit e tij nuk kanë qenë në banesë dhe nuk kanë pasur konsum uji gjatë kësaj periudhe.
“Si mund të jenë faturat 20 apo 25 mijë lekë kur nuk kemi qenë fare aty dhe nuk kemi konsumuar ujë?”, shprehet qytetari, duke ngritur pikëpyetje edhe për tarifat e tjera të përfshira në faturë, si ndriçimi, pastrimi dhe kanalizimet.
Qytetari kërkon që institucionet përgjegjëse të verifikojnë faturimin dhe të sqarojnë se si janë llogaritur këto vlera, duke kërkuar transparencë për detyrimet që i janë vendosur familjes së tij.

