Një vatër zjarri ka rënë mesditën e së shtunës në Drenovë të Mallakastrës. Flakët janë përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe me ullishte, duke u afruar pranë banesave dhe varrezave të fshatit. Pas disa orëve punë në terrenin e thyer kodrinor, zjarrfikësit, të ndihmuar edhe nga banorët e zonës, arritën të neutralizojnë situatën. Forcat zjarrfikëse u pozicionuan pranë varrezave e banesave për të shmangun rrezikun e përhapjes së flakëve. Sipas përllogaritjeve paraprake të dëmeve, nga zjarri u dogjën rreth 10 hektarë sipërfaqe me ullinj dhe pyll me shkurre. Ndërkohë, në Palasë të Vlorës prej mesnatës forcat zjarrfikëse po përballen me një vatër zjarri. Për të vendosur nën kontroll vatrën e zjarrit u desh ndërhyrja e dy helikopterëve. LEXO EDHE:Zjarrfikësit në betejë me flakët gjatë natës, shuhet pas 8 orësh zjarri në Gjirokastër (VIDEO) Një tjetër zjarr i madh përfshiu fshatin Bardhet në Fushë-Arrëz, ku flakët dogjën sipërfaqe me pyje pishe dhe iu afruan banesave. Pas disa orësh ndërhyrje nga zjarrfikësit e Fushë Arrëzit, Pukës, shërbimi pyjor dhe banorët, zjarri u vu nën kontroll. Paraprakisht dyshohet se vatra u shkaktua nga pakujdesia e disa fëmijëve, ndërsa babai i tyre u shoqërua. Po gjatë së shtunës, u shua edhe zjarri në Lagjen e Spitalit në Lezhë. Flakët, që nisën në një grumbull mbeturinash, u përhapën drejt banesave, por ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve shmangu dëmet. Policia ka nisur hetimet për shkaqet e zjarrit. Share Share Rendit zhvillimet sipas orarit: Të Fundit Të Parat Ora 17:02 Neutralizohen flakët në Drenovë të Mallakastrës, dogjën 10 hektarë me ullinj dhe pyll Pas një operacioni intensiv disaorësh me 6 mjete zjarrfikëse dhe mbi 50 efektivë nga disa bashki, të ndihmuar edhe nga banorët e zonës, flakët në Drenovë të Mallakastrës u neutralizuan, duke shmangur rrezikun për banesat dhe varrezat e zonës.Sipas përllogaritjeve paraprake të dëmeve, nga zjarri u dogjën rreth 10 hektarë sipërfaqe me ullinj dhe pyll me shkurre, ndërsa forcat zjarrfikëse vijojnë të monitorojnë terrenin për të parandaluar riaktivizimin e vatrave. P.J/Shqiptarja.com Share Ora 16:08 Berat/ Përfshihen nga flakët dy shtëpi të pabanuara, dëmtohet një monument kulture dhe një makinë (VIDEO) Një zjarr ka rënë sot në dy banesa të pabanuara në lagjen "Çlirim" në qytetin e Beratit. Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë nisur fillimisht nga oborret e këtyre banesave dhe më pas janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era.Kanë qenë banorët e zonës ata që kanë njoftuar shërbimin zjarrfikës. Në vendngjarje kanë mbërritur tre mjete zjarrfikëse, ndërsa në mbështetje të operacionit kanë shkuar edhe forca të shumta policie.Flakët janë përhapur edhe drejt çatisë së një banese të shpallur monument kulture, por falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve është bërë e mundur lokalizimi dhe shuarja e zjarrit, duke shmangur dëme më të mëdha.Pranë vatrës së zjarrit ndodhej edhe një automjet tip Ford, i cili pësoi dëmtime në pjesën e përparme, por u largua në kohë nga vendi nga forcat zjarrfikese.Sipas burimeve nga shërbimi zjarrfikës në vendngjarje, dyshohet se zjarri është vendosur qëllimisht. Shkaqet e plota të ngjarjes pritet të përcaktohen nga hetimet e autoriteteve. P.J/Shqiptarja.com Share Ora 14:57 Zjarri në Fushë-Arrëz rrezikoi banesat, flakët nën kontroll! Dyshohet se u shkaktua nga pakujdesia e fëmijëve, shoqërohet babai (VIDEO) Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu mesditën e së shtunës fshatin Bardhet, në njësinë administrative Qafë Mali, Bashkia Fushë Arrëz. Brenda pak minutash, flakët përfshinë një sipërfaqe të konsiderueshme me pyje pishe dhe iu afruan rrezikshëm banesave të zonës.Për shuarjen e zjarrit u angazhuan menjëherë banorët, shërbimi pyjor dhe zjarrfikësit e Fushë Arrëzit, ndërsa në ndihmë mbërritën edhe forcat zjarrfikëse nga Puka.Sipas të dhënave paraprake, zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga pakujdesia e disa fëmijëve pranë një banese në fshatin Bardhet. Policia ka shoqëruar babanë e tyre dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.Aktualisht, zjarri është vënë nën kontroll, ndërsa zona vijon të monitorohet për shkak të erës, e cila mund të favorizojë riaktivizimin e vatrave. SI.E./Shqiptarja.com Share Ora 14:56 Zjarri rrezikoi banesat në Lezhë, vihet nën kontroll! Nisi nga një grumbull mbeturinash (VIDEO) Një zjarr i madh ka rënë pasditen e së shtunës në Lagjen e Spitalit, në Lezhë. Flakët kanë nisur fillimisht në një grumbull mbeturinash dhe më pas janë përhapur me shpejtësi në drejtim të banesave, duke krijuar rrezik serioz për banorët e zonës.Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave zjarrfikëse dhe strukturave të emergjencave civile, zjarri u vu nën kontroll, duke shmangur përhapjen e mëtejshme të flakëve dhe dëmtimin e banesave.Temperaturat e larta, që kanë arritur deri në 40 gradë Celsius, si dhe era e fortë, e vështirësuan punën e ekipeve të emergjencës, të cilat luftuan për disa orë deri në neutralizimin e plotë të situatës.Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e zjarrit dhe për të verifikuar nëse ai është shkaktuar qëllimisht apo si pasojë e rrethanave aksidentale. SI.E./Shqiptarja.com Share Ora 10:10 Zjarr në Palasë prej mesnatës, ndërhyjnë edhe dy helikopterë (VIDEO) Prej mesnate, forcat zjarrfikëse po përballen me një vatër zjarri në zonën e Palasës. Prej orësh flakët po përfshijnë sipërfaqe me shkurre dhe pyll.Në terren ndodhen dhjetëra forca zjarrfikëse, efektivë të Ushtrisë dhe struktura të tjera të emergjencave civile, të angazhuara për izolimin dhe shuarjen e vatrës së zjarrit.Në operacion po marrin pjesë edhe dy helikopterë, të cilët po ndërhyjnë nga ajri për të frenuar përhapjen e flakëve në terrenin e vështirë.Puna vijon pa ndërprerje, ndërsa autoritetet mbeten në gatishmëri deri në neutralizimin e plotë të zjarrit. SI.E./Shqiptarja.com Share Ora 07:14 Zjarrfikësit në betejë me flakët gjatë natës, shuhet pas 8 orësh zjarri në Gjirokastër (VIDEO) Një zjarr i madh ra pak para mesnatës në zonën mes fshatrave Asim Zeneli dhe Saraqinisht, në Bashkinë e Gjirokastrës.Flakët përfshinë një sipërfaqe të konsiderueshme me barishte dhe shkurre, ndërsa terreni i vështirë dhe bimësia e dendur e bënë ndërhyrjen të vështirë. Në operacion u angazhuan të gjitha forcat e MZSH Gjirokastër, zjarrfikës nga bashkitë fqinje dhe forcat vullnetare të Bashkisë Gjirokastër.Pas rreth tetë orësh përpjekjesh, zjarri u izolua dhe u fik plotësisht. Dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme, pasi flakët ishin shpërndarë në katër vatra të ndryshme. Organet ligjzbatuese kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. SI.E./Shqiptarja.com Share SI.E./P.J/Shqiptarja.com TAG: zjarret 2026 Komento Komente Sondazhi i ditës:
31 Korrik, 15:00
Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë? 46 bashki (PS) 56.2% 100 bashki (PD) 16.1% 61 bashki (si sot) 27.7% Vota total: 1595 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 31 Korrik, 15:00 Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë?
