Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë tonë nga një familje, e cila ka gjetur insekte brenda një pakoje me makarona Barilla, të blera për konsum familjar.
Sipas qytetarit, makaronat janë vendosur për t’u zier, por gjatë përgatitjes familja ka konstatuar praninë e tre mizave të ngordhura dhe një mize të gjallë brenda pakos.
“Mora një pako makarona Barilla dhe i vendosa të ziejnë. Gjeta 3 miza të ngordhura dhe një të gjallë”, shprehet qytetari në denoncimin e tij.
Ajo që e bën edhe më shqetësuese situatën është fakti se familja pretendon se një ditë më parë kishte konsumuar makarona nga e njëjta pako. Sipas tyre, vajza kishte shfaqur dhimbje barku, por në atë moment nuk e kishin lidhur shqetësimin me ushqimin.
“Dje konsumuam makaronat Barilla dhe vajza kishte dhimbje barku, por nuk e kuptuam shkakun. Sot, kur i morëm dhe pamë që makaronat kishin miza, kuptuam se mund të ketë lidhje”, pretendon familjari.

