Familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit i janë drejtuar me një letër të hapur kryetarit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Erion Bani, duke i kërkuar të ndërhyjë për zgjidhjen e ngërçit të krijuar pas hyrjes në fuqi të Rregullores së re të Gjykatës, që sipas tyre ka sjellë bojkotimin e seancave nga avokatët dhe pezullimin e proceseve gjyqësore. Në letrën e tyre, familjarët shprehen se situata po ndikon drejtpërdrejt te procesi gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit, për të cilin thonë se presin drejtësi prej 18 vitesh. Ata theksojnë se krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë u kishte dhënë shpresë se përgjegjësit për tragjedinë do të përballeshin me drejtësinë. LEXO edhe...PS dhe PD thirrje KLGJ-së për konfliktin në GJKKO: Zgjidh ngërçin! Xhafaj: Mblidhuni si për pagat! Rusi: Kompetencë e gjykatës Sipas tyre, edhe gjykimi ndaj Fatmir Mediut, që ka nisur prej më shumë se tre vjetësh dhe ende nuk ka përfunduar në shkallën e parë, po përballet me një tjetër pengesë. Ata shprehen se, përveç vonesave të deritanishme, procesi po zvarritet edhe për shkak të rregullores së re të Gjykatës, duke bërë që të dështojnë tri seanca radhazi. Familjarët thonë se është e pakuptueshme që një proces i pritur prej kaq shumë vitesh të mbetet peng i një mosmarrëveshjeje për përdorimin e telefonave celularë në sallat e gjyqit, ndërsa pasojat, sipas tyre, i vuajnë qytetarët që presin drejtësi. "Ne nuk po ju kërkojmë asnjë favor. Kërkojmë vetëm që ky proces të zhvillohet dhe të përfjë", thuhet në letrën e hapur. Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Gërdecit i kërkon kreut të GJKKO-së të ndërmarrë pa vonesë hapat e nevojshëm për rifillimin normal të proceseve gjyqësore, duke theksuar se nuk është e drejtë që të mbeten peng i këtij ngërçi dhe të përballen edhe një herë me shtyrjen e drejtësisë. Ngërçi në Gjykatën e Posaçme nisi pas hyrjes në fuqi të Rregullores së re të brendshme, e cila vendosi kufizime të reja për përdorimin e telefonave celularë dhe pajisjeve elektronike në ambientet e gjykatës. Një pjesë e avokatëve e kundërshtuan rregulloren, duke argumentuar se ajo cenon ushtrimin e profesionit dhe vendos kufizime që nuk parashikohen në ligj. Si formë proteste, Dhoma Kombëtare e Avokatisë vendosi bojkotimin e seancave gjyqësore në GJKKO, duke bërë që një sërë procesesh të shtyheshin. Mes tyre është edhe gjykimi ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i akuzuar në lidhje me tragjedinë e Gërdecit. Për shkak të mungesës së avokatëve, seancat nuk janë zhvilluar, duke sjellë vonesa të reja në procese që presin të përfjnë prej vitesh. Letra e plotë I nderuar z. Kryetar, Ne, familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit, po ju drejtohemi publikisht për të shprehur shqetësimin tonë të thellë për situatën e krijuar në Gjykatën që ju drejtoni, si pasojë e kundërshtimeve ndaj Rregullores së re, të cilat kanë sjellë bojkotimin e seancave gjyqësore nga avokatët. Për ne, kjo situatë ka pasoja të drejtpërdrejta mbi një proces gjyqësor për të cilin kemi pritur 18 vjet. Më 15 mars 2008, në Gërdec humbën jetën 26 njerëz dhe u plagosën qindra të tjerë. Që prej asaj dite, ne kemi kërkuar drejtësi, kemi përballuar zhgënjime të shumta dhe kemi pritur me durim që institucionet të bëjnë detyrën e tyre. Krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë na dha shpresë se më në fund do të mund të merrnim një përgjigje për përgjegjësitë lidhur me këtë tragjedi. Ne besuam te drejtësia e re dhe vazhdojmë të duam të besojmë tek ajo. Por sot, edhe gjykimi i Fatmir Mediut, i cili ka nisur prej më shumë se tre vjetësh dhe ende nuk ka përfunduar në shkallën e parë, po përballet me një tjetër pengesë. Sikur të mos mjaftonin të gjitha vonesat e deritanishme, tani procesi po zvarritet edhe për shkak të një rregulloreje të vetë Gjykatës, duke djegur sot seancën e tretë radhazi. Është e vështirë për ne të kuptojmë se si një çështje që ka pritur kaq gjatë për drejtësi duhet të presë përsëri, këtë herë për shkak të një mosmarrëveshjeje për telefonat celularë në sallat e gjyqit. Ne nuk mund të kuptojmë përse kjo mosmarrëveshje nuk gjen një zgjidhje, ndërkohë që pasojat i vuajnë qytetarët që presin drejtësi. Ne nuk po ju kërkojmë asnjë favor. Kërkojmë vetëm që ky proces të zhvillohet dhe të përfjë. Slogani “Drejtësia e vonuar, drejtësi e mohuar” është tashmë një realitet që e jetojmë prej më shumë se 18 vjetësh. Të paktën, zgjidhja e ngërçit të fundit është në dorën e institucionit që ju drejtoni. Prandaj ju kërkojmë të ndërmerrni pa vonesë hapat e nevojshëm në mënyrë që të mundësohet rifillimi normal i proceseve gjyqësore. Nuk është e drejtë që të mbetemi peng i një ngërçi të tillë dhe të përballemi sërish me dyer të mbyllura. Me respekt, U.D/ReportTv.al gerdeci GJKKO rregullorja e GJKKO Komento Komente Sondazhi i ditës: A e di arsyen e protestave të dhunshme kundër Ministrisë së Arsimit? Po 21% Jo 76.4% Disi 2.7% Vota total: 1621 Sondazhi i ditës: A e di arsyen e protestave të dhunshme kundër Ministrisë së Arsimit?

