Kryeministri Edi Rama ka fajësuar Rusinë dhe Iranin për nxitjen e protestave kundër korrupsionit në Shqipëri, por deklaratat e tij kanë shtuar debat mbi përdorimin politik të pretendimeve për ndërhyrje të huaja. Kështu shkruan media ndërkombëtare POLITICO, në një artikull ku raporton se ministrat e Mbrojtjes të Shqipërisë dhe Malit të Zi i kanë kërkuar NATO-s të dërgojë ekspertë për t’i ndihmuar në përballimin e fushatave të dezinformimit rus.
Rama ka fajësuar Rusinë dhe Iranin për nxitjen e protestave kundër korrupsionit që kanë përfshirë vendin që prej muajit maj. Megjithatë, kjo çështje është kthyer në një debat politik në Shqipëri.
Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka deklaruar se gjatë vitit të fundit janë shtuar fushatat në rrjetet sociale që, sipas tij, “ushqejnë urrejtjen dhe zemërimin”. Ai ka përmendur gjithashtu organizata të lidhura në mënyrë të tërthortë me Rusinë, duke pretenduar se janë vënë re ndërveprimet e tyre në internet.
Ndërkohë, si Rusia, ashtu edhe Irani kanë mohuar çdo përfshirje në lëvizjen e protestës.
POLITICO citon edhe eksperten e komunikimit Bino, sipas së cilës dezinformimi rus në Shqipëri është shfaqur përmes fushatave në rrjetet sociale që synojnë procesin e integrimit në BE dhe anëtarësimin në NATO, si dhe nxisin përçarje për çështje kulturore, përfshirë të drejtat e komunitetit LGBTQ. Sipas saj, disa prej këtyre narrativave janë amplifikuar edhe nga mediat vendase.
Në këtë kontekst, ministrat e Mbrojtjes të Shqipërisë dhe Malit të Zi kanë kërkuar një angazhim më të madh të NATO-s, përfshirë dërgimin e ekipeve të ekspertëve që do të ndihmonin në identifikimin e kërcënimeve, koordinimin e reagimit dhe forcimin e kapaciteteve për t’u përballur me operacionet e ndikimit online.
Një zyrtar i NATO-s, i cituar nga POLITICO, ka deklaruar se Aleanca mund të ofrojë mbështetje të mëtejshme kur kjo të kërkohet. Megjithatë, tre diplomatë të NATO-s kanë bërë të ditur se aleatët do të ishin të hapur për ta shqyrtuar këtë mundësi, duke paralajmëruar se Shqipëria nuk duhet ta përdorë një reagim të tillë për qëllime të politikës së brendshme. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

